Zhdukja e Tjetrit nga harta meteorologjike

Zhdukja e Tjetrit nga harta meteorologjike

24 nëntor 2017 20:21

Me një anglishte të ushtruar nga sitcom-i komiko-romantik “Friends”, i cili filloi të shfaqej në Amerikë një vit para përfundimit të luftës në Bosnjë, ajo tha: Në një mënyrë a në një tjetër unë nuk ndihem serbe, por jugosllave, edhe pse Jugosllavia nuk ekziston më.

Më kupton my friend?, shtoi ajo, duke më vështruar në sy. Dhe e di ti se cila është fjala më e bukur jugosllave? Dušo! Duu-šš-oooooo! Të gjitha kombet që dolën pas shthurjes së Jugosllavisë e kanë këtë fjalë. Duu-šš-ooo! Kjo fjalë na mban ende bashkë, edhe pse ne nuk jemi më të bashkuar. Duu-šš-ooo shpreh gjithçka! Duu-šš-ooo hap gjithë portat! E kupton pse unë ndihem jugosllave? Have a nice flight back home, Dušo, my friend, prijatelju moj. Prit një çast. E keni ju fjalën Dušo në shqip? Jo? Pse jo? Ka keq? Po si ia bëni pa Dušo? Mirë! Laku noć my Albanian friend!

Kjo ishte biseda e fundme që u krye në hollin e hotelit me një poete serbe, me të cilën kishim qenë të ftuar në të njëjtin festival poetik. Duu-šš-ooo! Me të hyrë në dhomë fillova të kërkoj në Google. Çfarë kuptimi kishte fjala Dušo? Kisha shkruar vetëm Duš.., kur Google sugjeroi: Do you mean Dušan? Stefan Dušan the Mighty? Jo!

Nuk po kërkoja asgjë mbi Stefan Dušan Ngadhënjyesin, nën sundimin e të cilit Serbia njohu kulmin e zgjerimit territorial, politik e kulturor, për të cilin kisha dëgjuar se ndërroi jetë në Devollin shqiptar, si pasardhës i Stefan Dečanski-t, emri i të cilit përmendet sa herë klikon mbiemrin Manastiri i Deçanit në Kosovë. Doja të gjeja vetëm kuptimin e asaj Dušo që, sipas mikes sime, ishte fjala-kod, që i mbante ende të bashkuar kombet që u formuan pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

Shkrova edhe një herë vetëm Duš..., kur Google më sugjeroi sërish: Do you mean Dušman? Sakaq u shfaqën, sikurse dhe pritej, se kjo fjalë ishte huazimi prej turqishtes otomane –Düşmen – dhe ruante të njëjtën domethënie për serbët, kroatët dhe shqiptarët. Edhe pse të gjithë ne kishim më shumë sesa një shekull të pavarësuar prej Turqisë, turqishtja vazhdonte të na mbante sërish bashkë, si peri tespihet, përmes fjalës Dušman. Tell me, do you have any Dušo in Albanian, dušo, my friend, prijatelju moj?

Që të mos dremisja dhe të humbja avionin, kërkova në YouTube për ndonjë Dusho në shqip. Kjo derisa dëgjova zërin e këngëtarit shkodran Shyqyri Alushi: Shyqyr Dusho’ që t' kam kojshie / Kur t'mërzitem, o vij e rrije. Kisha ndjesinë se përmes kësaj fjale prekja me gjuhë rrënjët e thyera të dy koncepteve që mbanin në gatishmëri. Me vra dhe me dasht. Dušman – Armik. Duša – Shpirt.

Fillova të ndërroj stacionet e televizorit, derisa të vinte ora e nisjes drejt aeroportit. No 1: BHT 1–Sarajevo. No. 2. RTRS TV (Televizija Republike Srpske). No. 3: Vojvodina–ВЕСТИ Novi Sad. Ljubjana…Podgorica - Dnevnik Crne Gore… Zagreb. Beograd.

