TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Futbol

Fleetwood tarihinin en büyük gecesi

Fleetwood

Duke marrë parasysh pozicionet në ligë, formën dhe historinë e ekipeve, dukej se fituesi dihej ende pa nisur ndeshja. Të martën mbrëma Fleetwoodi u përball me Arsenalin. Skuadrat kishin diferencë prej 84 vendesh në renditjen e futbollit anglez, ndërsa shumica e tifozëve u nisën drejt stadiumit me më shumë shpresë se pritshmëri për fitore. 

Por, në mënyrë të jashtëzakonshme, ishin vendasit që siguruan vendin në çerekfinale të Carabao Cup, duke triumfuar ndaj “topçinjve” me penallti.

Për ekipin e njohur si “Cod Army” ky rezultat do të mbetet në histori. Fleetwoodi arriti gjashtë ngjitje nëpër kategori brenda 12 vjetësh. Këtë rrugëtim mbresëlënës e nisi në nivelet jashtë ligave profesioniste.

Dhe përballë kampionit në fuqi të Anglisë, klubi nga qyteti i vogël bregdetar në Lancashire hyri  në histori. Ka bërë njërën prej befasive më të mëdha ndonjëherë në ndeshjet për kupë.

Aaron Loupalo-Bi kaloi në epërsi vendasit, kurse Viktor Gyokeres barazoi rezultatin në pjesën e dytë. Pritej që Arsenali të merrte kontrollin më pas, por Fleetwoodi qëndroi i palëkundur. Skuadra përfitoi nga paraqitja joefikase e Arsenalit, që kulmoi me përjashtimin e Max Dowmanit. Ai e goditi kundërshtarin pas një ndërhyrjeje të ashpër nga Harrison Neal.

Fleetwoodi renditet i 18-ti në kategorinë e katërt angleze. Ka vetëm një fitore në tetë ndeshjet e fundit kampionale, kurse guxoi të ëndërronte ndaj Arsenalit dhe dërgoi ndeshjen në penallti. Pas goditjes vendimtare të Conor Haughey, tifozët pushtuan fushën për të festuar.

“Është nata më e madhe në historinë e klubit, duke pasur parasysh se kush erdhi të luante këtu. Ne ia dolëm të mposhtim kampionët”, ka thënë trajneri Matt Lawlor.

“Në kampionat nuk kemi pasur formë të mirë, por në garat e kupës, për ndonjë arsye, të gjithëve u shtohet zjarr i brendshëm. Ne dhuruam disa momente magjike dhe kjo është histori për t’ua treguar nipërve dhe mbesave”, ka thënë mbrojtësi Jake Batty.

Fleetwoodi madje nuk është prej skuadrave më të njohura të kategorisë së katërt angleze. Në klub shpresojnë të përfitojnë nga momenti për të regjistruar fitore edhe në kampionat, ndërsa shpresojnë që të kenë fat në shortin për raundin tjetër të Kupës dhe që sërish të luajnë në shtëpi.

Portieri Jay Lynch bëri disa pritje të rëndësishme, kurse ndalin penalltinë e Bruno Guimaraesit dhe kjo doli të jetë vendimtare.

“Morëm zemër nga fitorja e Grimsbyt ndaj Manchester Unitedit vitin e kaluar. Në një mënyrë i krahasuam dy situatat. Ishte natë tipike për Fleetwood. Prisnim stuhi, e dinim që kushtet do të ishin të tmerrshme dhe menduam se kjo mund të na shërbente si avantazh”, ka pranuar Lynch.

Edhe tifozët janë shprehur të entuziazmuar. Rezultati i së martës dëshmon pse garat për Kupë në Angli janë kaq interesante.