Lideri i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, sipas medieve serbe, sonte ka kërcënuar aktivistët se Listës Serbe në Leposaviq, duke ngrehur çarkun e revoles ndaj tyre, transmeton Koha.net.
Sipas TV Most, aktivistët e Listës Serbe në momentin kur i ka kërcënuar Jabllanoviq ishin duke vendosur posterë të partisë së tyre.
Aleksandar Jabllanoviq, kryetar i PSK-së, është arrestuar sonte. Arrestimin e tij e ka konfirmuar vetë kryetari i Listës Serbe, Sllavko Simiq.
“Jabllanoviq ka drejtuar revolen ndaj aktivistit tonë duke bërtitur ‘Kjo është Kosova, nuk është Serbi, hiqni ato pllakate dhe ikni, sa nuk ju kam vrarë’”, citon Tanjugu Simiqin, transmeton Koha.net.
Simiq po ashtu ka thënë se atij i është marrë revolja dhe është arrestuar. Siç është shprehur ai, Jabllanoviq kështu ka treguar se sa është urrejtës i serbëve.
Në këto momente, TV Most thotë se aktivistë të Listës Serbe po protestojnë para ndërtesës së policisë në Leposaviq.