A do të hiqen më parë vizat për Kosovën, apo të kthehen për Shqipërinë

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 23 gusht 2017 08:29

Krimi i organizuar nuk do të ishte aq shumë problem për liberalizimin e vizave sikur ai të mos ishte i lidhur me strukturat politike. Kjo është arsye pse Kosova nuk ka liberalizim vizash dhe mund të bëhet një prej shkaqeve për të cilat vizat mund të rivendosen edhe për Shqipërinë. Përderisa suspendimi i liberalizimit të vizave për Shqipërinë është i vështirë, për shkak të implikimeve edhe politike dhe procedurës së ndërlikuar, liberalizimi për Kosovën duket më larg sesa mendohet nga klasa politike e saj

Augustin Palokaj

Çështja e vizave është kthyer edhe një herë në vëmendjen e opinionit shqiptar edhe në Kosovë, që është ndër shtetet e rralla qytetarët e të cilit nuk mund të udhëtojnë pa viza, por edhe në Shqipëri, e cila tash e sa vite e gëzon këtë të drejtë. Përderisa në Kosovë vazhdojnë të shpresojnë se “shumë shpejt”, apo siç thotë për shtatë vjet më radhë presidenti i këtij shteti, Hashim Thaçi, “në afat rekord” do të mundë të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së dhe në Zvicër, Islandë e Norvegji, në Shqipëri druajnë se do tua suspendojnë lëvizjen e lirë. Në fakt, edhe njëri, edhe tjetri skenar duken jorealë, së paku jo në një afat të shkurtër. Sepse në BE nuk është e lehtë procedura e vendimmarrjes, as për t’i hequr vizat e as për t’i kthyer ato. Prandaj do të jenë ende kosovarët ata të cilët do ta paguajnë çmimin për shkak të manipulimeve të klasës së tyre politike, apo për shkak të përvojës së keqe që BE-ja ka me disa shtete të tjera dhe shfryhet ndaj qytetarëve të Kosovës.

Do të ishte padrejtësi që Shqipërisë t’i kthehen vizat, sikur që është padrejtësi mbajtja e Kosovës pa liberalizim vizash. Edhe në rastin e parë, edhe në të dytin dënohen qytetarët e jo ata të cilët kanë përgjegjësinë kryesore për gjendjen në të cilën ndodhet vendi.

Krimi i organizuar nuk do të ishte aq shumë problem për liberalizimin e vizave sikur ai të mos ishte i lidhur me strukturat politike. Kjo është arsye pse Kosova nuk ka liberalizim vizash, dhe mund të bëhet një prej shkaqeve për të cilat vizat mund të rivendosen edhe për Shqipërinë. Përderisa suspendimi i liberalizimit të vizave për Shqipërinë është i vështirë, për shkak të implikimeve edhe politike dhe procedurës së ndërlikuar, liberalizimi për Kosovën duket më larg sesa mendohet nga klasa politike e saj.

Është e vërtetë që ka shumë shqetësime në BE për Shqipërinë, edhe pse ky vend ka arritur shumë përparim në përmbushjen e kritereve për të lëvizur përpara në procesin e integrimeve evropiane. Do të ishte pothuajse një anomali sikur në kohën kur Shqipëria pret datën për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE që të ndodhte kthimi i vizave për shtetasit e këtij vendi. Edhe pse formalisht këto dy gjëra nuk janë të lidhura, ndonjë vendim dramatik rreth vizave do të ishte një goditje e madhe për Shqipërinë, e cila nuk do të zbutej as me nisjen eventuale të negociatave të anëtarësimit.

Ja pse nuk duket reale që Shqipërisë t’i kthehen vizat, edhe pse është dëgjuar të ketë kërkuar policia e Holandës për shkak të numrit të madh të kriminelëve me pasaporta shqiptare në Evropë. Nganjëherë edhe organet e rendit tentojnë të arsyetojnë situatën me liberalizimin e vizave, në vend që të kërkojnë metoda të tjera të luftës kundër grupeve të krimit të organizuar, shqiptarë dhe të tjerë.

