TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Arberi

Kurti, Paris'te Kosova'yı destekleyen Fransız şahsiyetlerle bir araya geldi, Lahey kararı da görüşüldü.

Kurti - Paris

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në Paris me personalitete franceze që kanë kontribuuar në forma të ndryshme për Kosovën, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet politike, ekonomike dhe të sigurisë, si dhe për aktgjykimin e 16 shtatorit në Hagë.

Takimi është zhvilluar të hënën, para nisjes zyrtare të Forumit të Paqes në Paris, ku Kurti po qëndron për vizitë.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në takim mori pjesë ish-ministri francez i Mbrojtjes, Alain Richard, i cili kishte mbështetur ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 për ndalimin e krimeve të luftës dhe spastrimit etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Pjesëmarrës ishte edhe Gilles Pernet, ish-zyrtar i lartë në Ministrinë franceze të Mbrojtjes dhe bashkautor i librit “Kosovo: récits sur la construction d’un État”, së bashku me Sébastien Gricourt.
Në takim mori pjesë edhe antropologia dhe studiuesja Véronique Nahoum-Grappe, e njohur për kërkimet mbi dhunën seksuale gjatë luftërave dhe konflikteve. Ajo është angazhuar për Kosovën që nga vitet '90 dhe është autore e librit “Kosovo: un drame annoncé”.

Pjesë e takimit ishin gjithashtu Frédérique Duversin, drejtoreshë e Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris, e cila ka mbështetur promovimin e kulturës dhe artistëve kosovarë, si dhe Florence Hartmann, ish-gazetare e gazetës franceze Le Monde dhe ish-zëdhënëse e kryeprokurores së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë.

Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar edhe për aktgjykimin e 16 shtatorit dhe mundësitë e kundërshtimit të tij në procedurën e apelit.

“Biseduam për përparimin demokratik dhe zhvillimin e qëndrueshëm e të vazhdueshëm ekonomik, për investimet në siguri e në mbrojtje, për aktgjykimin e padrejtë të 16 shtatorit dhe angazhimin për korrigjimin e tij në apel”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri ka folur gjithashtu për planet e qeverisë gjatë mandatit të ri, duke theksuar rëndësinë e Francës në procesin e integrimit euroatlantik të Kosovës.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, takimi ishte rast për të diskutuar zhvillimet aktuale në Kosovë dhe për të vlerësuar kontributin e personaliteteve franceze që kanë mbështetur vendin ndër vite./KSP