Zgjedhjet lokale

Pacolli: Do ta lirojmë Prishtinën nga kaosi

Në një vizitë që ka bërë sot në rrugët dhe lagjet më kaotike në kryeqytet, përkatësisht në rrugën Muharrem Fejza në Prishtinë, Selim Pacolli, kandidat për Kryetar Komunës së Prishtinës nga AKR ka thënë se ai ndjehet i tronditur me kaosin e krijuar në këtë lagje.

Ndërtimet pa plan dhe uzurpimi i trotuareve që është bërë në këtë rrugë, pluhuri dhe lagjet e shumta ndërmjet banesave ku mbizotëron zhavori dhe mungesa e hapësirave normale për jetë në këtë lagje, e kanë shtyrë Selim Pacollin që të zotohet për ndryshime të menjëhershme të kësaj lagje posa ai ta marrë pozitën e kryetarit të Komunës së Prishtinës.

“Një prioritet i menjëhershëm i imi do të jetë vendosja e rregullit në këtë lagje, e cila tashmë është shumë e populluar, mirëpo në të cilën autoritetet komunale nuk kanë vendosur asnjë rregull minimal, për t’ua mundësuar qytetarëve të kësaj lagje të madhe të kryeqytetit të bëjnë një jetë normale dhe të dinjitetshme” ka thënë Pacolli.

“Paramendojeni një nënë me fëmijë në këtë lagje, e cila po të duhet të dalë jashtë banesës së saj e ka të pamundur të lëvizë në këto trotuare. Më pas, shihni pluhurin, mungesën e dritave, parkingjeve dhe shumë pjesëve të tjera infrastrukturore të cilat ja bëjnë qytetarëve të Prishtinës të bëjnë një jetë normale në kryeqytet” është shprehur më tej Pacolli.

Pacolli ka bërë të ditur që në programin e tij për Prishtinën ka pika të shumta të cilat e rregullojnë funksionimin e jetës në kryeqytet, duke përfshirë edhe lirimin e hapësirave publike, krijimin e hapësirave dhe rregullimin e mirëqenies qytetare për të gjithë banorët e Prishtinës.