Gjykata Kushtetuese ende është duke e shqyrtuar Ligjin për Trepçën. Kërkesën e dërguar nga një gjyqtar i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, gjykata e ka pranuar më 3 nëntor të vitit 2016.
Pritja për një përgjigje nga Kushtetuesja, për një ish-minator të Trepçës, thotë se po i kushton me shëndet, raporton KTV.
Besnik Beqiri ka një rast aktualisht të pezulluar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme kundër Kombinatit Trepça, ku kërkon kompensim për aksidentin në vendin e punës. Gjyqtari Werner Kannenberg kërkesën e tij për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Trepçën e ka arsyetuar me faktin se ajo ndante asetet nga obligimet.
Kushtetuesja, pak ditë para kërkesës së gjyqtarit Kannenberg, kishte hedhur poshtë një kërkesë për interpretim të ligjit të njëjtë, bërë nga Lista Serbe.