Kosovari që jeton me ujkun Trump Foto: Reuters

Kosovari që jeton me ujkun Trump

29 janar 2018 17:43

Kur Hysni Rexha nga Kosova përfundimisht e realizoi ëndrrën e tij dhe mori katër ujq nga mali për t’i ushqyer e për t’i rritur, ai nuk pati asnjë dyshim se si do ta quante njërin prej tyre.

Atë e quan Trump.

“Kam disa ujq por ky ka shumë energji në gjithçka dhe është shumë i mençur”, ka thënë Rexha për Reuters, që pëlqen të quhet veterinar holistik, transmeton Koha.net.

Rexha, që i fut duart e tij në gojët e ujqve, e quan veten e tij si Ujku Alfa dhe Trumpin e ka zëvendës.

“E admiroj (Presidentin) Trump, ka shumë energji, jep urdhra, është i guximshëm, dhe për këtë arsye e kam emëruar ujkun tim sepse i bën të njëjtat gjëra. Ai nuk bën çfarë bëjnë të tjerët; e ka stilin e tij dhe e bën misionin e tij”.

Ai ka edhe pula të ndryshme, pëllumba, kuaj, lopë, një shqiponjë dhe pallonj.

Në një anketë nga “Gallup International” këtë muaj për atë se si e vlerësojnë performancën e zyrtarëve të qeverisë amerikane, Kosova është renditur e pesta në botë me 75 për qind të kosovarëve që aprovojnë administratën e Donald Trumpit.

Washingtoni, shkruan Reuters, është aleati më i fuqishëm politik dhe ekonomik.

Ky medium shkruan se shumë kosovarë u kanë vënë emra fëmijëve të tyre Klinton për të treguar respektin që kanë ndaj presidentit Bill Clinton, i cili luajti rol kyç në intervenimin e NATO-s më 1999 kundër Serbisë.

Clinton është po ashtu emri i një bulevardi në Prishtinë ndërsa një tjetër quhet George W Bush.

“SHBA-ja ka qenë përkrahësi më i madh gjatë luftës. Nuk kisha mënyrë tjetër të falënderoja SHBA-në përveçse të quaja një prej ujqve të mi Trump. E shoh Trumpin si ujk dhe ujkun tim si Trump”, theksoi Rexha.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme