Arbëri

Një vit pas ndërtimit, Prizreni nuk e funksionalizon çerdhen publike

Ky kënd i lojërave ka mbetur i pashfrytëzuar nga fëmijët që do të duhej të regjistroheshin në çerdhen e parë publike në Prizren.

Megjithëse objekti ka përfunduar vitin e kaluar dhe është bërë edhe pranimi i stafit të edukatorëve, ende nuk është funksionalizuar kopshti në lagjen “11 Marsi”.

Lidhja Demokratike e Kosovës e lë fajtor kryetarin e Prizrenit, Mytaher Haskuka, për mosfillimin e punës në këtë çerdhe, e cila është shumë e nevojshme për këtë komunë.

Sadije Osaj-Jakupi, asambliste në Kuvendin Komunal thotë se ka kërkuar sqarim nga Haskuka për mosfunksionalizimin, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

“Është pritur fillimi i çerdhes, por ndodhi e kundërta nga 1 shtatori deri më sot kaluan muaj të tërë. Ka ardhur deri tek puna e kryetarit. Janë investuar 487 mijë euro, komuna e përkrahur nga disa grande të gjitha kanë qenë në rregull. Reagimi ynë ka qenë sepse çmimi ka qenë shumë i lartë, për një fëmijë 80 euro, për dy fëmijë 120 dhe për 3 fëmijë 150 euro. Si grup i grave kemi kërkuar të ulet kjo kosto në 50 euro. Kam kërkuar nga kryetari të dimë pse nuk ka filluar dhe Ministria e Arsimit ka jep vendimin për fillimin e saj mirëpo sot e asaj dite nuk ka filluar. Arsyeja nuk dihet e kam kërkuar që ai të më jep përgjigje në atë seancë, mirëpo ai nuk më ka dhënë përgjigje.”

Ndërsa, Dafina Bllaca, asamblistë nga radhët e PDK-së në Prizren, kritikon mosfunksionalizimin e kësaj çerdheje, ani pse, sipas saj, është iniciuar nga mandati i kaluar.

“Është një çerdhe e iniciuar nga gratë kuvendare në qeverisjen e kaluar, në qeverisjen e Ramadan Mujës dhe natyrisht kjo çerdhe ka përfunduar, mirëpo nuk është funksionalizuar ende. Arsye pse nuk është realizuar mund të përgjigjen personat e autorizuar më mirë. Mirëpo ne e dimë në këtë çerdhe i gjithë stafi- edukatorët janë rekrutuar dhe i gjithë stafi teknik. Kjo bie ndesh me ligjin pasi e dimë se së pari stafi menaxhues të rekrutohet pastaj të bëhet edhe i stafit. Këtu shihet një mosplanifikim i duhur i stafit mes drejtorisë së Arsimit në Prizren dhe Ministrisë së Arsimit, për shkak se është dashur të planifikohet edhe kodi buxhetor i kësaj çerdhe, sa mësimdhënës duhet të jetë në këtë çerdhe, sa duhet të jetë numri i paraparë i nxënësve dhe të gjitha këto mungojnë.”

Sipas saj, Vetëvendosje ka pasur edhe projekte tjera të gatshme, të cilat nuk ka arritur t’i përfundojë.

“Për këto mbetet përgjegjësi e personave që janë përgjegjës. Në Prizren e kemi edhe një çerdhe tjetër që është miratuar në vitin 2017, edhe ky ka qenë një bashkëpunim momerandumi mes Ministrisë dhe Drejtorisë së Prizrenit, edhe kjo ka qenë në qeverisjen e Ramadan Mujës, pra të Partisë Demokratike të Kosovës, por fatkeqësisht apo mirësisht këtë projekt e ka marrë të gatshëm Vetëvendosje dhe ajo duhet të përfundoj në mandatin e tij. Kemi pas shumë premtime, por ato kanë mbetur vetëm premtime elektorale, asnjëherë nuk janë zbatuar. Asnjëherë nuk kemi një projekt të duhur që i shërben qytetarëve të Prizrenit.”

Më 22 korrik të vitit të kaluar pati filluar edhe regjistrimi i fëmijëve përmes konkursit që qëndroi i hapur deri më 20 gusht 2020.

Sipas konkursit, numri i fëmijëve të cilët kanë pasur të drejtë të regjistrohen ka qenë gjithsej 160. Nga ta, 120 fëmijë në gjuhën shqipe, 20 në gjuhën boshnjake dhe 20 në gjuhën turke.

Buxheti për ndërtimin e këtij kopshti ka kushtuar 480 mijë euro.