Kulturë

Na ndiqni: Takimet e grave të Serbisë dhe të Kosovës

Takimet e para të grave të Serbisë dhe Kosovës kanë nisur me hezitime dhe në mënyrë sporadike para pesë vjetësh. Takimet së pari janë organizuar jashtë Serbisë dhe Kosovës, me ndihmën e misionit të OSBE-së. Sot këto takime janë shumë të shpeshta dhe më të drejtpërdrejta, dhe çdo herë e më shpesh i përfshijnë edhe vizitat e ndërsjella në Beograd dhe Prishtinë. Bisedat e tyre janë të motivuara nga qëndrimi se Qeveritë mund të arrijnë marrëveshje paqësore, por që paqja në esencë varet nga ata për të cilët ato marrëveshje edhe arrihen.

“Qeveritë mund të arrijnë marrëveshje të negociuara, çfarëdo që të doni... por vetëm njerëzit aty ku jetojnë vërtet mund ta bëjnë paqen (Gordana Çomiq).

Në këto biseda marrin pjesë deputetet, gazetaret, përfaqësueset e organizatave të shoqërisë civile dhe profesoreshat universitare. Takimi i parë i grave me ndikim nga Serbia dhe Kosova ndodhi në janar të vitit 2012, në Budvë, dhe për këtë arsye kjo iniciativë e mori emrin procesi i Budvës. Më pas ai emërtim u ndryshua në “Na ndiqni”, sipas filmit me të njëjtin emër që u xhirua ashtu që publiku i gjerë të njoftohet me këto takime dhe rezultatet e tyre. Filmi dokumenton takimet e tyre, përshtypjet e para dhe pritjet e pjesëmarrëseve. Gratë në film flasin për atë që i ka motivuar të nisin një dialog të ndërsjellë, dhe pse këtë iniciativë e konsiderojnë të rëndësishme. Emërtimi i filmit, të cilin e morën edhe këto takime, bartë një porosi të rëndësishme dhe paraqet një prej misioneve kryesore të grave që marrin pjesë në këto bisedime.

Përmes aktivitetit të përparimit të paqes, pajtimit dhe tolerancës, këto gra synojnë të bëhen shembull për pjesëtarët e tjerë të bashkësive të veta, e para së gjithash për gjeneratat e reja. Qëllimi më i rëndësishëm është vendosja e komunikimit të drejtpërdrejtë, dhe ndërtimi i besimit mes grave me ndikim nga Serbia dhe Kosova. Përmes kësaj iniciative, shumë pjesëmarrëse kanë zhvilluar kontaktet personale dhe profesionale që u mundëson atyre shkëmbimin e përvojave dhe njohurive, si dhe zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta jashtë takimeve formale në kuadër të iniciativës. Takimet e tyre janë të fokusuara para së gjithash në përmirësimin e pozitës dhe të drejtave të grave në ekonomi, politikë, arsim, media dhe jetën publike.

Jo viktima, por pjesëmarrëse aktive në procesin e ndërtimit të paqes dhe pajtimit

Këto takime bartin dy mesazhe të fuqishme. Së pari, gratë e Serbisë dhe të Kosovës nuk pranojnë që të trajtohen ekskluzivisht si viktima, por si pjesëmarrëse aktive, të interesuara dhe të afta në procesin e ndërtimit të paqes dhe pajtimit. Krimet e kryera ndaj grave dhe fëmijëve gjatë luftës, sikur edhe pasojat e tmerrshme sociale dhe ekonomike të luftës tek gratë në negociata, shpeshherë po shfrytëzohen si argumente kundër palës tjetër, derisa të njëjtit akterë pas ndërprerjes së konfliktit edhe më tej i margjinalizojnë dhe përjashtojnë gratë. Çështja e të drejtave dhe e pozitës së grave në shoqëri rrallëherë është pjesë e agjendës së marrëveshjeve paqësore dhe proceseve të pajtimit. Meqë meshkujt dominojnë në këto procese, perspektivat dhe mendimet e grave rrallëherë dëgjohen, ndërsa edhe më rrallë merren parasysh gjatë marrjes së vendimeve (Pankhurst, D. (2003). The 'sex war' and other wars: Towards a feminist approach to peace building. Development in Practice 13(2-3) 154-177).

Madje edhe kur janë të përfshira, nga gratë pritet që të ndjekin mënyrën e mendimit të meshkujve dhe të respektojnë vendimet e liderëve të tyre partiakë, në vend se të kandidojnë tema që ato i konsiderojnë të rëndësishme. Gratë që janë përfshirë ne iniciativën “Na ndiqni” konsiderojnë se përfshirja e grave është kyç për suksesin e çfarëdo procesi të ndërtimit të paqes. Nëse gjysma e popullatës është e përjashtuar, është e pamundur të pritet një pajtim qenësor dhe normalizim i marrëdhënieve.

E dyta, takimet në kuadër të kësaj iniciative dëshmojnë jo vetëm për rëndësinë e përfshirjes së grave, por edhe për atë se sa kontribuojnë kontaktet dhe komunikimet e drejtpërdrejta në reduktimin e distancës ndëretnike dhe mirëkuptimin më të madh. Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Teuta Sahatçija, thekson se qysh në fillim kishte “takime gjysmë-ilegale” nga frika se si do të pranohen këto takime. Prej vitit 2012 deri më 2015 takimet e tyre kryesisht janë zhvilluar larg syrit të publikut. Heshtja për këto takime flet për thellësinë e hendekut mes serbëve dhe shqiptarëve, frika nga reagimet e publikut, por edhe guximi i këtyre grave që përkundër kushteve të tilla dhe moskuptimin e madh të nisin bisedimet. Dyshimet, parehatia, pasiguria janë fjalët me të cilat pjesëmarrëset më së shpeshti e përshkruajnë takimin e parë: “Kur për herë të parë u takuam, ishim dyshuese, nuk dinim çka të presim. Por e kuptuam që ky proces është i rëndësishëm, dhe se duhet të vazhdojmë ta drejtojmë në çështjet që kanë të bëjnë me të gjithë ne, çështje që janë vërtet të rëndësishme dhe që na lidhin” (Blerta Deliu-Kodra).

Përvoja e tyre qysh pas ditës së parë, megjithatë, flet për rëndësinë e këtyre takimeve dhe ndikimin pozitiv të bisedave të hapura.

Deputetja në Kuvendin e Serbisë, Dubravka Filipovski, thekson se përmes kësaj iniciative “ka arritur të tejkalojë parehatinë fillestare dhe të insistojë në dëshirën e saj që dialogu mes grave të vazhdohet”. Edhe hulumtimet e mëparshme në të cilat kanë marrë pjesë serbët dhe shqiptarët e Kosovës konfirmojnë se kontaktet e drejtpërdrejta dhe njohja e pjesëtarëve të grupit tjetër etnik shumë më tepër kontribuojnë në reduktimin e distancës ndëretnike, sesa faktorët tjerë siç janë, arsimimi apo statusi ekonomik.

Për dallim nga negociatat zyrtare të dy Qeverive, të cilat në masë të madhe janë të kthyera nga e kaluara, çelësi i suksesit të këtyre bisedave është në kthimin nga e ardhmja e përbashkët: “Ne jemi takuar vullnetarisht për të vërtetuar, testuar dhe parë nëse mund të bisedojmë. Kemi pasur mundësi të zgjedhim nëse duam të vazhdojmë me interpretimet sikur ato 'kush kujt i ka bërë gjëra të tmerrshme, kur dhe pse', apo të tentojmë që të bisedojmë rreth asaj se çfarë jete do të kenë fëmijët dhe nipërit tanë në dekadat para nesh, dhe të përpiqemi të shmangim që kjo të jetë e njëjtë si e jona” (Gordana Çomiq).

Për këtë arsye në takimet e tyre ato fokusohen në pikat që i bashkojnë, jo ato që i ndajnë: “Gjatë takimit të parë ka pasur më shumë shikime sesa biseda, të gjitha në kokë i kishim pamjet e dhunës, pamjet e historisë sonë të afërt, pamjet e politikave të këqija për shkak të të cilave të dy shtetet kanë vuajtur. Por, në fund të ditës së parë e kuptuam se kemi probleme reale në familje, dhe shoqëri dhe se ato probleme i ndajmë. Takimi i dytë nisi krejt ndryshe. Filluam të bisedojmë shumë më hapur, derisa në takimin e tretë u morëm vesh për agjendën e bashkëpunimit në nivel më të lartë” (Teuta Sahatqia).

Siç thekson, ish-deputetja e Kuvendit kosovar, Sahatqia, dialogu u bë i mundur dhe i dobishëm për të dy palët, kur ato e kuptuan se i bashkojnë problemet e njëjta që kanë, siç janë pjesëmarrja e pamjaftueshme e grave në politikë, margjinalizimi i pozitës së tyre në partitë politike, diskriminimi i grave në ekonomi dhe media. Madje edhe kur formalisht kanë të drejta, ato të drejta nuk realizohen. Matrica e njëjtë kulturologjike dhe kushtet e ngjashme të jetesës së grave i japin kuptim dialogut të ndërsjellë, dhe luftës së përbashkët për të drejtat e tyre.

Pas jorehatisë fillestare dhe takimeve jashtë syrit të publikut, takimet e tyre tani janë shndërruar në iniciativa konkrete siç është nxitja e ndërmarrësisë së grave dhe organizimi i Akademisë së të rinjve. Akademia e të rinjve organizohet rregullisht nën patronazhin e iniciativës “Na ndiqni” që nga viti 2015. Ajo tubon gra të reja nga shoqëria e Serbisë dhe ajo e Kosovës, me qëllimin e shkëmbimit të përvojave dhe bisedimit të temave të dialogut ndëretnik dhe pajtimit. Përmes kësaj shkolle, anëtarët e iniciativës “Na ndiqni” i bartin përvojat e veta dhe misionin tek gjeneratat më të reja, ashtu që dialogu të zgjerohet edhe jashtë këtij rrjeti, dhe që të dyja shoqëritë të afrohen edhe më shumë.

Dimensioni politik i takimeve: solidariteti dhe konstruktiviteti

Me rëndësi është të theksohet se deputetet dhe gratë e tjera me ndikim nga Serbia dhe Kosova, me përkrahjen e OSBE-së, kanë nisur një proces të bisedimeve të ndërsjella edhe para se të nisin negociatat zyrtare mes dy Qeverive, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve. Megjithatë, edhe përkundër të gjitha sukseseve që bisedimet e tilla sjellin për të ardhmen e marrëdhënieve ndëretnike në rajon, zëri i tyre rrallëherë dëgjohet si në negociatat ndërkombëtare rreth së ardhmes së Kosovës, ashtu edhe në bisedimet zyrtare mes dy Qeverive. Një anëtare e Rrjetit të organizatave kosovare të grave nga fshati thotë: “ne gratë kurrë deri tash nuk kemi qenë kaq të margjinalizuara sa jemi nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Kurrë nuk jemi ndierë kaq të refuzuara si tani”.

I tërë procesi i bisedimeve në Bruksel është përshkruar nga mungesa e transparencës, gjë që u mundëson politikanëve që me interpretimet e tyre të marrëdhënieve serbo-shqiptare dhe negociatave të ndërsjella të formësojnë qëndrimet e publikut. Deri sa, nga njëra anë, këto bisedime në masë të madhe kontribuojnë për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, nga ana tjetër, përjashtimi i grave, pakicave, organizatave të shoqërisë civile, medias dhe akterëve të tjerë të interesuar nga i gjithë procesi e reduktojnë legjitimitetin e këtyre negociatave dhe mundësinë që interesat dhe perspektivat e ndryshme të merren parasysh.

Zhvillimi i takimeve në kuadër të iniciativës “Na ndiqni” në margjina, në vend se të jetë në qendrën e vendimmarrjes politike edhe më shumë e konfirmon pozitën e margjinalizuar të grave në të dy shoqëritë. Është mendim i përhapur që gratë janë më të gatshme për kompromise se sa burrat, më shumë të orientuara nga jodhuna dhe kujdesi për tërësinë, por se nuk janë të afta që të marrin vendime qenësore politike. Atyre për këtë arsye u është dhënë hapësira të bisedojnë, por jo edhe të vendosin. Ato mund të bisedojnë për ato që janë tema “të grave”, por jo edhe të marrin vendime që kanë të bëjnë me gjithë shoqërinë. Me gjithë hapjen, për të cilën angazhohen, ato vetë e theksojnë se ka tema për të cilat nuk mund të bisedojnë, e ato kryesisht kanë të bëjnë me politikat zyrtare të partive dhe Qeverive prej të cilave vijnë pjesëmarrëset (Valdete Idrizi). Krahas asaj që nuk u është lejuar të dalin jashtë kornizave të politikës zyrtare të partive dhe Qeverive të veta, ngjarjet e përditshme politike sikur që janë zgjedhjet në Kosovë dhe Serbi apo negociatat në Bruksel ndikojnë dhe përcaktojnë edhe dinamikën e takimeve të tyre.

Megjithatë, takimet e tyre kanë dimensionin politik, edhe pse nuk arrijnë marrëveshje formale dhe nuk bisedojnë për temat e politikës ditore: “Jemi këtu sepse besojmë që mund t'i ndryshojmë gjërat. Prania jonë tregon se e ardhmja mund të jetë ndryshe, më e mirë dhe e jona” (Jeta Krasniqi, Instituti Demokratik i Kosovës). Ato dërgojnë një mesazh të paqes dhe pajtimit, dhe besojnë se ndryshimi i narracionit është i mundur (Kathrin Gabriel). Fuqizimi ekonomik i grave, shkëmbimi i profesorëve dhe studentëve të universitetit të Beogradit dhe atij të Prishtinës, dhe iniciativat e ngjashme që këto gra kanë nisur mund të kontribuojnë shumë në ndërtimin e besimit dhe të ndikojnë në jetën e përditshme, dhe qëndrimet e qytetarëve. Së fundi, kjo iniciativë imponohet edhe si kritikë dhe alternativë e mënyrës mashkullore të marrjes së vendimeve, dhe ofron një model tjetër të udhëheqjes së politikës: “Fjala e parë që më bie ndërmend kur flasim për ndryshimet që gratë i sjellin në politikë është konstruktiviteti për shkak se në Serbi edhe më tej kalon vetëm ajo mënyra mashkullore e mendimit dhe sjelljes” (Marija Obradoviq). Për këtë, gratë e Serbisë dhe Kosovës ofrojnë politikën që bazohet në solidaritet në vend të mosdurimit dhe biseda të ndërsjella në vend të mbajtjes së fjalimeve.

Jelena Lonçar është asistente në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd. Doktoratën nga sfera e shkencave politike e ka mbrojtur në Universitetin në York. Merret me marrëdhëniet etnike, pakicat dhe përfaqësimin e tyre politik. Ky shkrim është shkruar në kuadër të projektit “Tejkalimi i Armiqësisë: ndërrimi i perceptimeve serbo-shqiptare”, i realizuar nga Qendra “Multimedia” nga Prishtina në bashkëpunim me Institutin për filozofi dhe teori shoqërore nga Beogradi, me përkrahjen e Ambasadës së Zvicrës në Kosovë, dhe nga Iniciativa PERFORM për përkrahje të shkencave shoqërore në Ballkanin Perëndimor.

Fotolegjenda: Takimi i parë i grave me ndikim nga Serbia dhe Kosova ndodhi në janar të vitit 2012, në Budvë, dhe për këtë arsye kjo iniciativë e mori emrin procesi i Budvës. Më pas ai emërtim u ndryshua në “Na ndiqni”, sipas filmit me të njëjtin emër, që u xhirua ashtu që publiku i gjerë të njoftohet me këto takime dhe rezultatet e tyre