Dhimbja e shpinës është një nga problemet më të përhapura shëndetësore në botë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhimbja e pjesës së poshtme të shpinës është shkaku kryesor i paaftësisë fizike në nivel global. Parashikohet që numri i personave të prekur të kalojë 800 milionë deri në vitin 2050, ka shkruar Guardian.
Por, çka e shkakton këtë dhimbje? Sipas fizioterapistëve dhe osteopatëve, përgjigjja mund të jetë më e ndërlikuar nga sa mund të mendohet.
1. Jeni shumë aktivë ose qëndroni ulur për një kohë të gjatë
Dhimbja e shpinës mund të shfaqet edhe pa ndonjë dëmtim të drejtpërdrejtë.
Doktoresha Hannah Whitcombe ka shpjeguar se një ditë me aktivitet fizik të pazakontë mund të shkaktojë dhimbje të muskujve dhe nyjave, të cilat ndihen më shumë mëngjesin e ardhshëm. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe kur kaloni shumë orë ulur, për shembull në zyrë.
Sipas saj, nuk duhet fajësuar menjëherë dysheku apo pozicioni gjatë gjumit.
“Nëse zgjoheni me dhimbje shpine, mos mendoni vetëm për tetë orët që keni kaluar në shtrat, por edhe për 16 orët e mëparshme”, ka këshilluar ajo.
Edhe fizioterapisti Antony Bush ka theksuar se qëndrimi ulur për shumë orë, duke përfshirë punën, udhëtimin dhe kohën para televizorit, mund të ndikojë negativisht në shpinë. Nga ana tjetër, edhe aktivitetet e përsëritura dhe sforcimi i tepërt fizik mund të shkaktojnë dhimbje.
2. Përpjekja për të qëndruar gjithmonë drejtë
Që nga fëmijëria na është thënë të qëndrojmë drejt, por ekspertët paralajmërojnë se mbajtja e trupit në një pozicion tepër të ngurtë nuk është domosdoshmërisht e shëndetshme.
Një qëndrim shumë i drejtë, i mbajtur për orë të tëra pa lëvizur, mund të krijojë tension në muskuj dhe të shkaktojë dhimbje.
Doktoresha Anisha Joshi ka shpjeguar se qëndrimi më i mirë është ai që është i natyrshëm dhe fleksibil, duke ndryshuar pozicion herë pas here.
Pra, nuk është e nevojshme të qëndroni gjatë gjithë kohës në një pozicion të vetëm, edhe nëse ai konsiderohet i përsosur.
Edhe gjatë ngritjes së peshave, ekspertët theksojnë se nuk ekziston një teknikë e vetme që garanton shmangien e dhimbjeve. Më e rëndësishme është të ngrini pesha në mënyrë të arsyeshme dhe të forconi gradualisht muskujt.
3. Stresi mund të përkeqësojë dhimbjen
Dhimbja nuk lidhet vetëm me dëmtimet fizike. Edhe stresi, sidomos kur zgjat për një kohë të gjatë, mund të ndikojë në mënyrën se si trupi e përjeton atë.
Doktoresha Emma Hayward ka shpjegua se stresi mund të shkaktojë tension të vazhdueshëm në muskuj dhe indet lidhëse të shpinës, duke kufizuar lëvizjen dhe duke e bërë trupin më të ndjeshëm ndaj dhimbjeve.
“Stresi në thelb e rrit volumin e dhimbjes”, ka shpjeguar ajo.
Kjo do të thotë se edhe një sforcim i vogël fizik mund të shkaktojë një episod më të fortë dhimbjeje te personat që përjetojnë stres të vazhdueshëm.
Prandaj, për trajtimin e dhimbjeve kronike është e rëndësishme të merret parasysh jo vetëm gjendja fizike, por edhe mirëqenia emocionale dhe psikologjike.
4. Mbështeteni shumë te rezultatet e rezonancës magnetike
Kur shfaqen dhimbjet e shpinës, shumë njerëz mendojnë se rezonanca magnetike (MRI) do të zbulojë patjetër shkakun.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se jo çdo ndryshim i dukshëm në imazhet mjekësore është shkaktar i dhimbjes.
Fryrjet e disqeve ndërvertebrore dhe konsumimi i nyjave mund të shfaqen edhe te persona që nuk kanë asnjë simptomë. Shpesh, këto janë pjesë e procesit natyror të plakjes.
