Sport

Shokohet Juve, Pjaca 8 muaj jashtë

Descriptive Text

Një goditje e rëndë për Juventusin dhe për një nga lojtarët më të talentuar të brezit të ri në Kroaci. Marko Pjaca humb sezonin aktual dhe një pjesë të madhe të sezonit tjetër, pasi dëmtimi i pësuar në miqësoren Estoni-Kroaci rezultoi shumë i rëndë.

Sipas komunikatës zyrtare, sulmuesi i Juventusit ka pësuar thyerje të pjesshme të meniskut dhe një tjetër frakturë në gju, transmeton Supersport. Diagnoza është bërë e ditur nga mjeku i Kombëtares së Kroacisë pas analizave të detajuara dhe në këtë pikë, për ta parë lojtarin në fushën e blertë do të duhen nga 6 deri në 8 muaj.

Në këtë mënyrë, Juventusi humb një lojtar shumë të rëndësishëm në betejën e këtij sezoni ku lufton në tre fronte.

Pjaca doli nga fusha e lojës në minutën e 64. Tashmë ai duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale për të rindërtuar meniskun dhe me shumë mundësi do ta mbyllë vitin 2017 jashtë fushave.

Pjaca u transferua te Juventusi gjatë verës së shkuar dhe në klubin bardhezi konsiderohet si një nga lojtarët më premtues për të ardhmen. Ai numëron 14 ndeshje me fanellën e “Zonjës së Vjetër” gjatë këtij sezoni me një gol të shënuar në sfidën e parë kundër Portos.