TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Oto

BMW mali zorluklar yaşıyor

BMW

Prodhuesi gjerman i veturave BMW ka regjistruar rënie të fitimeve në tremujorin e tretë, ndërsa ka paralajmëruar se biznesi i tij kryesor i veturave mund të përfundojë vitin 2026 me humbje operative, si pasojë e kostove të ristrukturimit dhe konkurrencës së shtuar nga prodhuesit kinezë.

Fitimi neto i kompanisë në tremujorin e tretë ra për rreth 15 për qind, në 1.45 miliardë euro, ndërsa të hyrat u zvogëluan me gati 6 për qind, në 30.45 miliardë euro. Ndërkohë, fitimi para tatimit shënoi rënie prej 11 për qind, raportoi të mërkurën “Euronews”.

Në paralajmërimin e dytë për fitimet këtë vit, BMW-ja bëri të ditur se kostot e ristrukturimit, përfshirë largimin e rreth 8 mijë punëtorëve në Gjermani, mund ta çojnë sektorin e veturave drejt humbjeve operative.

Kompania tashmë pret që marzha operative e këtij sektori për vitin 2026 të jetë nga minus 0.5 deri në plus 0.5 për qind, dukshëm më e ulët se parashikimi paraprak prej 1 deri në 3 për qind.

Drejtori ekzekutiv i BMW-së, Milan Nedelkoviq, tha se zhvillimet në industrinë e automobilave kërkojnë vendime të shpejta dhe masa më intensive për ristrukturimin e kompanisë.

Një nga sfidat kryesore mbetet konkurrenca nga prodhuesit kinezë, të cilët kanë dobësuar pozitën e markave gjermane në tregun kinez dhe po zgjerojnë praninë edhe në Evropë.

BMW-ja ka regjistruar rënie prej 24.8 për qind të dërgesave në Kinë gjatë tremujorit të tretë, duke ndikuar në rënien prej 6.3 për qind të dërgesave globale. Në të kundërtën, dërgesat u rritën me 2.6 për qind në Evropë dhe 2.5 për qind në SHBA.

Për të rikthyer pozitën në Kinë, kompania ka paralajmëruar se do të zhvendosë një pjesë më të madhe të zinxhirit të furnizimit për veturat e prodhuara atje në tregun kinez.

Pavarësisht paralajmërimeve për rënie të fitimeve, aksionet e BMW-së të mërkurën shënuan rritje prej rreth 2 për qind krahasuar me mbylljen e një dite më parë.