Fizioterapisti Neil O’Connell i krahason këto ndryshime me rrudhat në fytyrë: ato nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht se diçka nuk shkon.
Për këtë arsye, udhëzimet ndërkombëtare mjekësore nuk rekomandojnë kryerjen rutinë të skanimeve për çdo rast të dhimbjes së shpinës.
Është e rëndësishme të mos krijoni bindjen se trupi juaj është i dëmtuar vetëm sepse një ekzaminim ka evidentuar ndryshime të tilla. Ekzaminimet imazherike duhen vendosur nga mjeku, sipas simptomave dhe nevojës klinike.
5. Keni frikë nga dhimbja
Sipas ekspertëve mënyra se si e perceptojmë dhimbjen mund të ndikojë edhe në mënyrën se si e përjetojmë atë.
Fizioterapistja Mindy Cairns ka shpjeguar se disa njerëz rriten në familje ku dhimbjet e shpinës përmenden vazhdimisht. Kjo mund t’i bëjë ata më të shqetësuar sa herë që ndiejnë një shqetësim të vogël në shpinë.
Kjo nuk do të thotë se dhimbja është imagjinare, por se frika mund të shtojë reagimin mbrojtës të trupit dhe të kufizojë lëvizjet.
Doktoresha Alison Durant ka theksuar se trupi ka aftësi të përshtatet dhe se kuptimi më i mirë i mekanizmave të dhimbjes mund të ndihmojë në rikthimin e besimit te lëvizja.
Frymëmarrja e kontrolluar, lëvizjet graduale dhe këshillimi me një profesionist shëndetësor mund të ndihmojnë në menaxhimin e episodeve të dhimbjes.
6. Shkaku mund të mos jetë vetë shpina
Jo çdo dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës vjen nga muskujt, nyjat apo disqet ndërvertebrore.
Në disa raste, ajo mund të jetë shenjë e një problemi tjetër shëndetësor, siç është endometrioza.
Kjo sëmundje shfaqet kur ind i ngjashëm me shtresën e brendshme të mitrës rritet jashtë saj, duke prekur kryesisht zonën e legenit dhe barkut.
Sipas fizioterapistes Mindy Cairns, endometrioza mund të prekë edhe zorrët dhe ligamentet që lidhin legenin me shtyllën kurrizore, duke shkaktuar dhimbje që mund të ngatërrohet me problemet e zakonshme të shpinës.
Ajo ka paralajmëruar se kjo sëmundje shpesh diagnostikohet gabimisht ose me vonesë.
Prandaj, kur dhimbja nuk duket se lidhet me një problem mekanik të shpinës, është e rëndësishme të hetohen edhe shkaqe të tjera të mundshme.
7. Nënvlerësoni forcën dhe qëndrueshmërinë e trupit
Pavarësisht dhimbjeve, sipas ekspertëve, trupi i njeriut është më i fortë dhe më i përshtatshëm nga sa mendohet.
Fizioterapisti Antony Bush ka këshilluar që njerëzit të mos heqin dorë nga aktivitetet e përditshme vetëm nga frika e dhimbjes, por të mësojnë ta dëgjojnë trupin dhe të rikthehen gradualisht te lëvizjet.
Eshtrat dhe muskujt përshtaten me ngarkesën fizike, ndaj aktiviteti i rregullt dhe forcimi gradual i trupit janë të rëndësishëm.
Nëse dhimbja shfaqet pas një aktiviteti të pazakontë, kjo nuk do të thotë automatikisht se keni pësuar një dëmtim serioz.
Çka duhet të mbani mend?
Dhimbja e shpinës nuk ka gjithmonë një shkak të vetëm. Ajo mund të lidhet me aktivitetin e tepërt, qëndrimin e gjatë ulur, stresin, frikën nga lëvizja apo edhe me probleme të tjera shëndetësore.
Lëvizja e rregullt, ushtrimet për forcimin e muskujve, ndryshimi i pozicionit gjatë ditës dhe menaxhimi i stresit mund të ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit të shpinës.
Në rastet kur dhimbja është e fortë, vazhdon ose shoqërohet me simptoma të tjera shqetësuese, duhet kërkuar vlerësim mjekësor. Dobësia e re në këmbë, mpirja në zonën intime ose humbja e kontrollit të urinimit apo jashtëqitjes kërkojnë ndihmë urgjente.