Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhevahire Izmaku dhe ajo e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu janë përplasur gjatë ditës së sotme në Komisionin për Legjislacion.
Arsyeja e gjithë kësaj ishte ndryshimi i Ligjit të Zgjedhjeve të Përgjithshme.
Deputetja Izmaku kërkoi që Komisioni për Legjislacion të mos e shqyrtojë këtë pikë, pasi sipas saj komisionit po i humb kredibiliteti.
Ajo madje iu drejtua koleges së saj Haxhiu se po sillet me arrogancë.
“Nuk e kuptoj pse me kaq emocion Albulenë ty personalisht po të them, pse po e merr me kaq emocion këtë ligj... Me arrogancë nuk mundesh me udhëheq mbledhjen”, tha ajo, transmeton kp.
Ndërkaq deputetja Haxhiu ka reaguar duke thënë se nuk i jep llogari asaj.
“Po e marr sepse bashkatdhetarëve tanë është duke iu cenuar e drejta, ti mos më trego se qysh me u sill... Bashkatdhetarëve tanë është duke iu cenuar e drejta e votës, pikërisht për shkak të procedurave burokratike, dhe po flas me emocion. Ty nuk të jap llogari, je njeriu i fundit që duhet t’i jap llogari”, tha Haxhiu.
Ndryshe, dje në Kuvend është krijuar një komision “ad-hoc” për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor. Deputeti i pavarur, Korab Sejdiu, tha se ky ndryshim është për t’ua lehtësuar diasporës mënyrën e votimit, i cili sipas tij, duhet të bëhet në ambasadat apo konsullatat e Kosovës ku ata më afër jetojnë.