Arbëri

Kaçanikasit dhe opozita të pakënaqur me punën e kryetarit

Pavarësisht historisë me të cilën njihet Kaçaniku, qytetarët e saj thonë se ky qytet ka mbetur i njëjtë, pasi nuk ka pasur asnjë zhvillim për të mirë.

Madje sipas tyre, kryetari aktual, i cili vjen nga radhët e PDK-së, e ka kthyer qytetin në mjerim.

Opozita e kësaj komune thotë se nëse për asgjë tjetër kryetari aktual do të mbahet mend vetëm për punësime familjare dhe partiake, raporton KTV.

Sipas tyre, vetëm këta muajt e fundit Besim Ilazi ua ka punësuar dy drejtorëve të komunës bashkëshortet e tyre në institucione publike.

Ndërkaq thonë se ky punësimi i të afërmve nuk është i vetmi, pasi edhe djalin e xhaxhait të tij, kryetari po e mban ushtrues detyre në Qendrën e Mjekësisë Familjare pa kurrfarë kualifikimi adekuat.

Përveç kësaj, sipas opozitës, Besim Ilazi nuk ka arritur t’i realizojë as premtimet të cilat i ka bërë për ta fituar edhe një mandat tjetër katër vjeçar.

Por krejt ndryshe e vlerësojnë punën e pushtetit aktual zyrtarë të kësaj komune, duke thënë se premtimet e bëra janë realizuar 100%.

Opozita vlerëson se vetëm rregullimi i infrastrukturës ka ecur deri diku mbarë megjithatë, sipas tyre, edhe ajo punë që është bërë, u krye me një cilësi tejet të dobët.

 


Kaçanikasit dhe opozita të pakënaqur me punën e... by kohanet