TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Kültür

200 bin euroyu aşan borcu olan opera, 5. yıl dönümü konserini riske attı.

Opera e Kosovës në korrik ka dhënë premierën dhe një reprizë e diptikut operistik të Giacomo Puccinit, “Suor Angelica” dhe “Gianni Schicchi”. E gjithë kjo u realizua nën drejtimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli (Foto: Arben Llapashtica)

Opera e Kosovës në korrik ka dhënë premierën dhe një reprizë e diptikut operistik të Giacomo Puccinit, “Suor Angelica” dhe “Gianni Schicchi”. E gjithë kjo u realizua nën drejtimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli (Foto: Arben Llapashtica)

Institucioni qendror i kulturës nuk i ka mirë hesapet me buxhetin. Rrezikon koncertin nëpërmjet të cilit ka planifikuar shënimin e 5-vjetorit të themelimit. Është koncerti nëpërmjet të cilit do të interpretonte në Prishtinë sopranoja e njohur, Elbenita Kajtazi. Pos kësaj, Opera e Kosovës aktualisht ka borxhe që shkojnë në vlerën mbi 200 mijë euro. Institucionet qendrore të kulturës, në përgjithësi, janë duke u përballur me një avari buxhetore në këtë fundvit. Planifikimet e tyre janë përmbysur ndjeshëm në takimet që udhëheqësit kanë pasur javën e kaluar me ministren e Kulturës, Saranda Bogujevci, dhe kabinetin e saj

Opera e Kosovës rrezikon që sivjet të mos e përmbyllë programin ashtu siç e ka paraparë. Institucioni qendror i kulturës nuk i ka mirë hesapet me buxhetin. Rrezikon koncertin nëpërmjet të cilit ka planifikuar shënimin e 5-vjetorit të themelimit. Është koncerti nëpërmjet të cilit do të interpretonte në Prishtinë sopranoja e njohur, Elbenita Kajtazi. Pos kësaj, Opera e Kosovës aktualisht ka borxhe që shkojnë në vlerën mbi 200 mijë euro.

Institucionet qendrore të kulturës, në përgjithësi, janë duke u përballur me një avari buxhetore në këtë fundvit. Planifikimet e tyre janë përmbysur ndjeshëm në takimet që udhëheqësit kanë pasur javën e kaluar me ministren e Kulturës, Saranda Bogujevci, dhe kabinetin e saj. Në bazë të informatave që ka marrë KOHA, atyre u është kërkuar që t’i tkurrin programet dhe, po ashtu, të kenë kujdes edhe për vitin e ardhshëm. Krejt kjo vjen pas një ngritjeje të buxhetit në vitet e fundit dhe premtimit të përhershëm se: “Vetëm punoni, pasi do të keni edhe buxhet shtesë”.

Pas informacioneve për takimet që kanë pasur udhëheqësit institucionalë një nga një, KOHA u është drejtuar të gjitha institucioneve qendrore të kulturës me pyetje sa i përket gjendjes së krijuar. Deri më tash, janë përgjigjur vetëm Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Opera e Kosovës. Teatri Kombëtar i Kosovës, Baleti Kombëtar i Kosovës, Filharmonia e Kosovës, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Galeria Kombëtare e Kosovës nuk janë përgjigjur. Ka prej këtyre institucioneve që jozyrtarisht i kanë thënë KOHËS se nuk do të përgjigjen, me arsyetimin se frikësohen nga masat që mund të marrë Ministria e Kulturës pas përgjigjeve të tyre. Është përmendur rasti i arkeologut Shafi Gashi, i cili pasi kishte kritikuar qasjen e Ministrisë ndaj Kalasë së Prizrenit i qe shqiptuar masa disiplinore e zbritës së pagës për 30 për qind për tre muaj.

Por ndryshe ka vepruar udhëheqësi i Operës së Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Operës së Kosovës, Meriton Ferizi, ka thënë se deri më tani shpenzimet e realizuara arrijnë në tërë shumën e buxhetit të ndarë për Operën e Kosovës. Sipas tij, bëhet fjalë për 600 mijë euro. Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore të këtij viti, Opera e Kosovës ka të parapara 400 mijë euro si subvencione dhe transfere, 157 mijë euro për mallra dhe shërbime dhe 105 mijë euro për paga dhe shtesa.

“Buxheti aktual në dispozicion të Operës së Kosovës është zero”, ka thënë Ferizi. Ai ka treguar edhe për obligimet financiare që ka institucioni.

“Sa u përket detyrimeve të evidentuara, jemi minus 215,000 euro, të cilat janë në proces të alokimit dhe shlyerjes së borxheve”, ka thënë Ferizi. Ka sqaruar se Opera e Kosovës është e përkushtuar që ta realizojë programin artistik të planifikuar për vitin 2026. Megjithatë, sipas tij, realizimi i plotë i aktiviteteve varet nga mbulimi financiar i obligimeve ekzistuese dhe sigurimi i mjeteve të nevojshme për aktivitetet e mbetura.

