Kryetarja e organizatës joqeveritare “Lëvizja Evropiane e Serbëve nga Kosova dhe Metohija”, Rada Trajkoviq, në një intervistë në emisionin “Pas lajmeve” në TV N1, të ënjtjen, ka thënë se pas nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojçiq, qëndron presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Dhe i kërkuari nga drejtësia në Kosovë, Radoiçiq, është produkt i tij.
Radojçiq, para dy ditësh doli me një video kërcënuese, duke thënë se është kthyer në Kosovë dhe se “nuk ka kthim prapa”. Ky kërcënim sipas saj, është më shumë për serbët që nuk i binden atij.
“Sipas përvojës, është kërcënim për serbët që nuk i binden Radojçiqit, dhjetëra serbë u vranë në veri dhe nuk e dimë se kush janë autorët, u dogjën disa objekte”, tha ajo, duke shtuar se Radojçiqi u shpëtoi të gjitha tentimeve për arrestime “sepse kishte informacione nga Prishtina”.
“Gjithçka që ai (Vuçiqi v.j.) thotë, bëhet. Ai është njeriu të cilit Vuçiqi i dha pushtet absolut në Kosovë mbi serbët”, shtoi ajo, përcjell "Danas".
Sipas saj, Radojçiq ka “marrëdhënie të shkëlqyera me disa institucioneve nga Prishtina”, andaj edhe u ka shpëtuar disa herë tentimeve për arrestim.
Trajkoviq tha se Vuçiqi është fëmijë i politikës ruse dhe se ka detyrime ndaj saj. Paralajmërimin e tij se do të ketë “gjakderdhje” e “stuhi tjetër” në Kosovë, e quan rezultat të panikut.
E kritikoi Beogradin zyrtar që nuk po i vendos sanksione Rusisë për pushtimin e Ukrainës.