A po bëhet ajvari ushqim luksoz

A po bëhet ajvari ushqim luksoz

30 shtator 2017 20:07

Kanë mbetur edhe shumë pakë ditë që qytetarët të mund të bëjnë në kohë përgatitjet e turshive për dimër, e në veçanti bërjen e ushqimit tradicional dimëror – ajvarin.

Tregu i gjelbër në “Bit Pazar” të Shkupit është përplot me speca të kuq, mirëpo sipas tregtarëve – shitja e specave të kuq është shumë i vogël.

Tregtarët ankohen se nga viti në vit po zvogëlohen shitja e specave të kuq, ndërsa qytetarët thonë se çmimi për një kilogram speca të kuq nuk është aq i lartë, por arsyeja se pse ata blejnë më pak sasi të specave të kuq është se nuk kanë buxhet të mjaftueshëm familjar për të blerë sasi më të mëdha specave të kuq.

Zulqufli Qaili nga fshati Paligrad, shitës në tregun më të madh me shumicë në Shkup – Bit Pazarit, thotë se nga viti në vit ulen kërkesat e perimeve për përgatitjen e turshive.

“Në treg ka shumë speca të kuq, ka edhe blerës, por jo dhe shitje. Nëse vite më parë brenda ditës shisja mbi 1000 kile speca, tani ndodhë që brenda ditës më shumë që mund të shesë është 100 kilogramë. Ndonjëherë ndodhë që gjithë ditën të shesë një kuti speca deri më 20 kilogramë”, thotë për gazetën KOHA në Maqedoni, Qaili.

Sipas tij, kërkesat e qytetarëve për blerjen e specave të kuq për përgatitjen e ajvarit nga viti në vit po ulet.

“Për dallim nga viti i kaluar, mendoj se sivjet për 20 për qind më pak kemi shitje të specave të kuq. Çmimi prej 30 denarë për një kilogram speca nuk është arsyeja se pse qytetarët blejnë më pak speca. Në Bit Pazar për të blerë vijnë pensionistë dhe familje që janë me ndihma sociale. E këta nuk kanë para që të blejnë më shumë speca, por blejnë aq sa kanë para. Ndërsa ata që kanë para, nuk vijnë të blejnë në Bit Pazar, por shkojnë në Strumicë dhe blejnë specat e kuq. Siç po shkon shitja kaq e vogël e specave, si duket ajvari po bëhet ushqim luksoz”, thotë Zulqufli Qaili.

Qytetarët të cilën jo në numër të vogël po tentonin të bënin pazar me shitësit që të ulnin çmimin e specave, thonë se në bazë të cilësisë – çmimi prej 30 denarëve nuk është dhe aq i lartë, mirëpo për shkak se tanimë po hyjmë në sezonin e dimrit, ku përveç turshive – nevojiten edhe gjëra të tjera, buxheti i tyre nuk lejon një luks që të marrin sasi më të mëdha të specave, por blejnë aq sa kanë para.

“Ka llogari si jo. Çmimet nuk janë dhe aq të larta, ja specat janë shumë të mirë, sepse 30 denarë për kilogram me këto speca mund të bësh ajvar shumë të mirë. Ai që ka para, ka llogari të blejë më shumë kilogram, e ne që nuk kemi para – nuk kemi llogari të blejmë më shumë kile speca”, tha një qytetar, pasi nuk arriti të merrej vesh me shitësit që të paktën – një kilogram speca t’ia shesë për 28 denarë.

Përndryshe, që të përgatisni të paktën dhjetë kavanoz ajvar, është e nevojshme të blini të paktën 50 kg speca, dhe për këtë duhet të ndahen rreth 1500 denarë. Së bashku me përbërësit e tjerë për përgatitjen e ushqimeve, nevojiten 1700 denarë plus energji elektrike ose dru për përgatitjen e tij, pa e llogaritur fuqinë punëtore.

Nëse në këtë matematikë shtoni edhe përgatitjen e turshive dhe disa ushqimeve të tjera, përafërsisht çdo familje duhet të ndajë të paktën njëqind euro për të përgatitur turshitë e dimrit.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme