Arbëri

Abdixhiku: Ushtria do të jetë temë elektorale, Kosova të rrezikojë nëse nuk i humb partnerët

Descriptive Text

Opinionisti Lumir Abdixhiku në Interaktiv të KTV-së ka thënë se iniciativa e Presidentit Hashim Thaçi për transformimin e FSK-së në Ushtri përmes ligjit do të shndërrohet në temë dhe premtim elektoral.

Abdixhiku e ka vlerësuar iniciativën e Thaçit si thyerje të unitetit të brendshëm të klasës politike, por edhe të unitetit me partnerët ndërkombëtarë.

“Ushtria është element për plotësimin e Kosovës si shtet. Si proces është i pashmangshëm. Partnerët kanë deklaruar qe disa herë se vetëm me ndryshime kushtetuese duhet të bëhet transformimi në Ushtri. Duhet të ketë unitet shqiptar dhe unitet me partnerët ndërkombëtar. Thaçi nuk e ka respektuar asnjërin unitet. Partitë shqiptare janë zënë në befasi. Edhe qeveria e edhe partitë opozitare, si dhe partnerët ndërkombëtarë janë zënë në befasi. Nuk ka pasur unitet shqiptar. Ka përçarje në dërgesën e propozimit në Parlament. Në fund të ditës, është e garantuar se kjo çështje do të bëhet temë e zgjedhjeve politike në Kosovë. Presidenti nuk është më në parti politike, por PDK po e përdor këtë temë në aspektin elektoral”, ka thënë Abdixhiku.

Kolumnisti i Kohës Ditore thotë se nëse ndërkombëtarët kërcënojnë me pezullim të përkohshëm të marrëdhënieve, atëherë Kosova edhe mund të rrezikojë me transformimin e FSK-së në Ushtri pa ndryshime kushtetuese.

“Unë besoj se Kosova do të shkojë deri në fund për bërjen e Ushtrisë, por duke marrë për bazë kërcënimin e ndërkombëtarëve. Nëse pezullimi i marrëdhënieve është i përkohshëm, mund të rrezikohet. Por nëse ka pezullim dhe kërcënime për ndërprerje më të gjerë, duhet matur”, ka shtuar ai.