Arbëri

MPJ-ja shpërndan në OKB dokumentarin e Fondit për të Drejtën Humanitare

Ministria e Punëve të Jashtme përmes Konsullatës së përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork ua ka shpërndarë edhe zyrtarisht misioneve të përhershme dhe vëzhguesve në Kombet e Bashkuara dokumentarin e publikuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH).

Sipas MPJ-së, aty ofrohen prova të reja “bindëse” për nivelin e mosndëshkimit të Serbisë për krime lufte të kryera kundër civilëve shqiptarë të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Filmi dokumentar, i cili ishte kritikuar në Serbi, ku asnjë medium nuk ka pranuar as ta publikojë, implikon direkt shefin e ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviq, si përgjegjës për krimet e luftës dhe aktet gjenocidale kundër civilëve shqiptarë, i cili ka shërbyer si komandant i Brigadës së 37-të të Ushtrisë Jugosllave në vitin 1999.

“Gjenerali Dikoviq është përgjegjës për vrasjen brutale të qindra civilëve shqiptarë të Kosovës në fshatrat Izbicë, Qirez, Shavarinë dhe Rezallë, të vendosura në rajonin e Drenicës në Kosovë”, shkruan në letrën e MPJ-së, të cilën e ka siguruar “Koha Ditore”. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në gazetë)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.