Zgjedhjet lokale

VV në Llukar: Jemi ndryshimi në politikën e Kosovës

Në sallën e sportit të shkollës në Llukar, shumë banorë të këtij fshati ishin mbledhur për të pritur kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin, bashkë me kryetarin e Qendrës së Vetëvendosjes në Prishtinë, Ylli Hoxhën, si dhe deputetin Frashër Krasniqi.

Deputeti Frashër Krasniqi tha se angazhimi tyre duhet të jetë maksimal, ashtu që t’i japin krahë Prishtinës më 22 tetor.

“Rritja e Vetëvendosjes është shumë e madhe në të gjithë Kosovën, e veçanërisht në Prishtinë. Fitorja jonë është e pashmangshme. Edhe kundërshtarët politikë e dinë këtë gjë shumë mirë. Sikleti i tyre është që po i humbin edhe shumë komuna të tjera. Sepse ne dhamë shembull se qeverisim mirë, jemi të pakorruptueshëm, dhe i realizojmë në përpikëri zotimet që japim karshi qytetarëve”, theksoi Krasniqi.

Kryetari i Qendrës së Lëvizjes në Prishtinë, Ylli Hoxha, falënderoi të gjithë aktivistët dhe qytetarët e kësaj pjese për angazhimin e vazhdueshëm për të mirën e përgjithshme.

“Shumë njerëz thoshin se kur të vini në pushtet bëheni si të tjerët, ne e dëshmuam të kundërtën. Ne e dëshmuam se jemi ndryshimi në politikën e Kosovës. Dëshmuam se me të njëjtin buxhet, pa korrupsion, mund të punohet shumëfish më shumë”, tha Hoxha, me ç’rast kërkoi nga banorët e Llukarit të vazhdojnë me angazhimin e njëjtë, angazhim ky që do të na siguronte edhe shumicën e nevojshme në Kuvendin Komunal.

Kryetari Shpend Ahmeti foli për prioritetet kryesore për mandatin e dytë, prioritete këto që kanë dalë nga takimet e vazhdueshme me qytetarë tash e katër vite.

“Në mandatin e parë u munduam ta stabilizojmë situatën. Tash jemi në një fazë të re të zhvillimit, fazë kjo që e bën të mundur realizimin e 100 zotimeve tona të radhës, për Prishtinën qytet në çdo lagje. Vazhdimi i punës sonë, kërkon forca shtesë. Kërkon që Prishtinës t’i japim krahë. Që neve si ekzekutiv, të na shtohet si krah Kuvendi Komunal. Duke e parë vullnetin e qytetarëve të Prishtinës prej 2013 e deri sot, tashmë jam i bindur se kjo do të ndodhë”, tha në fund Ahmeti.