TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Arberi

Elektronik kimlik ve dijital cüzdan kullanıma sunuldu, vatandaşlar artık belgeleri telefonlarından imzalayabilecekler.

Dijital Cüzdan

Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike (MDAP) ka lansuar Platformën Kombëtare të Identifikimit Elektronik (eID) dhe Kuletën Digjitale të Kosovës, përmes së cilave synohet që qytetarët dhe bizneset të kryejnë shërbime administrative në mënyrë elektronike, pa pasur nevojë të paraqiten fizikisht në institucione apo të përdorin dokumente në letër.

Sipas njoftimit të Ministrisë, kryeministri Albin Kurti, gjatë lansimit të platformës, ka thënë se identiteti elektronik, Kuleta Digjitale dhe nënshkrimi elektronik do ta lehtësojnë qasjen në shërbimet publike, duke kursyer kohë dhe duke mundësuar kryerjen e procedurave nga distanca.

Kurti rikujtoi se përmes platformës eKosova tashmë ofrohen mbi 330 shërbime digjitale, ndërsa me sistemin e ri synohet që këto shërbime të realizohen plotësisht në mënyrë elektronike. Kjo, sipas tij, do t’u mundësojë në të ardhmen edhe qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës të kryejnë procedura administrative pa pasur nevojë të udhëtojnë drejt vendit.

Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, u shpreh se identiteti elektronik do të shërbejë për identifikimin e sigurt të qytetarëve në platformat digjitale, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.

Ai shpjegoi se përmes kësaj platforme qytetarët do të mund të nënshkruajnë dokumente elektronikisht, ndërsa bizneset dhe organizatat do të kenë mundësi të përdorin vula elektronike për dokumentet e tyre.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka thënë se BE-ja e ka mbështetur financiarisht projektin me 3.2 milionë euro. Ai theksoi se nënshkrimi elektronik do të ketë fuqi të njëjtë juridike si nënshkrimi me dorë dhe se shërbimet do të ofrohen pa pagesë.

Sipas njoftimit, nga e hëna qytetarët do të mund të pajisen me identitet elektronik në shtatë qendrat rajonale të Agjencisë së Regjistrimit Civil. Në fazat e ardhshme, ky shërbim do të zgjerohet edhe në komunat e tjera.

Identiteti elektronik do të ruhet në Kuletën Digjitale, e cila mund të instalohet në telefonat me sistem operativ Android dhe iOS. Përmes aplikacionit eSign, përdoruesit do të mund të nënshkruajnë dokumente nga telefoni apo kompjuteri.

Platforma është integruar tashmë me eKosova, duke mundësuar kyçje pa fjalëkalim dhe nënshkrim elektronik të dokumenteve. Një nga përdorimet e para është integrimi i nënshkrimit elektronik në procesin e regjistrimit të bizneseve.

Identiteti elektronik (eID) është një mënyrë zyrtare përmes së cilës qytetarët mund të dëshmojnë identitetin e tyre në internet, pa pasur nevojë të paraqiten fizikisht në institucione. Përmes tij, qytetarët do të mund të identifikohen në mënyrë të sigurt gjatë përdorimit të platformave digjitale, siç është eKosova, duke shmangur në të ardhmen edhe përdorimin e emrit të përdoruesit dhe fjalëkalimit.

Ndërkaq, Kuleta Digjitale do të shërbejë si një hapësirë elektronike në telefon, ku do të ruhet identiteti digjital dhe dokumentet përkatëse të qytetarit. Ajo do të jetë e disponueshme për pajisjet me sistemet operative Android dhe iOS.

Një tjetër risi është nënshkrimi elektronik, i cili do t'u mundësojë qytetarëve të nënshkruajnë dokumente nga telefoni apo kompjuteri, pa pasur nevojë t’i printojnë, t’i nënshkruajnë me dorë dhe t’i dorëzojnë fizikisht. Ky nënshkrim do të ketë fuqi të njëjtë juridike me nënshkrimin tradicional.

Për shembull, një qytetar që jeton jashtë Kosovës dhe ka nevojë të kryejë një procedurë administrative në vend, në rastet kur shërbimi përkatës është integruar në sistem, do të mund të identifikohet elektronikisht, të plotësojë procedurën dhe të nënshkruajë dokumentet nga distanca, pa pasur nevojë të udhëtojë drejt Kosovës.

Përmes këtij sistemi synohet që gradualisht të digjitalizohen edhe më shumë procedura administrative dhe afariste, përfshirë regjistrimin e bizneseve dhe shërbimet e tjera që aktualisht kërkojnë dokumentacion fizik. Megjithatë, jo të gjitha shërbimet do të jenë menjëherë të disponueshme në këtë formë, pasi integrimi i tyre do të bëhet në faza të ardhshme.