Sport

Akil Gjakova, i Artë në Lojërat e Frankofonisë

Republika e Kosovës për herë të parë po merr pjesë në Lojërat e Frankofonisë të cilat këtë vit po mbahen në Abixhan të Bregut të Fildishtë, prej 21 deri me 30 korrik.

Në këto Lojëra, Kosova po përfaqësohet nga Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova në xhudo, Vijona Kryeziu, Musa Hajdari dhe Astrit Kryeziu në atletikë, Armend Nimani në fotografi dhe Jeta Kalaveshi në pikturë.

Dje, kampionia Botërore dhe Evropiane, Distria Krasniqi, në këto Lojëra, u shpall e artë, duke shënuar 4 fitore, në gjysmëfinale për kundërshtare pati një marokene dhe në finale u përball kundër garueses nga Mauricius, Legentil Christiane, raporton Koha.net.

Kurse sot, edhe Akil Gjakova u shpall i artë.

“Fitore e shkëlqyeshme e Akilit në finale kundër marokenit Ahmed. Dy të arta, hajde shtetet frankofone që s’na keni njohur shtetin tonë, pak respekt për Kosovën”, ka shkruar trajneri i Xhudos, Driton Kuka në Facebook.

Organizimi i të gjitha procedurave të përfaqësimit të Republikës së Kosovës në këtë ngjarje kulturore dhe sportive është bërë nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Vendimi për themelimin e kësaj ngjarje është marrë në Samitin e dytë të Frankofonisë në Quebec të Kanadasë në vitin 1987.

Lojërat e Frankofonisë - edicioni i parë i mbajtur në Kazablanka në vitin 1989, tashmë organizohen çdo katër vite. Është garë sportive dhe artistike e të rinjve nga moshat 18 deri në 35 vjeçare. Organizohet nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave të Frankofonisë dhe Komiteti kombëtar i Shtetit nikoqir nën patronatin e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë.