Një shqiptar e gjashtë grekë të arrestuar për trafik droge

Një shqiptar e gjashtë grekë të arrestuar për trafik droge

05 tetor 2017 22:03

Antidroga e Athinës ka shkatërruar një organizatë të trafikut të lëndëve narkotike.

Drejtoria e Policisë së Atikës njoftoi se ka vënë në pranga 7 persona, prej të cilëve 6 grekë të moshave 25 deri në 55 vjeç, si dhe një shtetas shqiptar 46 vjeç, ndërsa në kërkim është shpallur edhe një tjetër shtetas shqiptar, i cili rezulton se ndodhet në Shqipëri.

Operacioni filloi në Nea Erithrea të Athinës, në kohën që një prej anëtarëve të organizatës po ngarkonte në një kamion një sasi droge.

Në vazhdim, policia mundi të arrestojë edhe anëtarët e tjerë të organizatës, ndërsa shtetasi shqiptar, i cili ishte edhe furnitori i bandës me kanabis, u arrestua në pikën kufitare të Kakavijës në momentin që tentoi të largohej drejt Shqipërisë.

Prej kontrolleve të kryera në banesat dhe magazinat e të implikuarve në këtë organizatë u gjetën dhe sekuestruan sasia prej 370 kg kanabis sativa, shuma prej 191 mijë eurosh “cash”, 1.420 dollarë amerikanë, një autoveturë taksi, që përdorej për shpërndarjen e lëndës narkotike, një kamion frigoriferik që përdorej për dërgimin e lëndës narkotike nga kufiri shqiptar drejt Athinës, një motor, 3 peshore elektronike, një armë dhe fishekë.

Sipas policisë greke, organizata kishte përfituar afro 700 mijë euro nga trafikimi i lëndës narkotike, kryesisht në zonën e Athinës, në ishujt Rodos dhe Kos, si dhe në periferi të kryeqytetit grek Athinë. Të arrestuarit u dërguan mbrëmjen e së enjtes në gjykatë, ku dhe kërkuan afat dyditor për t’u njohur me akuzat ndaj tyre.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme