Arbëri

Molliqaj: Policia po do ta shmangë vëmendjen nga tronditja që ia bëmë

Sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, ka shprehur bindjen se ajo çfarë ka deklaruar në një konferencë për media për Policinë e Kosovës, ka qenë tronditje e madhe për shtetin, e cila e ka vënë në alarm shtetin.

Në “Interaktiv” të KTV-së ai ka thënë se kjo është njëra prej arsyeve pse, sipas tij, po tentohet që të zhvendoset vëmendja kinse për frikë ndaj sulmeve terroriste.

Molliqaj i VV-së paraqet “skemën e krimit të Policisë së Kosovë me në krye Kadri Veselin”

“Tema të cilën e ka ngritur Vetëvendosje përmes meje në një konferencë për media është një tronditje e madhe për shtetin. Dhe menjëherë pas asaj institucionet e shtetit u alarmuan kinse për rrezik të sulmeve”, ka thënë Molliqaj.

Sipas tij, arsye tjetër nevojë për të zhvendosur vëmendjen, janë “edhe zhvillimet brenda koalicionit nuk janë të mira”.

“Tashmë po e shihni se të dy palët janë duke u shtyrë se kush po e prish koalicionin”, ka thënë Molliqaj.

Ai ka thënë se ka një kontradiktë të thellë mes deklarimeve të Policisë së Kosovës dhe ato të Këshillit për Siguri të Kosovës.