Emisione gatimi pas mesnate, receta dietike ca të kushtueshme për njerëzit e rajonit më të varfër evropian. Gatime pa qepë dhe pa hudhër. Në Ballkan, edhe pse dashurohen më pak, njerëzit vazhdojnë të puthen gjithmonë e më shumë Ala European. Dokumentarë mbi varret masive të luftërave ndëretnike. Reklama sahatësh me zinxhirë të artë. Porno me pullën +18. Lajme. Lajme. Por unë nuk po gjeja stacionin që transmetonte atë që kërkoja: PARASHIKIMIN E MOTIT NË EKRAN!

Mundej që, për shkak të reshjeve të paparashikuara të anuloheshin fluturimet? Do të bllokoheshin rrugët nga bora? Do kishte bllokime në kufi?

Në vend të motit, në ekran u shfaq një valle e kënduar. E kisha dëgjuar vite më parë, teksa udhëtoja me autobus nga Shkodra drejt Malit të Zi. E gëzueshme, me ritmin e përbashkët 7/8, të cilin e ndesh kudo nëpër Ballkan. Por ballkanasit nuk bëjnë më luftë për ritme dhe temp muzikor. Luftojnë për komandën në rajon. Kënga vazhdonte:“Ajde Jano, 'ajde dušo, kolo da igramo. Ajde Jano, 'ajde dušo, kolo da igramo! Ajde Jano, 'ajde dušo, konja da prodamo! 'Ajde Jano, 'ajde dušo, kuću da prodamo! Da prodamo, Jano dušo, samo da igramo!” (Hajde Jano, hajde shpirt, kërcejmë rrotull dorë për dore! Hajde Jano, hajde shpirt, le ta shesim kalin! Hajde Jano, hajde shpirt ta shesim shtëpinë! Hajde Jano, hajde shpirt, veç të mos e lëmë pa kërcyer vallen).

Pa ndonjë nostalgji, po mendoja se sa larg ishim nga ajo kohë kur njerëzit bënin marrëzi nga malli për të dashurën dhe që, pa një pa dy, rrëmbenin jo armën, por sharrën, për të sharruar selvinë, që e pengonte të shihte çdo ditë fqinjën e bukur në shtëpinë matanë, si në këngën e jugut shqiptar: “Do marr sharrën-ooo / Do sharroj selvin-eee / Thëllënxë, moj /Gush e bardhë, moj / Pse s'mëflet o me goj’ eee - oi oi. / Do sharroj selvinë, moooj / Ty të t'bej sehirë / Te t'bej sehirë moooj / Kur mbledh trëndafilë / Kur mbledh trëndafilë, moooj / O për dashurinë.”

Por dashnorët serbë nuk e shitën asnjëherë kalin. Nuk e shitën as shtëpinë, siç thuhet në këngë. Edhe dashnori shqiptar nuk e mori sharrën për ta prerë selvinë, që e pengoi të shohë fqinjën e bukur. Askush nuk çmendet më për dashurinë. Çmendemi për urrejtjen. Nga shpikës të hedonizmit dhe të komedisë, Ballkani është shndërruar në placentë që ushqen dhe mban fetusin e armiqësisë dhe humorit të zi.

Kur kishte filluar armiqësia, që thuhej se kishte rrënjë shekullore? Për çudi, mikja ime dhe unë nuk ishim grindur për Eposin! Kishim pirë ca raki ftoi, por unë nuk e kisha kaluar vijën e kuqe për t’i kujtuar asaj se heroi i eposit Marko Kraljević, (ai që, për llogari të Sulltanit, me ndihmën e Zanës dhe me thikën e fshehur në brez, vrau Gjeto Basho Mujin - shqiptarin me tri zemra a me tre gjarpërinj në gjoks) siç e gjejmë në eposin e Vuk Stefanović Karadžić-it, në të cilin ndodhet edhe vargu pendestar: “Zot i mëshirshëm! Paskam vrarë një më të mirë se vetja”. As ajo nuk kujtoi të shoqen e Mark Kralević-it, së cilës edhe pse kaq vjet e martuar, Krajli nuk i kishte sjellë “ndoj shqyptar të ri gjallë me ma kishe pru / e dadicë na fëmive do t’ja bajshim.”

