​Haradinaj: Fushë Kosova stacion i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik

​Haradinaj: Fushë Kosova stacion i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik

10 tetor 2017 21:25

Me qeverisjen e ardhshme katërvjeçare në Fushë Kosovë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, do të ketë mjaftueshëm ujë të pijshëm, spital të ri, punësim, investime në fushën e bujqësisë e blegtorisë, si dhe fabrika për përpunimin e qumështit. Kështu u shprehën drejtues të AAK-së sonte me rastin e hapjes së fushatës zgjedhore në Fushë Kosovë, ku shpalosën programin e saj qeverisës katërvjeçar dhe prezantuan kandidatin për kryetar të komunës, Ahmet Grajçevci.

Kryeministri i Kosovës dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj u shpreh se qeveria është në një proces të rritjes së buxhetit dhe rritjes së pagave në vazhdimësi, por jo duke rritur taksat, mirëpo duke nxitur zhvillim përmes veprimit qeverisës.

Haradinaj tha se përmes lehtësimit të zhvillimit ekonomik dhe çdo veprimi tjetër që lidhet me ekonomi, do të kontribuojë në punësime. Madje, ai Fushë Kosovën e quajti një qendër të zhvillimit ekonomik, që do të kontribuojë në mirëqenien e qytetarëve të kësaj komune.

“Fushë Kosova është një stacion i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik dhe mbetet një stacion i tillë. Dikur këtu kanë ardhur trena me mallra dhe ka qenë një qendër e rëndësishme. Tani për fat janë koncentruar kapacitetet prodhuese, e ekonomike me kompani serioze dhe ka tendenca të rritjes edhe më tutje. Jam i bindur se shkëlqimin dhe adresën që dikur e ka pasur Fushë Kosova, do ta kthejmë bashkë”, theksoi Haradinaj, raporton kp.

Haradinaj foli edhe për të drejtat e qytetarëve të ardhur nga Presheva në Fushë Kosovë, ku kërkoi që ata të bëhen të barabartë me cilin do qytetarët tjetër këtu.

“Ne e kuptojmë obligim që e kemi, është obligim më së pari qytetarë kombëtar, por është edhe obligim institucional që qytetarët nga Presheva, edhe pse ne nuk kemi dëshirë që ata i lëshojnë vatrat e tyre atje dhe nuk është shenj e mirë, por jeta i ka obliguar dhe rrethanat. Të gjithë ata me i bërë të barabartë, me cilin do qytetarët të këtij vendi që jeton këtu. Kjo është detyrë e imja personale, për ta kam me punuar dhe ka me ndodhë në kohë të shpejt. Ata janë shtetas të Kosovës dhe pse janë me origjinë prej atje”, tha Haradinaj.

Ai u deklarua edhe për perspektivën eruo-atlantike të Kosovës dhe sipas tij mundësitë janë hapur që Kosovë të jetë e integruar në BE dhe NATO. Dhe sipas tij Haradinajt, Kosova është duke punuar seriozisht në këtë proces. Sipas tij, liberalizmi i vizave do të ndodhë shumë shpejt.

Kandidati për kryetar nga radhët e AAK-së, Ahmet Grajçevci tha se zotohet para qytetarëve të Fushë Kosovës, se do të qëndrojë besnik në rrugëtimin e tij drejt një të ardhme më të mirë, ku qytetarët do kenë dinjitet. Ai premtoi se prioritet i AAK-së për Fushë Kosovë janë arsimi, shëndetësia dhe uji i pijshëm.

“Prezenca juaj sot më jep forcë dhe përkushtim për një punë për zgjidhjen e problemeve dhe halleve të përditshme, me të cilat ju ballafaqoheni çdo ditë. Premtimet tona nuk do të mbesin vetëm në letër, por do të jenë kontratë më qytetarin, që së bashku do të punojmë për një Fushë Kosovë më të mirë, më moderne dhe për një Fushë Kosovë evropiane. Ndër punët më emergjente ne mendojmë se janë regjistrimi dhe pajisja e dokumentacionit e të gjithë banorëve që vitet e fundit kanë ardhur të jetojnë në Fushë Kosovë, e me prioritet banorët e ardhur nga Kosova Lindore”, deklaroi Grajçevci.

Kandidati për kryetar premtoi një administratë të reformuar komunale, infrastrukturë më të mirë dhe rregullimin siç tha të kaosit urbanistik. Po ashtu ai premtoi edhe një zhvillim në bujqësi. Duhet theksuar se derisa u mbajt tubimi elektoral, është ndërprerë energjia elektrike.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme