Showbiz

“I jemi” rikthen Gresa Behlulin si solo këngëtare

Këngëtarja e njohur Gresa Behluli është rikthyer në stilin e saj, ashtu siç e nisi karrierën muzikore. “I jemi” titullohet kënga më e re, e cila është publikuar me videoklip, ndërsa këngëtarja vjen e vetme në këtë projekt. Detaje nga klipi dhe projekteve të reja, i kuptojmë nëpërmjet një interviste të dhënë nga Gresa Behluli, për emisionin “Express Summer”.

Ka zgjedhur muajin korrik, për t’u rikthyer në skenën muzikore si solo këngëtare, ashtu siç e nisi edhe karrierën. Këngëtarja Gresa Behluli ka pak ditë që ka lansuar këngën më të re me videoklip, të titulluar “I jemi”, një këngë e stilit pop dhe shumë verore, ashtu siç edhe ishin këngët e para të Gresës.

Këngëtarja ka një kohë të gjatë që ka menduar për t’u rikthyer në stilin e saj, ndryshe nga këngët e fundit, të cilat janë në bashkëpunim me nënën e saj, këngëtaren e mirënjohur Shkurte Fejza. Kështu, Gresa është përkujdesur për çdo detaj rreth këtij projekti muzikor.

“I jemi” nuk do të jetë e vetmja këngë nga Gresa Behluli për këtë verë, pasi këngëtarja bëri të ditur për Express Summer, që së shpejti do të publikohet edhe kënga e radhës.

Ashtu si për shumë këngëtarë, edhe për Gresa Behlulin sezoni veror është më i angazhuari, pasi këngëtarja ka kohë që këndon nëpër dasma.

Gresa Behluli tash e një kohë është e fejuar dhe thotë se po e shijon një periudhë të mirë dashurie me të fejuarin. Por, duket se kjo lidhje së shpejti do të kurorëzohet.

Rikthimi si solo këngëtare i Gresa Behlulit, duket se është pritur mirë nga fansat e saj, pasi kënga “I jemi” po pëlqehet dhe ka marrë komente të mira.