Për fat, diku në agim, njëri prej ekraneve shfaqi rubrikën e parashikimit të motit. PTC. Radio - Televizioni i Serbisë. Dnevnik. Thënë shkurt – Beogradi.

Një burrë mbi të pesëdhjetat, me tipare të ngrira, veshur me kostum të errët dhe me pamjen e pakënaqur të atyre që jeta i shtrëngon të ndërrojnë profesion në moshë të shkuar, parashikonte motin. Nuk më duhej gjuha. Mjaftonin disa shenja simbole dhe harta e rajonit. Me gjithë lodhjen në fytyrë, parashikuesi i motit tregohej fuqiplotë, thua se kishte nën kontroll shirat, llohën, borën, shkreptimat, shtrëngatat mbi det dhe erërat e çmendura që pritej të frynin mbi rajonin tonë.

Nën mëngën e xhaketës së tij, shtetet që u ndanë me luftë nga harta federative, duke lënë pas viktima e varre, dukej sikur ribashkoheshin nën të njëjtën hartë klimatike. Ishin sërish së bashku. Në ekran rithemelohej Federata Meteorologjike e Jugosllavisë.

Si mbaroi punë me diellin, vranësirat dhe reshjet, njeriu i motit filloi parashikimin për temperaturat “në rajone më gjerë”. Beogradi 20 gradë celsius. Podgorica 21. Athina 24. Sofia 18. Bukureshti 20. Ankaraja 23 gradë. Budapesti 19. Shikim të këndshëm! Hvala… i laku noć!

Mbeta një çast. Psetë e mungesës së Prishtinës në hartën e reshjeve arrija ta merrja disi me mend. Kosova për parashikuesin e motit ishte ende Serbi, pasi emisioni nuk po transmetohej në një kanal televiziv dosido, por në televizionin publik. Ndaj edhe lajmet mbi vendin, botën dhe rajonin, përfshirë këtu edhe motin, duhet të ishin sinkron me klimën politike. E kuptueshme pra, pse Kosova nuk mund të ishte shtet i pavarur, madje as klimatikisht. Ajo ishte ende një provincë autonome edhe në hartën e reshjeve. Edhe meteorologjikisht Kosova duhej të mbetej e varur prej klimës së Serbisë. Kosova nuk duhet të ishte pjesë as e meteohartës e jo më pjesë e shteteve të pavarur të botës. Fundja pse duhet të ndaheshin në qiell ata që kishin qenë dhe do të jenë përjetësisht bashkë në tokën e shenjtë?! Reja e dielli që mbulon Serbinë mjaftonte për të mbuluar edhe Kosovën!

Pas këtij vëzhgimi, ku një shtet i pavarur qe zhdukur nga harta meteorologjike, fillova të vërej nëse edhe Tirana, me një milion banorët e saj ishte pjesë e kësaj logjike. E vërteta duhet thënë. Mënga e njeriut të motit kaloi, por nuk u ndal mbi Tiranë. Edhe Tirana qe zhdukur nga harta e treguesve atmosferikë të kontinentit evropian. Një hartë sinoptike e pastër. Pa shqiptarë. Edhe pse pretendohej se me Serbinë nuk ishim më si në vargjet e Fishtës, n’mëni t’sho’shoqit kemi le / kemë ndërmjet nji qiellë e’i dhe!…, në meteohartën e atij televizioni nuk kishte vend për Tiranën.

Ishin ditët kur kryeministrat e të dyja vendeve tona, pa dëshirë të shprehur në fytyrat cinike, në takimet me praninë dhe me yshtjen e ndërkombëtarëve, nën sfonde me yjet të BE-së shtrëngonin duart dhe ndërkohë që bënin gjeste me kufjet e përkthimit dhe hidhnin batutat e shfryra, flitnin për një klimë të re, për gjuhë të ndryshme komunikimi mes fqinjëve, për kapërcimin e armiqësimit dhe për normalizim të marrëdhënieve.

Por nisur nga ky fakt simbolik dhe duke e ditur se përjashtimi i tjetrit ka qenë dhe mbetet çorba e helmët, me të cilin jemi mëkuar të gjithë, pas kthimit në Tiranë kërkova të shoh edhe anën tjetër të medaljes.

