Sport

Vettel kryeson në provat e lira në Çmimin e Madh të Bahreinit

Sebastian Vettel ka rezultuar më i shpejti në të dyja sesionet e provave të lira në Abu Dhabi këtë të premte, me Ferrarin që ka shfaqur një shpejtësi mbresëlënëse përpara provave zyrtare dhe garës së Çmimit të Madh të Bahreinit, duke sfiduar bindshëm kështu Mercedesin.

Vettel mposhti pilotin e dytë të Mercedesit, Valtteri Bottas me vetëm 41 të mijëtat në sesonin e dytë të zhvilluar nën ndriçimin e prozhektorëve, ndërsa në sesionin e parë kishte qenë kryesues ndaj Red Bullit të Daniel Ricciardos.

Ricciardo ruajti ecurinë e mirë duke përfunduar i treti në sesionin e dytë, i ndjekur më pas nga Kimi Raikkonen, shoku i skuadrës së Vettelit te Ferrari. Ndërkohë, nënkampioni i botës me Mercedesin, Lewis Hamilton u rendit vetëm i pesti, transmeton TCH.

Ferrari rezultoi tejet i shpejtë, pavarësisht problemeve që kaloi me njëvendëshen e Raikkonenit për shkak të motorit në sesionin e parë. Ndërsa në sesionin e dytë ishte Hamilton, ai që shmangu një përplasje me Nico Hulkenberg, me Renault.

Hamilton dhe Vettel janë me pikë të barabarta në krye të klasifikimit të pilotëve, me nga një fitore secili në dy garat e para. Gjermani Vettel fitoi Çmimin e Madh të Australisë, ndërsa britaniku Hamilton siguroi “pole position”-in dhe triumfoi në garë për Çmimin e Madh të Kinës, fundjavën e kaluar.