“Në komunikimet me Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, qëllimi ynë i përbashkët ishte të gjejmë zgjidhje institucionale që mundësojnë përmbushjen e obligimeve financiare dhe ruajtjen e vazhdimësisë së programit kryesor artistik. Për momentin, çdo vlerësim për anulim ose shtyrje të aktiviteteve duhet të mbështetet në gjendjen përfundimtare buxhetore dhe në vendimet përkatëse, të cilat do të na komunikohen së shpejti. Por koncerti më i rëndësishëm dhe me peshë për Operën e Kosovës do të realizohet më 19 nëntor, në kuadër të 5-vjetorit të themelimit të institucionit dhe si koncert inaugurues, ashtu siç ishte mbajtur edhe pesë vjet më parë”, shkruhet në përgjigjet e Ferizit. Ai ka bërë të ditur se për vitin 2027, Opera e Kosovës është duke punuar në planin vjetor, të cilin duhet ta dorëzojë deri më 15 nëntor.

“Kërkesa kryesore është që të hapen vendet e punës për instrumentistë dhe koristë, d.m.th. bërthama e parë e institucionit, në mënyrë që funksionimi të jetë më i lehtë dhe të kemi shumë më pak shpenzime për angazhimin e vazhdueshëm të ekipit me projekte”, shkruhet në përgjigje. KOHA ka raportuar disa herë se Opera e Kosovës, që prej themelimit në gusht të vitit 2021, funksionon si agjenci operistike, pasi për çdo projekt angazhon instrumentistë, koristë dhe solistë me honorarë.

Këtë vit, aktivitetet e Operës së Kosovës kanë nisur në shkurt, kur në Shkup është dërguar opera “Goca e Kaçanikut”, produksion i vitit 2024.

Më pas, në mars, në nderim të Epopesë së UÇK-së, Kori dhe Orkestra e Operës së Kosovës sollën një performancë solemne nën drejtimin e dirigjentit Edon Ramadani. Programi i mbrëmjes përfshiu vepra të kompozitorëve Drinor Zymberi, Vasil Tole, Valton Beqiri, Feim Ibrahimi dhe Avni Mula, me pjesëmarrjen e pianisteve Elizabeta Qarri dhe Artemida Qarri. Po në mars, Filharmonia e Kosovës, në bashkëpunim me Operën e Kosovës, dha koncertin nën drejtimin e dirigjentes Marion Wood, me një program ku u ndërthur repertori romantik me krijimtarinë bashkëkohore, përfshirë “Requiem für Mignon” nga Robert Schumann, veprën “Ballin lartë!” nga Valton Beqiri dhe kryeveprën monumentale “Stabat Mater” nga Antonín Dvořák. Pas kësaj, në maj, në kuadër të programit edukativ “EduOPERA”, Opera e Kosovës dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, në bashkëpunim me Shkollën e Mesme të Muzikës “Prenk Jakova”, u paraqitën me shfaqjen e baletit “Zëri i saj”, me koreografi dhe koncept nga Driton Saqipi, në nderim të këngëtares Nexhmije Pagarusha. Më pas, në korrik, u dha premiera dhe një reprizë e diptikut operistik të Giacomo Puccinit, “Suor Angelica” dhe “Gianni Schicchi”. E gjithë kjo u realizua nën drejtimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli.

Përtej informacionit zyrtar, KOHA ka mësuar se Opera e Kosovës tashmë e ka të nënshkruar kontratën me sopranon Elbenita Kajtazi, e njohur sidomos në botën operistike gjermanofolëse. Por ende nuk ka kontratë me dirigjentin dhe orkestrën, anëtarët e së cilës duhet t’i sigurojë përmes honorarëve.

“Një prej versioneve është që të merremi vesh për t’i angazhuar, me pritjen që pagesat të bëhen deri në vitin që vjen”, i ka thënë një burim KOHËS.

Për gjithë avarinë e krijuar në fund të vitit sa i përket buxhetit, KOHA ka kërkuar informata nga Ministria e Kulturës. Mirëpo, institucioni më i lartë kulturor në vend nuk është përgjigjur se përse në takimet e fundit me institucionet u është bërë presion në raport me buxhetin dhe, si pasojë, do të ketë tkurrje të programit të sivjetmë; përse këto masa nuk janë ndërmarrë më herët; përse, në raste të caktuara, buxheti i institucioneve është përdorur për të shlyer detyrime të tjera; si dhe sa do të jenë shkurtimet buxhetore për vitin e ardhshëm në krahasim me buxhetin e këtij viti.