Si paraqitej harta klimaterike në këndvështrimin shqiptar? Po ne, viktimat e shovinizmit të fqinjëve, ne që trumbetojmë deri në kult tolerancën, mikpritjen, faktorin e stabilitetit në rajon dhe politikën e fqinjësisë së mirë, si i trajtonim fqinjët në rubrikën e parashikimit të motit, që shfaqet dendur në ekranet tona të shumta kombëtare? A zhdukej edhe te ne tjetri nga hartat e motit, sikur kjo të mos ishte thjesht një parashikim moti, por pjesë e një strategjie spastrimi, zhbërjeje dhe shpërfilljeje etnike? A gjendeshin edhe tek ne rastet të nacionalizmit dhe shovinizmit, shfaqur në formatin meteorologjik?

Po. Pjesë e kësaj klime shpërfillëse ishin edhe stacionet televizive shqiptare. As ato nuk bënin përjashtim nga rregulli. Harta ballkanike në asnjë rast nuk ishte e plotë. Në hartën e stacioneve që transmetonin rubrikën e parashikimit të motit mungonte herë Beogradi, herë Athina, ndërkohë që Shkupi dhe Podgorica anashkaloheshin.

Prej këtej, e shtriva kërkimin edhe në satelit. Thuajse të gjitha stacionet televizive të shteteve ballkanike, veçanërisht të shteteve që kanë probleme dhe çështje të pazgjidhura kufijsh, çështje minoritetesh dhe pakicash kombëtare te fqinjët, përdornin këtë mënyrë për ta zhdukur dhe për ta bërë të paqenë tjetrin.

Kjo duhet të jetë mënyra ballkanike e asgjësimit me gjak të ftohtë. Mospërmendje e emrit. Fshirje. Zhdukje. Harrim të ekzistencës dhe emrit të fqinjit problematik. Shfarosje pa ndihmën e librave, elaborateve, programeve politike “shkencore” me bazë gjenocidale, fshehur në pesë minuta shpërfillje të përditshme, mëkuar si qumështi i zi i Paul Celan-it për çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje në ekranet televizive, ekspozuar para syve të të gjithëve, të moshuar, të rinj edhe fëmijë. Jo të gatshëm dhe të pavëmendshëm për shenja formale e simbolika të vogla, zor se bëhet e besueshme ekzistenca reale e vullneteve të gjera dhe më të plota.

Pamja e fundit që më erdhi ndër sy para se të ngrihesha për të përgatitur çantën për fluturim, ishte një foto e hershme, në të cilën dy njerëz krejt të panjohur, por të ngjashëm me prindërit e mi, për t’u mbrojtur disi nga dielli përvëlues i plazheve ranorë të Adriatikut, rrinin strukur jo nën një çadër, por nën një tabelë llamarine mbi të cilën, me shkronja kapitale ishte shkruar pa pikë dhe pa presje, por me ngjyra kombëtare kuq e zi, parulla që duhet të na mbronte nga rrezatimet e televizioneve italiane dhe jugosllave të asaj kohe: “QËLLIMI I TELEVIZIONIT BORGJEZO–REVIZIONIST ËSHTË T’I DEGJENEROJË MASAT”.

Arian Leka, poet, eseist dhe përkthyes i njohur shqiptar nga Durrësi, është themelues i revistës së njohur dhe klubit kulturor “Poeteka” nga Tirana. Është autor i 15 librave, mes të cilëve dhe “Ndreqje gabimesh“ (2010), “Gjarpri i Shtëpisë“ (2002), “Dora e majtë“ (2015), “Shpina e burrit“ (2004), e të tjera. Ky shkrim është shkruar në kuadër të projektit “Tejkalimi i armiqësisë: ndërrimi i perceptimeve serbo-shqiptare”, i përkrahur nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë dhe nga projekti PERFORM që përkrah zhvillimin e shkencave shoqërore në Ballkanin Perëndimor, realizohet nga qendra “Multimedia” nga Prishtina në bashkëpunim me Institutin për Filozofi dhe Teori Shoqërore nga Beogradi

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme