Arbëri

Oda e Afarizmit kërkon heqjen e udhëzimeve, janë në kundërshtim me ligjet

Sektori minierave dhe mineraleve në Kosovë po përballet me probleme të shumta për të bërit biznes për shkak të disa udhëzimeve administrative që janë në mospërputhje me Ligjin për Minierat dhe Mineralet.

Anëtari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Hysni Zogaj tha se problemet më të theksuara në të bërit biznes janë udhëzimet administrative që janë në kundërshtim me ligjin, siç janë taksat e dyfishta, kufizimi i koncesioneve në pesë hektarë dhe në pesë vjet, si dhe taksa tjetër shtesë prej 2 mijë euro në vit.

Zogaj tha se këto barriera e bëjnë të pamundur zhvillimin e këtij sektori, për çka kanë kërkuar edhe nga kryeministri dhe ministrja e Bujqësisë që këto udhëzime administrative që janë në kundërshtim me ligjin të hiqen. Sipas tij, nëse nuk hiqen këto udhëzime, përfaqësues të bizneseve do të revoltohen.

Ai tha se Udhëzimi administrativ numër 10.2010, neni 4 paragrafi 13.7 dhe paragrafi 13.8 kufizojnë kontratat e shfrytëzimit të tokave në 5 vjet dhe 5 hektarë.

“Te minierat kemi një ngecje të madhe dhe nuk janë duke shkuar punët si duhet. Për këtë Oda e Afarizmit i ka nxjerrë përfundimet e veta për problemet, të cilat janë në të bërit biznes në miniera dhe minerale. Kështu që problemet më të theksuara janë udhëzimet administrative, dhe qe një kohë të gjatë jemi duke lobuar që Qeveria e Kosovës t’i heqë këto udhëzime administrative, të cilat janë në kundërshtim me ligjin. Si p.sh, janë taksat e dyfishta, ndërrimi i pronave, kufizimi i koncesioneve në pesë hektarë dhe në pesë vjet, dhe një taksë prej 2 mijë euro në vit që është një taksë shumë e madhe”, tha Zogaj.

Ai foli edhe për taksën ndaj Serbisë dhe Bosnjës, ku tha se OAK e përkrah taksën, ngaqë sektori prodhues ka rritur prodhimin 35 për qind/KsP.