TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Kültür

Bir zamanlar Sovyetler Birliği'nin kurallarına meydan okuyan sanat

Gürcistan Sergisi

Ekspozita ndjek rrugëtimin e artistëve që zhvilluan stilet e tyre gjatë dekadave kur Gjeorgjia ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik, si dhe të brezave që erdhën pas pavarësisë së vendit në vitin 1991

Fotoğraf: Associated Press

Arti i krijuar jashtë rregullave zyrtare të Bashkimit Sovjetik po zë vendin qendror në një muze të ri në Gjeorgjinë lindore. Fondacioni Kvareli për Artin Bashkëkohor ka hapur dyert në rajonin e vendit të njohur për kultivimin e verës, me një ekspozitë që gjurmon më shumë se gjashtë dekada të artit gjeorgjian, nga eksperimentet artistike në ilegalitet gjatë sundimit sovjetik, deri te pikturat dhe instalacionet e ditëve të sotme

Një puthje, një ulërimë dhe një koleksion fytyrash të panjohura. Këto janë disa nga veprat që bashkojnë breza të ndryshëm artistësh gjeorgjianë në një ekspozitë të re në rajonin e Kakhetit, në lindje të vendit. 

Vepra “Kiss” (Puthja) e Oleg Timchenkos eksploron dashurinë dhe marrëdhëniet njerëzore përmes stilit të tij të veçantë, i cili karakterizohet nga figura ekspresive dhe imazhe të frymëzuara nga përrallat dhe simbolika. Timchenko ishte pjesë e një grupi eksperimental artistësh gjeorgjianë, të njohur si “10th Floor” (Kati i 10-të), i cili u shfaq në fund të viteve ‘80, në kohën kur Bashkimi Sovjetik po fillonte të shpërbëhej. 

Në ekspozitë është prezantuar edhe vepra “Howl” (Ulërima) e Karlo Kacharavas. Ajo paraqet një figurë të zbehtë, me gojën hapur, të rrethuar nga simbole fetare, krijesa të çuditshme dhe shpërthime të mprehta ngjyrash, në një sfond të errët. Këto imazhe shqetësuese janë karakteristike për krijimtarinë e Kacharavas, i cili përmes artit të tij trajtoi ankthin, izolimin dhe vitet e fundit të trazuara të sundimit sovjetik në Gjeorgji.

Veprat e tyre janë pjesë e ekspozitës “Arti Bashkëkohor Gjeorgjian: Origjina dhe Vazhdimësia”, e cila shënon ekspozitën e parë të Fondacionit të ri Kvareli për Artin Bashkëkohor. Ekspozita ndjek rrugëtimin e artistëve që zhvilluan stilet e tyre gjatë dekadave kur Gjeorgjia ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik, si dhe të brezave që erdhën pas pavarësisë së vendit në vitin 1991. Gjatë sundimit sovjetik, arti i miratuar zyrtarisht duhej të ndiqte parimet e realizmit socialist, duke paraqitur punëtorët, industrinë dhe shoqërinë komuniste në një mënyrë pozitive dhe lehtësisht të kuptueshme.
Artistët që dëshironin të eksperimentonin me abstraksionin, materiale të pazakonta apo tema më personale, kishin shpesh mundësi të kufizuara për t’i ekspozuar publikisht veprat e tyre.
Nino Sulkhanishvili, drejtoreshë kreative e Fondacionit Kvareli për Art Bashkëkohor, ka deklaruar: “Siç e dimë, Gjeorgjia ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik nga vitet 1960 deri në vitin 1991, ndaj censura në vend ishte jashtëzakonisht e rreptë, ndërsa realizmi socialist ishte e vetmja formë e pranuar e përfaqësimit artistik. Ne vendosëm të përqendrohemi te lëvizja artistike në ilegalitet dhe praktikat jozyrtare të artit në Gjeorgji, tek ajo që ndodhte gjatë viteve ‘60 dhe mënyra se si kjo lëvizje u zhvillua më pas”.

Një nga artistët kryesorë të ekspozitës është Avto Varazi, i cili nisi të eksperimentonte me kolazhin dhe asamblazhin që në vitet ‘50. Në vend që të pikturonte skena tradicionale, ai kombinonte materiale, objekte dhe imazhe të ndryshme për të krijuar veprat e tij artistike. Ndër veprat e ekspozuara janë “Bull Head” (Koka e demit), si dhe “Arts” (Artet), e vitit 1955. Asamblazhi është një teknikë artistike që konsiston në bashkimin e objekteve ose materialeve të veçanta në një vepër të vetme, ndërsa kolazhi ndërthur imazhe dhe sipërfaqe të ndryshme.

Varazi po eksploronte këto forma artistike në një kohë kur eksperimente të tilla ishin shumë larg stilit artistik të pranueshëm nga regjimi sovjetik. Një detaj veçanërisht mbresëlënës në veprën “Arts” është përdorimi i shkronjave në gjuhën angleze, vetëm dy vjet pas vdekjes së liderit sovjetik, Joseph Stalin. Në një periudhë të karakterizuar nga kontrolle të rrepta kulturore dhe dyshime ndaj ndikimit perëndimor, edhe gjuha e përdorur në një vepër arti mund të kishte një domethënie të veçantë. 
Largimi i Varazit nga pritshmëritë zyrtare bëri që veprat e tij të përjashtoheshin kryesisht nga institucionet kulturore gjeorgjiane gjatë asaj periudhe.

