Arbëri

Bahtiri: SHIK-un e larguam nga Mitrovica, tash do ta largojmë edhe nga Prishtina

Aleanca Kosova e Re ka organizuar takim me qytetarët e Mitrovicës, ku të pranishëm ishin presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, nënkryetari i AKR-së, Agim Bahtiri dhe kandidatë të tjerë për deputetë në zgjedhjet e 11 qershorit.

Në takimin me qytetarë të mbajtur në Qendrën e Kulturës, Bahtiri tha se Kosova tash më shumë se kurrë ka nevojë për ndryshim pozitiv në qeverisjen qendrore, pasi që është momenti i fundit që qytetarëve të Kosovës t’iu kthehet shpresa.

“Koalicioni AKR-LDK do t’ia kthej shpresën dhe dinjitetin qytetarëve të Kosovës, jetën e të cilëve e ka degraduar qeverisja e PDK-së. Ashtu siç e larguam përgjithmonë ShIK-un nga Mitrovica në vitin 2013, tash do ta largojmë ShIK-un edhe nga Prishtina, sepse mjaftë ka vuajtur populli i Kosovës nga ta. Tash është koha e zhvillimit ekonomik dhe hapjes së vendeve të reja të punës, të cilin mund ta bëjnë vetëm njerëzit e AKR-së”, tha Bahtiri, i cili është edhe kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa, Pacolli gjatë bashkëbisedimit me qytetarë tha se potencialet ekonomike të Mitrovicës, kryesisht të Trepçës, duhet të jenë promotori i zhvillimit ekonomik të Kosovës.

“Ne e kemi planin e detajuar për krijimin e kushteve të reja të punësimit, do të jenë grupet proaktive që do të mundësojnë shqyrtimin e çdo ideje, e rrjedhimisht implementimin e saj”, ka thënë Pacolli, dhe ka shtuar se AKR do të krijojë tri zona agro-ekonomike, të cilat automatikisht do ta reduktonin importin nga Serbia. “Ne do të krijojmë atmosferë të këndshme të të berit biznes, Kosovën do ta bëj vend të dashur për të gjithë”, ka thënë lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli.

Pacolli e Bahtiri, të shoqëruar edhe nga kandidatët tjerë për deputetë, vizituan edhe fabrikën e fabrikën e kërpudhave “Hirano Mushroom”, fabrikën e përpunimit të drurit “Loni Dekor”, si dhe vizituan zyrat e AKR-së në qendër të qytetit, në të cilat çdo ditë po anëtarëson shumë qytetarë, të cilët po ja japin besimin AKR-së për zgjedhjet parlamentare.