Sport

Xhaka: De Biasi ma bëri pa të drejtë, pa arsye

Tejet i zhgënjyer me deklaratën e Gianni De Biasit është shprehur mesfushori Taulant Xhaka. Madje ai ka thënë se timonieri i kombëtares shqiptare nuk po e thotë të vërtetën kur flet për mesfushorin nga Kosova,

“Jam shumë i zhgënjyer me deklaratën e trajnerit të kombëtares që nuk thotë të vërtetën. Unë Taulant Xhaka do ta them të vërtetën se jam plotësisht i zhgënjyer kur trajneri De Biasi thotë se ika në Bazel sepse kisha problem. Unë ju garantoj se nuk kam asnjë problem, por problemi është direkt me trajnerin De Biasin i cili ma ka bërë të padrejtë pa asnjë arsye. Kam qenë një lojtar titullar në kombëtaren time dhe me mish e me shpirt kam luajtur për flamurin dhe atdheun tim, dhe deklarata e tij se më ka mbrojtur tregon se ai nuk thotë të vërtetën por i lakon gjërat”, ka thënë Xhaka, për Top Channel.

“Unë kam kërkuar nga ai që të bisedojmë, që të më japë arsyen pse unë nuk jam titullar por ai me ironi nuk më tregon asnjë arsye, por as që do të dëgjojë mendimin tim. Unë nuk kam filluar të luaj sot, por jam prej një kohe të gjatë profesionist dhe unë i respektoj mendimet e trajnerit, por në këtë rast ai nuk ka pas arsye të mbrojë po vetëm të vërtetën ta thotë. Mënyrën dhe sjelljen e tij nuk e konceptoj dot, mua me dhimbset Shqipëria dhe populli im, kurse trajnerit i dhimbsen lekët. Juve fansa kuqe e zi dhe tërë Shqipërisë ju them se më është bërë padrejtësi deri fund”, shprehet Xhaka.

Kjo nuk është hera e parë që trajneri De Biasi ka përplasje me lojtarët e kombëtares, pasi në të kaluarën mërinë e teknikut e kanë vuajtur edhe Kaçe, Meha, Rama apo Vangjeli. Por kjo deri më tani është përplasja më e fortë publike e De Biasit me një lojtar të kombëtares.