Krimi i organizuar në Evropën Perëndimore tash e sa vite është problem dhe ai nuk njeh kufij, as shtetërorë e as etnikë. Është e vërtetë se në shumë raporte grupet “shqipfolëse” të krimit të organizuar janë identifikuar si problematike, si grupe që kontrollojnë trafikimet e ndryshme. Por ky fenomen ka ekzistuar edhe në kohën kur shtetasve të Shqipërisë u duheshin vizat. Kriminelët nuk e kishin problem as të hynin ilegalisht e as të siguronin vizat as në atë kohë. Me liberalizimin e vizave kjo nuk ka ndryshuar shumë. Problemi kryesor, për shkak të të cilit do të mundë të riktheheshin vizat për Shqipërinë, është numri relativisht i madh i azilkërkuesve nga Shqipëria. Madje edhe presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, kishte pohuar se “është e papranueshme që të këtë aq shumë azilkërkues në BE nga një shtet që është kandidat për anëtarësim në BE”. Ky numër i shqetëson administratat e shumë shteteve të BE-së. Por në anën tjetër autoritetet e Shqipërisë nuk kanë vënë pengesa për riatdhesimin e atyre që kërkojnë azil dhe nuk i përmbushin kushtet për të siguruar një strehim politik. Megjithëse ka pasur raste nga Shqipëria kur disa persona e kanë siguruar azilin duke u paraqitur si të kërcënuar nga gjakmarrja apo se janë pjesëtarë të komunitetit homoseksual. Holanda ende nuk ka propozuar suspendimin e vizave për Shqipërinë. Nëse e bën një gjë të tillë, atëherë procedura duhet të kalojë nëpër strukturat e BE-së dhe do të duhej të dëshmohej me shifra se ekziston një nevojë e tillë. Kjo nuk është e lehtë, dhe nuk do të ishte e lehtë të sigurohej mbështetja e nevojshme as në Këshillin e BE-së. Por Qeveria e Shqipërisë, megjithatë, edhe këto paralajmërime duhet t’i marrë seriozisht. Nëse së shpejti nuk nis implementimi i Ligjit për dekriminalizim, dhe nëse lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk bëhet në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar nga politika, situata mund të keqësohet edhe më shumë.

Nga ana tjetër Kosova po ashtu nuk duket se ka gjasa të mëdha të sigurojë liberalizimin e vizave në këto kushte. Në BE nuk ekziston një disponim i madh për këtë dhe fitohet disi përshtypja sikur janë të kënaqur që Kosova ka dy kushte formale ende të papërmbushura, dhe fajin për këtë mund t’ia lënë Kosovës. Kosova nuk e ka ratifikuar Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe po ashtu i ka mbetur edhe kushti për dëshmi konkrete në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë. Nëse në Kosovë arrihet të formohet Qeveria e PAN-it, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, nuk dihet se si do të përmbushet kushti i ratifikimit të Marrëveshjes me Malin e Zi, pasi Haradinaj ka qenë kundërshtari më i madh i këtij ratifikimi. Përpjekjet për të lëvizur duke e shtyrë këtë ratifikim për më vonë, nuk do të kishin dhënë rezultate, sepse BE-ja e ka vendosur tashmë kushtin, Kosova do të ishte pajtuar vetë me këtë kusht, dhe tash Brukseli e ka të vështirë ta tërheqë atë, sado i padrejtë të jetë ky kusht.

Me kalimin e kohës, në vend që të hiqet nga rendi i ditës, problem i madh po bëhet kushti i dytë, ai i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelin e lartë. Në BE, sidomos diplomatë të disa shteteve të rëndësishme, kanë filluar të shqetësohen me mungesën e vendimeve të gjykatave në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelin e lartë. Ata pranojnë se përparimi për të cilin ishte folur ka qenë për shkak të ngritjes së aktakuzave, por dëshmitë për përkushtim të vërtetë nuk jepen me ngritje akuzash, por me shpallje dënimesh. E këto dënime në shumë raste kanë munguar, apo rastet janë stërzgjatur. Madje ka edhe persona të implikuar në raste të tilla, të cilët janë bërë faktorë të rëndësishëm në pazaret për krijimin e shumicës parlamentare dhe krijimin e institucioneve. Nëse koalicioni do të ketë afro 20 parti, grupe, lista, apo subjekte interesi, atëherë numri i “të paprekurve” mund të rritet e jo të zvogëlohet në të ardhmen. E kjo mund ta vonojë edhe më shumë, në vend që ta përshpejtojë heqjen e vizave.

Politikanët e Kosovës, dhe ata që janë të lidhur me strukturat politike, nuk e kanë për vete problem të sigurojnë vizat, apo të sigurojnë edhe pasaporta të Shqipërisë për të lëvizur pa viza. Prandaj personalisht shumë prej tyre nuk shohin ndonjë interes të madh për këtë. Më shumë e kanë parë liberalizimin si një proces nga i cili mund të përfitojnë politikisht sesa personalisht. Ata që kanë menduar se do ta sigurojnë liberalizimin kanë besuar se me këtë do të sigurojnë edhe votën e qytetarëve për shkak të meritave të tyre. Por kjo nuk ka ndodhur. E përgjegjësinë nuk e merr askush, sepse në një kulturë politike të krijuar në Ballkan të gjithë duan t’i marrin meritat kur ndodh një gjë e mirë, por askush nuk i pranon përgjegjësitë për dështime.

Pasi të krijohen institucionet e Kosovës, nëse krijohen këtë javë, BE-ja do të presë se si do të nisin punën ato para se të mendojë për të lëvizur përpara në procesin e liberalizimit të vizave. Dhe kështu, ajo që dukej tepër pesimiste para shumë vjetësh, se vizat nuk do të hiqen deri në vitin 2018, tash duket version tepër optimist. Nëse vizat rikthehen për ndonjë nga vendet e rajonit, kjo mund ta zgjasë me vite liberalizimin e vizave edhe për Kosovën, sepse do të shërbejë si një element rëndues ndaj Kosovës, krahas të gjitha problemeve të tjera që i janë gjetur këtij shteti në dialogun e deritashëm të liberalizimit të vizave.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Augustin Palokaj