Aktori Sylvester Stallone nuk e mohon se fama dhe pozita e tij në Hollywood u kanë dhënë përparësi fëmijëve të tij. Përkundrazi, ai ka thënë se është detyrë e prindërve t’u krijojnë fëmijëve sa më shumë mundësi, ka shkruar KadınÖnce.
Vajza e tij 24-vjeçare, Scarlet Rose Stallone, luan rolin e një punonjëseje në stallë në serialin “Tulsa King”, ku personazhi i saj ka më shumë hapësirë në sezonin e katërt.
Në një intervistë për USA Today, Stallone ka thënë se nuk e shqetëson nëse njerëzit e konsiderojnë këtë nepotizëm.
“Në fillim thonë: ‘Nepotizmi është i tmerrshëm’. Unë them: ‘Të lutem, nuk je prind i mirë nëse nuk ke bërë ndonjëherë diçka për t’i ndihmuar fëmijët e tu. Përndryshe, duket sikur nuk të interesojnë, sepse fëmijët vijnë të parët’”, u shpreh aktori.
Ai ka shtuar se prindërit duan t’u japin fëmijëve çdo avantazh të mundshëm dhe se, në rastin e tij, kjo është pikërisht ajo që ka bërë.
Megjithatë, Stallone pranon se, ndonëse emri i tij mund t’ua hapë dyert fëmijëve më shpejt se të tjerëve, suksesi afatgjatë varet nga aftësitë e tyre.
“Nëse mund t’ua hapim derën, pastaj shohim nëse kanë aftësinë të kalojnë përmes saj. Njerëzit mund të thonë se ajo e mori rolin shumë lehtë. Ndoshta kanë të drejtë. Por për të qëndruar në atë nivel dhe për të qenë para miliona njerëzve, ose e ke talentin, ose nuk e ke”, ka thënë ai.
Ndërkohë, Stallone rikthehet në sezonin e katërt të “Tulsa King” në rolin e Dwight “The General” Manfredit, një bos mafioz që drejton një perandori kriminale në qytetin e Tulsës.
Duke folur për Entertainment Weekly, aktori ka shpjeguar se i pëlqen ky personazh sepse është ndryshe nga disa figura të tjera të botës së krimit.
Megjithatë, kur vjen puna te skenat e dhunshme, Stallone ka thënë se preferon që ato të jenë sa më të fuqishme dhe tronditëse.
“Kur ndodh dhuna, nuk dua që gjithçka të përfundojë me një të shtënë dhe ai i keqi të zhduket. Dua që skena të jetë një festival tmerri, që publiku të thotë: ‘Uau, ai e mori atë që meritonte’”, ka thënë aktori.