Arbëri

Shqipëria ka shpenzuar 78 milionë euro për import të energjisë

Foto: Reuters / ilustrim

Thatësira e tejzgjatur ka shkaktuar një situatë të rëndë hidrike në Shqipëri, pasuar me një krizë energjetike. Në muajt janar e shkurt të këtij viti OSHEE apo kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri bleu 58 milionë euro energji nga importi, ndërkohë që në mars parashikohet të shpenzojë edhe 20 milionë euro të tjera. E gjithë energjia elektrike që prodhohet në Shqipëri vjen nga hidrocentralet, ndërsa burimet alternative të prodhimit të energjisë janë praktikisht zero, shkruan sot Koha Ditore.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në janar prodhimi i energjisë në Hidrocentralin e Fierzës ra me 3 herë krahasuar me janarin e vitit të kaluar, nga 188 gigavate që ishte, në 64 giga. Rënia drastike e prodhimit vendas e ka detyruar OSHEE-në që të nisë importet masive të energjisë nga jashtë. Vitin e kaluar sektori energjetik ishte lokomotiva që udhëhoqi rritjen ekonomike prej 4.3% duke dhënë gati gjysmën në rritjen e prodhimit kombëtar.

Statistikat konfirmojnë se prodhimi i energjisë elektrike pothuajse u dyfishua gjatë vitit të kaluar. Sipas Institutit të Statistikave, ky prodhim arriti në afro 8600 GWh (gigavat orë).(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)