Kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi se institucionet vendore kanë ngritur kapacitetet për një shtet ligjor e funksional në tërë territorin e Kosovës.
Sipas tij, sundimi i ligjit është prioritet i kësaj qeverisjeje.
Haradinaj këtë e tha gjatë takimit me shefen e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, me të cilën kanë diskutuar për angazhimin e përbashkët në fuqizimin e mëtejmë të sundimit të ligjit.
“Institucionet vendore kanë ngritur kapacitetet për një shtet ligjor e funksional në tërë territorin e Kosovës. Në vazhdën e bashkëpunimit të ngushtë të Qeverisë me EULEX-in, në rolin këshillëdhënës, sot zhvillova takim pune me shefen e këtij misioni, Alexandra Papadopoulou, me të cilën bashkëbiseduam për angazhimin tonë të përbashkët në fuqizimin e mëtejmë të sundimit të ligjit. Vlerësuam se, hapat konkret në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si e vetmja rrugë që garanton zhvillimin e vendit, kanë shënuar progres të dukshëm”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.