Për më shumë se gjysmë shekulli Mark Tirta iu përkushtua studimit të kulturës shqiptare, duke e parë atë jo vetëm përmes literaturës së botuar, por mbi të gjitha përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit, vendet, traditat dhe dëshmitë e ruajtura në terren. Ai ishte një nga ata studiues që e njihnin kulturën shqiptare jo vetëm nga librat, por edhe nga udhëtimet e shumta nëpër viset shqiptare, nga bisedat me bartësit e traditës dhe nga mbledhja e materialeve
Jeta dhe kontributi në etnologjinë shqiptare
Më 27 gusht 2026 mora lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të akademik Mark Tirtës. Lajmi më preku thellë, jo vetëm sepse u nda nga jeta një profesor i imi, por sepse me të u shua një nga personalitetet e rëndësishme të etnologjisë dhe albanologjisë shqiptare. Pak më pas, njoftimi i Akademisë së Shkencave dhe mesazhet e shumta të kolegëve, ish-studentëve dhe njerëzve që e kishin njohur e punuar me të dëshmuan edhe një herë vendin që ai kishte zënë në jetën shkencore shqiptare.
Mark Tirta lindi më 21 maj 1935 në Orosh të Mirditës. Pas përfundimit të shkollimit të mesëm punoi si mësues gjatë viteve 1955–1957, ndërsa në vitin 1961 përfundoi studimet e larta në degën Histori-Gjuhësi të Universitetit të Tiranës. Pas studimeve punoi në arsim në Mirditë deri në vitin 1968. Po atë vit nisi punën në Sektorin e Etnografisë të Institutit të Historisë, ndërsa nga viti 1979 vijoi veprimtarinë në Institutin e Kulturës Popullore, sot Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit në Tiranë.
Këtu filloi edhe një nga rrugëtimet më të rëndësishme të jetës së tij shkencore. Për më shumë se gjysmë shekulli Mark Tirta iu përkushtua studimit të kulturës shqiptare, duke e parë atë jo vetëm përmes literaturës së botuar, por mbi të gjitha përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit, vendet, traditat dhe dëshmitë e ruajtura në terren. Ai ishte një nga ata studiues që e njihnin kulturën shqiptare jo vetëm nga librat, por edhe nga udhëtimet e shumta nëpër viset shqiptare, nga bisedat me bartësit e traditës dhe nga mbledhja e materialeve që më pas duhej të dokumentoheshin, të krahasoheshin dhe të interpretoheshin shkencërisht.
Kjo përvojë e gjatë në terren u ndërthur me një punë të vazhdueshme në bibliotekë dhe në arkiva. Fusha e tij ishte e gjerë: mitologjia dhe besimet popullore, familja dhe organizimi shoqëror, arti popullor, e drejta zakonore, toponimia në këndvështrim etnologjik, migrimet dhe zhvillimet rajonale e etnike, historia e etnologjisë shqiptare, si dhe studimi i personaliteteve që kanë dhënë kontribut në këtë fushë.
Veprimtaria e tij është pasqyruar në një varg veprash që tashmë janë pjesë e literaturës themelore të etnologjisë shqiptare. Ndër to përfshihen “Migrime të shqiptarëve” (1999), “Veshjet popullore shqiptare”, në bashkëpunim, vëllimi I (1999) dhe II (2001), “Etnologjia e përgjithshme” (2001), “Etnologjia e shqiptarëve” (2003), “Mitologjia ndër shqiptarë” (2004), “Mjeshtëria e kërkimit shkencor në etnologji” (2006) dhe “Panteoni e simbolika: doke e kode në etnokulturën shqiptare” (2007), ndër të tjera. Burimet biografike të Akademisë e përshkruajnë veprimtarinë e tij si një krijimtari prej mbi 300 punimesh shkencore e kulturore, krahas pjesëmarrjes së gjerë në konferenca e veprimtari shkencore brenda dhe jashtë vendit.
Por rëndësia e Mark Tirtës nuk qëndron vetëm në numrin e veprave apo të punimeve. Vlera e punës së tij qëndron sidomos në faktin se ai ndihmoi në mbledhjen, dokumentimin, sistemimin dhe interpretimin shkencor të një pjese të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare. Përmes veprës së tij u krijua një bazë e gjerë dokumentare dhe studimore, pa të cilën vështirë se mund të kuptohet në tërësinë e vet një pjesë e mirë e etnologjisë shqiptare.
