PDK: Propaganduesit e VV-së me komunikata fantome po mundohen ta deformojnë të vërtetën Foto: Koha / ilustrim

PDK: Propaganduesit e VV-së me komunikata fantome po mundohen ta deformojnë të vërtetën

08 gusht 2017 22:15

Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Prishtinës, përmes një komunikate për media, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje, përmes komunikatave, siç i ka quajtur kjo parti, “fantome”, po mundohet që ta deformojë të vërtetën, duke iu referuar një komunikate të nënshkruar nga “mësueset e Shkollës Fillore ‘Dardania’ në Prishtinë”.

“Sot në mediat elektronike ka qarkulluar një ‘reagim’ i shkruar në selinë e Vetëvendosjes, në emër të mësuesve të Shkollës Fillore ‘Dardania’ në Prishtinë. Përmes këtij, le ta quajmë ‘reagim’, duke iu referuar shkollës ‘Dardania’, pretendohej të demantoheshin ato që janë thënë në konferencën tonë për punësimet e militantëve të partisë Vetëvendosje nga komunat e tjera, në arsimin fillor dhe të mesëm të Komunës së Prishtinës”, thuhet në reagimin e PDK-së, Dega në Prishtinës.

Kjo Degë e PDK-së thotë se “ky i ashtuquajtur ‘reagim’ vërehej qartë se ishte përgatitur nga ata që s'po dinë më as sesi të sillen politikisht, sepse kanë menduar se allishverishet e tyre politike nuk do i marrin vesh asnjëherë qytetarët e Prishtinës dhe kurrsesi nga punonjësit arsimorë të Shkollës Fillore ‘Dardania’”.

“Si ‘reagim’, ai nuk përmbante as logo zyrtare dhe ishte pa emër e mbiemër, si dhe pa nënshkrime të atyre në emër të të cilëve flitej, prandaj si i tillë nuk ishte asgjë më shumë se një përpjekje e lodhur e propaganduesve të Vetëvendosjes për t’i mjegulluar dëshmitë e skandaleve të qeverisjes së Shpend Ahmetit në Prishtinë”, theksohet më tej në këtë reagim.

Për hir të, siç thotë PDK, “transparencës dhe korrektësisë me publikun, veçanërisht me qytetarët e Prishtinës, ne rikonfirmojmë edhe një herë se u qëndrojmë pas të gjitha atyre që i kemi thënë për punësimet partiake të Vetëvendosjes në shkollat e Prishtinës”.

“Gjithashtu, u qëndrojmë pas edhe atyre që kemi thënë për punësimet nga komunat e tjera në Shkollën Fillore “Dardania” në Prishtinë. Ne rikonfirmojmë se lista jonë është e saktë dhe të apostrofuarit punojnë në këtë shkollë. Për të gjitha këto i ftojmë përfaqësuesit e partisë Vetëvendosje të ballafaqohemi edhe në debate publike, mirëpo të strukur në atë selinë e tyre që e kanë shndërruar në ‘depo ushtarake’, duke mos pasur asnjë kundërargument, nuk ju ka mbetur tjetër pos të plasojnë komunikata të tilla fantome si përpjekje për ta deformuar të vërtetën që tashmë e kanë të qartë tërë qytetarët e Prishtinës”, potencohet më tej në reagimin e PDK-së, Dega e Prishtinës.

“Pra, kjo nuk ishte asgjë më shumë se një përpjekje e modifikuar e tyre për të prodhuar lajme të rrejshme, të cilat Vetëvendosje i ka specialitet”, deklaron PDK e Prishtinës.

Në fund, Dega e PDK-së në Prishtinë thotë se, në bashkëpunim me qytetarët e Prishtinës, mbetet e angazhuar dhe e përkushtuar në denoncimin publik të të gjitha veprimeve të kundërligjshme dhe aferave klienteliste e korruptive në Komunën e Prishtinës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme