TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
AKŞAM HABERLERİ

Hükümet milletvekilleri, Bakan Vitia'nın Komisyona rapor vermeye davet edilmesini kabul etmiyor.

Sağlık Komisyonu

Në dy mbledhje që ka mbajtur të martën Komisioni për Shëndetësi, nuk ka arritur t’i sigurojë votat për raportimin e ministrit Arben Vitia dhe të drejtorit të SHSKUK-së, Elvir Azizi, para deputetëve. Për këtë arsye, është vendosur që të dy institucionet të përgatisin raporte me shkrim brenda dy javësh, pas shqyrtimit të të cilave, Komisioni do të vendosë nëse do t’i ftojë apo jo për raportim

Brenda dy javësh, Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës duhet ta përgatisin një raport për Komisionin për Shëndetësi.

Në dy mbledhje, Komisioni për Shëndetësi ka kërkuar që ministri Arben Vitia dhe drejtori i SHSKUK-së, Elviz Azizi të raportojnë gjatë këtij muaji para Komisionit shkaku i mungesave të barnave në klinikat e QKUK-së, por kjo është kundërshtuar nga deputetë të pushtetit.

Thirrja për raportim nuk është miratuar në mungesë të votave, andaj Komisioni ka vendosur që këto dy institucione fillimisht ta përgatisin një raport me shkrim.

Anëtari i Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Naim Bardiqi, si arsye për të mos e ftuar ministrin Vitia për raportim, ka përmendur faktin se ai nuk ka qenë me mandat të plotë.

“Për sukseset ka çka flet ministri Vitia, por ajo që thashë është se duhet ta kuptojmë rolin e Qeverisë, kur është qeverisja në detyrë dhe kur është sikur tani, që jemi duke qeverisur me mandat të plotfuqishëm. Për atë arsye, për një raportim ekskluziv para Komisionit, mendoj se duhet t’i jepet kohë për 100-ditëshin, për dy faktet që i përmenda: që qeverisja ka qenë me shumicë në detyrë dhe që jemi në përfundim të vitit fiskal. Kjo e shkakton një punë shtesë për stafin administrativ për të gjeneruar raporte sipas kërkesave”, ka thënë Bardiqi.

Por Bardiqin e ka kundërshtuar kryetari i Komisionit për Shëndetësi, Uran Ismaili.

Ai ka thënë se ky mund të përdoret si argument politik për ministrin, por nuk mund të vlejë edhe për drejtorin e SHSKUK-së, Elvir Azizi.

“Drejtori i SHSKUK-së a ka qenë në detyrë? A e ka pasur mandatin e plotë apo a ia ka vlerësuar performancën e tij dhe a i është vazhduar mandati? Po, edhe ata s’mundemi me i thirrë, s’mujmë. Hajde, paskemi argument politik që ministri ka qenë në detyrë, por Elviri a ka qenë në detyrë, a ka qenë i plotfuqishëm tërë kohën? Po, edhe ata s’mundemi me i thirrë, s’kemi vota me i thirrë”, ka thënë Ismaili.

Pas diskutimeve në Komision, është vendosur që fillimisht të merret raportimi me shkrim dhe, pas shqyrtimit të tij, të vendoset nëse drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi, dhe ministri Arben Vitia do të ftohen për raportim.

Elvir Azizi e drejton tash e katër vjet Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës. Gjatë kësaj periudhe, KOHA vazhdimisht ka raportuar për mungesë barnash, lista të gjata të pritjes për operime, vonesa në marrjen e trajtimit dhe mungesë të stafit në klinika.

Bordi i këtij institucioni, në qershor të këtij viti, e ka vlerësuar pozitivisht performancën e Azizit dhe ia ka vazhduar mandatin edhe për katër vjet të tjerë.

Ndërkaq, për herë të pestë, më 13 shtator, Arben Vitia është rizgjedhur për ta 
udhëhequr Ministrinë e Shëndetësisë.