“Portrait of Gogi Getia” (Portreti i Gogi Getias) i Otar Chkhartishvilit i përket një tradite artistike që paraqet njerëzit përtej përfaqësimeve të idealizuara të artit sovjetik.

Vepra “1924” e Levan Chogoshvilit i referohet një prej episodeve më të dhimbshme të historisë së Gjeorgjisë: kryengritjes së dështuar të gushtit të vitit 1924 kundër sundimit sovjetik dhe represionit të dhunshëm që pasoi.

Në një pjesë tjetër të galerisë, vepra “Rolex” e Niko Tsetskhladzes sjell një referencë më bashkëkohore. Tsetskhladze i përket brezit të artistëve që u shfaqën rreth periudhës së rënies së Bashkimit Sovjetik, kur kultura konsumatore perëndimore, liritë e reja dhe vështirësitë e mëdha ekonomike u shfaqën njëkohësisht.

Kritikja e artit Irena Popiashvili ka shpjeguar: “Emrat që shohim këtu, si Varazi apo Bandzeladze e të tjerë, janë artistë të njohur për publikun gjeorgjian. Por ajo që është shumë e rëndësishme sot është se në Tbilisi apo në muzetë e Gjeorgjisë nuk mund t’i shohësh veprat e tyre të ekspozuara, me përjashtim të një muzeu tjetër privat. Kjo ekspozitë të jep një pasqyrë të rrugëtimit dhe zhvillimit të artit bashkëkohor gjeorgjian. Është shumë e rëndësishme për publikun, por edhe për brezat e rinj, që të shohin se si u zhvillua arti bashkëkohor, ashtu siç e kuptojmë sot. Jo arti ideologjik, jo realizmi socialist, jo arti i miratuar nga qeveria, por mënyra se si ai u zhvillua në të vërtetë”.

Bandzeladze është një tjetër artist që ndihmoi në zhvillimin e pikturës abstrakte në Gjeorgji, duke u larguar nga paraqitjet e skenave të dallueshme dhe duke u përqendruar te ngjyra, forma dhe kompozicioni si elemente artistike më vete.

Disa nga artistët e përfaqësuar në ekspozitë arrinin t’i qarkullonin veprat e tyre përmes rrjeteve jozyrtare dhe takimeve private, në një kohë kur institucionet publike nuk ishin mikpritëse ndaj krijimtarisë së tyre.

Gjatë sundimit sovjetik, arti i miratuar zyrtarisht duhej të ndiqte parimet e realizmit socialist, duke paraqitur punëtorët, industrinë dhe shoqërinë komuniste në një mënyrë pozitive dhe lehtësisht të kuptueshme

Themeluesi i fondacionit, biznesmeni gjeorgjian, Jemal Inaishvili, ka ndihmuar në mbledhjen dhe prezantimin e këtyre veprave në Kvareli, rreth dy orë larg me makinë nga kryeqyteti Tbilisi. Ai synon që kjo qendër e re ta bëjë artin gjeorgjian më të qasshëm edhe jashtë kryeqytetit, si dhe të nxisë bashkëpunimin me artistë nga vende të tjera.

“Jemi plotësisht të përkushtuar për promovimin dhe mbështetjen e artit bashkëkohor gjeorgjian. Por kjo nuk do të thotë se nuk do të bashkëpunojmë edhe me institucione të tjera, vende të tjera dhe artistë të huaj. Duke filluar nga viti i ardhshëm, planifikojmë të organizojmë programe rezidenciale artistike këtu dhe, natyrisht, do të ftojmë edhe artistë të huaj që të punojnë së bashku me artistët vendas, në mënyrë që të krijojmë këtë lloj ndërveprimi dhe bashkëpunimi”.

Pjesë të tjera të ekspozitës i kushtohen artit bashkëkohor gjeorgjian, përfshirë vepra të artistëve, karriera e të cilëve është zhvilluar edhe në arenën ndërkombëtare. Piktura e Maia Naverianit paraqet një figurë të errët duke u ngjitur në një pemë, ndërsa dy figura të zbehta qëndrojnë nën degët e saj. Format e thjeshta dhe përmasat e pazakonta i japin skenës një karakter fëmijëror, thuajse si në një përrallë. Megjithatë, kontrasti mes figurës së errët që ngjitet në pemë dhe figurave të ekspozuara ndaj dritës krijon një atmosferë më shqetësuese. Ideja që qëndron pas kësaj vepre ishte sjellja e një perspektive më intime, në kontrast me temat politike dhe kolektive që karakterizojnë disa nga galeritë e mëparshme.

Një tjetër artist bashkëkohor, Vajiko Chachkhiani, krijon instalacione që shpesh eksplorojnë kujtesën, humbjen dhe marrëdhënien mes njerëzve dhe mjedisit që i rrethon. Instalacioni i tij “One wind after another” (Një erë pas tjetrës) është pjesë e ekspozitës dhe trajton mënyrën se si artistët janë zgjeruar përtej pikturës tradicionale, duke përqafuar skulpturën dhe forma të tjera të shprehjes artistike. Jashtë ndërtesës së muzeut, një vepër e Ketuta Alexi-Meskhishvilit dhe një video-instalacion i artistit Zeskneli e shtrijnë ekspozitën përtej hapësirave të galerive. 

Ndërtesa ndodhet në sfondin madhështor të maleve të Kaukazit, në një rajon që njihet ndërkombëtarisht më shumë për vreshtat dhe historinë e tij të gjatë të prodhimit të verës.
Ekspozita “Arti Bashkëkohor Gjeorgjian: Origjina dhe Vazhdimësia” do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 15 janar 2027.