Diplomatët shqiptarë janë kundër ndryshimit të kufijve të Republikës së Kosovës. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka reaguar pas deklaratave të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për mundësinë e korrigjimit të kufijve me Serbinë.
Këshilli i diplomatëve shpreh shqetësim për “qëndrime të tejkaluara në kohë të ashtuquajtura opsioni i ‘korrigjimit të kufijve’ që sipas tij, kanë krijuar paqartësi në opinionin publik dhe brenda të gjithë faktorit shqiptar.
Në reagim thuhet se Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mbështet qëndrimet zyrtare që ka pasur Shqipëria në kohë, të cilat kanë përjashtuar opsionin e korrigjimeve të kufijve për zgjidhjen e interesit kombëtar.
Më tej, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shprehet se institucionet e Kosovës përfaqësuese në dialogun Prishtinë – Beograd, duhet të vazhdojnë me përgjegjësi këtë proces i cili është shumë i rëndësishëm për stabilitetin në rajonin tonë.
DEKLARATA E PLOTË
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, po ndjek me vëmendje deklaratat e ditëve të fundit mbi ecurinë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë duke inkurajuar çdo përpjekje të palëve dhe faktorit ndërkombëtar për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, shpreh shqetësimin për qëndrime të tejkaluara në kohë të ashtuquajtura opsioni i “korrigjimit të kufijve”, zhvillime të cilat kanë krijuar paqartësi në opinionin publik dhe brenda të gjithë faktorit shqiptar.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mbështet qëndrimet në vazhdimësi, zyrtare dhe publike të qeverive të Republikës së Shqipërisë të cilat kanë përjashtuar opsionin e korrigjimeve të kufijve për zgjidhjen e interesit kombëtar.
Fryma e dialogut me Serbinë dhe rezultatet e negociatave duhet të jenë domosdoshmërisht në përputhje me kushtetutën e Republikës së Kosovës, interesat kombëtare dhe ato të partnerëve strategjik SHBA dhe BE.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mbështet gjithashtu institucionet e Kosovës përfaqësuese në dialogun Prishtinë – Beograd, të vazhdojnë me përgjegjësi këtë proces i cili është shumë i rëndësishëm për stabilitetin në rajonin tonë.
Përmbushja me sukses sfidave të brendshme që lidhet me zbatimin e reformave, luftën kundër korrupsionit, konsolidimin e demokracisë dhe zhvillimin e mirëqenies në Kosovë, është detyrë lidershipi politik dhe detyrim i patjetërsueshëm ndaj qytetarëve dhe miqve ndërkombëtarë të Kosovës.