Në formimin e tij intelektual dhe në rrugëtimin e tij shkencor ndikuan dhe bashkëpunuan figura të shumta të kulturës dhe shkencës shqiptare: Petro Marko e Jup Kastrati në periudhën e hershme, ndërsa më vonë Rrok Zojzi, Andromaqi Gjergji, Eqrem Çabej, Shaban Demiraj, Aleks Buda, Aleksandër Stipçeviq, Rexhep Qosja, Qemal Haxhihasani, Kadri Halimi, Mark Krasniqi, Afërdita Onuzi, Drita Halimi-Statovci, Ukë Xhemajn, Zymer Neziri e shumë të tjerë. Në këtë mjedis shkencor ai ndërtoi profilin e tij si studiues, por edhe si një prej zërave të rëndësishëm të etnologjisë shqiptare.
Mark Tirta ishte edhe profesor dhe formues i brezave të rinj të studiuesve. Ai ligjëroi në institucione të arsimit të lartë, përfshirë Universitetin e Tiranës dhe Universitetin e Prishtinës, dhe për shumë vjet u angazhua në udhëzimin e studentëve e të studiuesve të rinj. Ishte pjesë e jetës shkencore edhe përmes punës në këshillat redaktues të revistave të rëndësishme të fushës, ndërsa kontributi i tij u vlerësua me çmime dhe dekorata të rëndësishme. Në vitin 2008 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe më pas mbajti statusin Akademik Emeritus. Në vitin 2022 u nderua me titullin “Nderi i Kombit”, ndërsa në vitin 2024 u nderua edhe nga presidentja e Republikës së Kosovës me Medaljen Presidenciale të Meritës.
Megjithatë, për mua dhe për shumë prej studentëve të tij, Mark Tirta nuk ishte vetëm emri i një studiuesi që gjendej në bibliografi. Ai ishte një profesor që e transmetonte dijen drejtpërdrejt, përmes ligjërimit, bisedës dhe shembullit personal. Pikërisht këtu fillon edhe kujtesa ime më e afërt për të.
Profesori në kujtesën e studentit: mësimet, libri dhe bisedat që mbetën
Mark Tirta ishte profesor imi në Departamentin e Etnologjisë të Universitetit të Prishtinës. Por lidhja ime me të nuk mbeti vetëm brenda auditorit. Rrugët tona u kryqëzuan edhe në Tiranë, në Institutin e Kulturës Popullore, ku pata mundësi ta takoja dhe ta dëgjoja në një mjedis ku ai ndihej në elementin e tij: mes librave, dokumenteve dhe kujtimeve të terrenit.
Në vitin 2004, bashkë me një grup studentësh të etnologjisë, mora pjesë në një ekspeditë shkencore në Kardhiq të Gjirokastrës dhe në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Ekspedita ishte organizuar në bashkëpunim ndërmjet Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe Institutit të Kulturës Popullore në Tiranë. Ishte një nga ato përvoja që nuk mbeten vetëm si një ngjarje në kujtesën e studentit. Aty e shihnim profesorin jo vetëm si ligjërues, por si studiues të terrenit, si njeri që e njihte nga afër hapësirën shqiptare dhe dinte ta lexonte atë përmes gjurmëve të kulturës.
Njohuritë e Mark Tirtës ishin jashtëzakonisht të gjera. Ai nuk njihte vetëm kulturën shqiptare; kishte njohuri të thella edhe për kulturat e popujve të Ballkanit dhe për lidhjet, dallimet e ndërthurjet që shfaqen në këtë hapësirë. Mund të flisje me të për një krahinë, një zakon, një emërtim, një besim apo një element të kulturës materiale dhe, pa e kuptuar, biseda zgjatej për orë të tëra. Dy-tri orë pranë tij shpesh të dukeshin si dy-tri minuta.
Ai e njihte mirë terrenin shqiptar, sepse e kishte përshkuar atë gjatë ekspeditave të shumta. Për më shumë se gjysmë shekulli kishte mbledhur, regjistruar dhe sistemuar materiale të shumta, duke i kthyer përvojat e terrenit në lëndë studimore. Së këndejmi, terreni për të nuk ishte thjesht një vend ku merrej informacioni. Ishte vendi ku kultura fliste përmes njerëzve dhe gjurmëve të saj.
Por Mark Tirta ishte po aq i lidhur me librin. Edhe në vitet e pleqërisë, dashuria e tij për librin nuk u shua. Kur ishim studentë në Tiranë, adresa e tij, në njëfarë mënyre, ishte Biblioteka Kombëtare. E kam parë jo rrallë aty, që nga mëngjesi e deri pasdite, të zhytur në lexim dhe kërkim. Për të, libri nuk ishte vetëm burim informacioni; ishte pjesë e jetës së studiuesit.
Një nga porositë e tij që më ka mbetur në mendje ishte: “Për të qenë studiues i mirë, duhet ta lexosh një bibliotekë me libra”. Kjo fjali, e thënë prej një njeriu që vërtet e kishte kaluar jetën mes librave, kishte një peshë të veçantë. Nuk ishte një këshillë e përgjithshme, por një përmbledhje e mënyrës së tij të jetesës dhe të punës.
Ai na mësonte gjithashtu se studiuesi duhet ta thotë të vërtetën. Edhe kur materiali është i pakët, edhe kur dëshmitë janë të vogla, ato nuk duhen shpërfillur. Edhe “grimcat”, siç i quante ai gjurmët më të imëta, kanë rëndësi, sepse prej tyre mund të ndërtohet një pamje më e plotë shkencore. Në këtë mënyrë ai na mësonte të mos e kërkonim gjithmonë të madhen duke anashkaluar të voglën.
Për shkrimin dhe punën shkencore kujtonte edhe një shprehje të Rexhep Qosjes: “Dikë është mirë ta paguash, vetëm të mos shkruajë”. Ishte një mënyrë e tij për të theksuar se shkrimi kërkon përgatitje, përgjegjësi dhe njohje të vërtetë të fushës. Ndërsa për përvojën kishte një tjetër shprehje të thjeshtë, por shumë domethënëse: “Noti mësohet duke notuar”. Edhe shkenca, në fund të fundit, mësohet duke punuar, duke kërkuar, duke gabuar, duke korrigjuar dhe duke vazhduar.
Një tjetër shprehje që ai shpesh e përdorte dhe që më ka mbetur në kujtesë është: “Njeri, njih vetveten”. Për mua, kjo porosi merr një kuptim të veçantë kur e lidh me veprën e tij. Njohja e vetvetes nuk është e shkëputur nga njohja e njeriut, e shoqërisë dhe e kulturës në të cilën jetojmë. Etnologjia, në këtë kuptim, na ndihmon të kuptojmë jo vetëm mënyrën se si kanë jetuar njerëzit, por edhe botën e tyre shpirtërore, vlerat, besimet, krijimtarinë dhe mënyrën se si kanë ndërtuar jetën e tyre.
“Kush mendon se në shkencë hahet buka lehtë, ai është i dështuar”, thoshte Profesori. Ishte një tjetër mësim që e shprehte natyrën e punës shkencore: kërkesa për përkushtim, durim dhe kohë. Për Mark Tirtën, shkenca nuk ishte një rrugë e shkurtër drejt titullit, por një punë e gjatë, shpesh e heshtur, që kërkonte këmbëngulje.
Ai besonte se vlera kulturore dhe tradita janë një univers i gjerë. Sado që kërkon, dokumenton dhe interpreton, gjithmonë mbeten gjëra për t’u zbuluar. Ndoshta pikërisht kjo e mbajti për kaq gjatë të lidhur me terrenin, librin dhe kërkimin.
Sot, kur e kujtoj profesorin Mark Tirta, më vjen në mendje jo vetëm studiuesi me veprën e tij të gjerë, por edhe njeriu që mund të rrinte gjatë duke folur për një libër, një krahinë, një zakon apo një kujtim nga terreni. Më vjen në mendje profesori që nuk e ndante dijen nga jeta dhe që, pa shumë fjalë të mëdha, na mësonte se shkenca kërkon punë, ndershmëri dhe durim.
Kontributi i Mark Tirtës në kulturën shqiptare është i rëndësishëm sepse ai nuk u mjaftua me përshkrimin e saj. Ai mblodhi materiale, i dokumentoi, i sistemoi dhe u përpoq t’i interpretonte në kuadër të një dijeje të qëndrueshme etnologjike. Prandaj vepra e tij do të mbetet një pikë referimi për ata që do të studiojnë kulturën, traditat, mitologjinë, migrimet dhe jetën shoqërore të shqiptarëve.
Por një profesor nuk jeton vetëm në librat që ka shkruar. Ai jeton edhe në dijen që ka përcjellë, në studentët që ka mësuar, në bisedat që kanë mbetur në kujtesë dhe në mënyrën se si ka ndikuar te njerëzit që kanë pasur fatin ta njohin.
Për mua, Mark Tirta do të mbetet profesori që më mësoi ta shoh etnologjinë jo vetëm si një fushë studimi, por si një mënyrë për ta kuptuar më thellë njeriun dhe shoqërinë. Do të mbetet studiuesi i terrenit, njeriu i librave dhe bisedave të gjata, por mbi të gjitha një njeri i mirë, i cili la pas një vepër të gjerë dhe një kujtim të mirë te shumë breza.
Lamtumirë, profesori ynë i nderuar, Mark Tirta!
Valon İşkodra