Keqpërdorimet në Agjencinë e Shërbimit të Navigacionit Ajror nuk kanë të ndalur.
Në raportin e Auditorit të Përgjithshëm për 2016, që pritet të publikohet në mesin e këtij viti, janë gjetur parregullsi dhe procese prokurimi të kryera pa u siguruar buxheti, madje edhe pa u bërë planifikimi për to, raporton KTV.
Në dy aktivitete të prokurimit, atë për ndarjen fizike në dhomën operative të sallës ACC/APP dhe për furnizimin me toner, zotimi i mjeteve është bërë pas nënshkrimit të kontratave.
Në dokumentin që ka siguruar KTV-ja, Auditori ka gjetur se prokurimi për ndarjen fizike të sallës nuk ishte përfshirë fare në planin vjetor dhe as nuk ishte njoftuar Agjencia Qendrore e Prokurimit për këtë aktivitet.
Kështu drejtori i kësaj agjencie, Bahri Nuredini, e ka shpërblyer me tender një kompani, me të cilën ka në bashkëpronësi një kompani tjetër.
Kohavisioni ka pyetur edhe Agjencinë Kundër Korrupsionit, e cila në fakt ka mision të saj parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit por ende nuk ka marrë përgjigje.