Kulturë

Kundër privatizimit të kinemasë “Jusuf Gërvalla”

Gjashtë mijë e 56 nënshkrime janë mbledhur nga peticioni i cili kundërshton vendimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila Kinemanë “Jusuf Gërvalla” e ka futur në proces të likuidimit.

Ndërkohë, edhe 70 organizata kanë dal në mbështetje të “Anibarit” që po kërkon rivitalizimin e kësaj kinemaje dhe kthimin në një qendër kulturore që do të ofrojë aktivitete të shumta kulturore për të gjithë.

Përfaqësues nga “Anibar” janë shprehur të kënaqur me këtë mbështetje të qytetarëve të Pejës, organizatave dhe shoqërisë civile, dhe kjo sipas tyre duhet të merret parasysh. Këto nënshkrime do t’i drejtohen Kuvendit Komunal të Pejës dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Vullnet Sanaj dhe Ejona Prelvukaj shtuan se nëse është e nevojshme do të organizojnë edhe një tjetër peticion për të marrë edhe më shumë nënshkrime dhe për t’ju drejtuar edhe Kuvendit të Kosovës, meqë në këtë rast peticioni duhet të ketë më shumë nënshkrime.

Ata u shprehën se kjo hapësirë duhet të mbetet gjallë dhe të jetë aktive. Sipas tyre, nuk bënë të humbet assesi një objekt kaq i rëndësishëm.

Përfaqësues nga “Anibar” janë të vendosur për t’i shkuar deri në fund kërkesave të tyre dhe shpresojnë që të gjejnë mbështetjen e duhur.

Në këtë kinema zakonisht organizohet edhe Festivali i Filmit të Animuar “Anibar”. E nëse ky problem do të rrezikonte mbajtjen e edicionit të tetë aty, sipas organizatorëve, kjo do të sillte pasoja për vet festivalin.