Arbëri

Bahtiri thotë se VV është parti e pakorruptuar

Sipas Agim Bahtirit të AKR-së, Vetëvendosja është parti e pakorruptuar dhe se duhet të ketë patjetër një bashkim të kësaj partie me LDK-në.

Kryetari i Mitrovicës ka thënë në Interaktiv të KTV-së se Kosovës i duhet një bashkim i VV-së dhe LDK-së që të rrëzojnë PDK-në dhe se shumë shpejt do të ketë takime mes dy partive lidhur me një bashkëpunim të mundshëm.

“Ne jemi duke biseduar me koalicionin tonë për të dhënë një mundësi për të biseduar edhe me VV-në. S’kam asgjë kundër VV-së. Është parti që me të vërtetë ka treguar rezultat në këto zgjedhje. Qytetarët e dëshirojnë. Është parti e pakorruptuar. E do vendin dhe popullin. Çdo njeri që është i tillë unë dëshiroj të bisedoj me ta, pasi besoj se njerëzit e tillë mund të çojnë vendin përpara. Jemi në bisedime që të marrim një qëndrim që të bisedojmë me ta. Besoj se këtë javë do të kemi takime me ta”, ka thënë Bahtiri.

Bahtiri thotë se nuk është mirë që LDK-ja dhe VV-ja të insistojnë për postin e kryeministrit. Vlerëson se dy partitë duhet të mendojnë për popullin dhe jo për karrige.