Sipas dëshmisë së gazetarit dhe diplomatit gjerman, Ernst Jäckh (1875 - 1959) libri “Në kampin turk të luftës përmes Shqipërisë” është kronologji e përjetimeve të tij përgjatë “krizës shqiptaro-turke: gjatë marshimit luftarak të ushtrisë turke përmes Shqipërisë kryengritëse në verën e vitit 1910”. Brenda faqeve të librit autori atëbotë i ka përfshirë edhe territoret që më vonë do të ngelin jashtë Shqipërisë londineze. Kemi veçuar qëndrimin e Ernst Jäckh në Shkodër. Kjo është pjesa e dytë e atij kapitulli. Libri është botuar në vitin 1911. Titulli dhe mestitujt janë të Redaksisë
Abati i Madh e ka banesën e tij të përkohshme në një krah të të njëjtit pallat. Në mes shtrihet katedralja e madhe, me një shesh të rrethuar përpara saj, me një hapësirë të mjaftueshme për grumbullime popullore prej mijëra njerëzish. Në kishë po mbahet pikërisht mesha, në të cilën marr pjesë edhe unë. Në katedër qëndron një prift, i cili predikon shqip mbi një tekst të Ungjillit, ndërsa përtokë qëndron e ulur dhe e shtrirë masa shqiptare: rreptësisht e ndarë sipas gjinisë, majtas gratë e mbuluara dhe djathtas burrat lirshëm, ku deri më tani secili kishte pranë vetes pushkën e mbushur.
Gruaja shtron përpara saj një copë në dysheme dhe heq këpucët, bën shenjën e kryqit dhe bie në gjunjë. Ndërsa burri ulet me këmbët e kryqëzuara në anën tjetër. Shpejt mund të mendosh se je në një xhami myslimane: ashtu rrinë kruspull edhe atje burrat alla turka, dhe njëjtë as atje nuk lejohet që papastërtia e rrugës të hyjë në shtëpinë e Zotit: “Hiqi këpucët nga këmbët e tua; sepse vendi ku po qëndron është tokë e shenjtë!” Atë që Moisiu foli dhe Krishti mësoi, Muhamedi e zgjodhi dhe e bashkoi. Nëse shqiptari pranon Krishtin apo Muhamedin si profet dhe udhëheqës, megjithatë më e fortë se konfensioni i doktrinës duket të jetë praktika e jetës, bashkësia e veçantisë popullore si në zakonet e kishës, ashtu edhe në ato të xhamisë... “Kjoft levdue Jezu Krishti’ ‘Qoftë lëvduar Jezu Krishti!’” – mbyll bekimin e tij prifti shqiptar. Dhe: “tash e n’jetë të jetës” “në amshim!” pohon komuniteti që qëndron gjunjazi e kruspull sot, pa armë vdekjeprurëse dhe pa atë ndërhyrje që raportohet se kishte ndodhur në bashkësinë shqiptare në Bogë: kur atje predikuesi po tregonte se si Krishti me pak thërrime buke i ushqeu tre mijë njerëz, ndërsa një bogian nuk ishte duruar dhe në mes të kishës kishte thirrur drejt priftit: ‘Ah, çfarë gënjeshtari që je!’”
Orienti shqiptar në Shkodër
Orienti shqiptar? Kjo duket si një kontradiktë në vetvete: Shqipëria është fqinje e Austrisë dhe e Italisë, si dhe një kundërshtar kufitar i Greqisë dhe i Malit të Zi; të gjitha këto vende në Evropë. E megjithatë: nëse unë sot, nga Shkodra shqiptare, i dërgoj një letër mikut tim Mozelit në pikënisjen time maqedonase, në Shkup, për t’i raportuar se tani kam bërë një udhëtim krejt tjetër nga ai që kishim rrahur e përgatitur në Shkup, kjo shkresë mbërrin më ngadalë në Shkup mbase edhe më ngadalë se unë vetë, nëse do ta përshkoja sërish Shqipërinë tej e mbanë; por sigurisht më vonë se një porosi që vjen madje edhe nga Shkodra aziatike (Üsküdar). Ajo Shkodër e vogël aziatike e mposht distancën e largët përmes orareve të linjave ndërlidhëse aziatiko-evropiane të hekurudhës anadollake dhe asaj orientale. Kjo Shkodër më e madhe shqiptare, mbetet brenda Evropës, pavarësisht afërsisë gjeografike, si pasojë e maleve ndarëse dhe rrugës detare më të gjatë e të parregullt, një humbëse kohe dhe e shkëputur nga bota më shumë se çdo “Orient” tjetër i largët.
Orienti u dashka të përvëlojë e të digjet vetëm nën diellin aziatik? Në këtë Shkodër avullon një zagushi mbytëse, e cila e lan edhe trupin që rri në qetësi me djersë të kulluar, më e nxehtë dhe më përvëluese sesa kam vuajtur në qytetin armen të Kilikisë, Adana.
Dhe nga kënata e llumtë e Drinit burojnë, si miazma, mushkonjat dhe parazitët e etheve tropikale të malaries. Po ashtu, bën kërdinë edhe tuberkulozi – më ankohet mjeku ushtarak turk, i cili ka studiuar në Gjermani dhe tani synon të bëhet një ndihmës i mirëpritur, deri më tani i panjohur për popullsinë shqiptare. Po shkëlqimi i larmishëm i ngjyrave të Orientit? Atë nuk e kam parë askund nëpër të gjithë Azinë Turke aq të larmishëm, aq të pasur dhe aq të gjallë sa në këtë Shkodër. Gjithçka aty është me ngjyra: që nga djepi i fëmijës e deri te dollapi i shtëpisë.

Shkëlqimi i shqiptarëve të qytetit
Edhe vetë shqiptarët e qytetit shkëlqejnë në “ngjyra” të shumëllojshme: ata nuk parakalojnë vetëm me qeleshen e bardhë, të vogël e të krekosur; ata mbajnë edhe fesin turk të lartë, por të bardhë dhe pa thumb (pompom); ose edhe një lloj kapeleje të kuqe, të gjerë e të ulët, me një tufë të zezë, të dendur e të gjatë, që u bie deri poshtë në shpinë, si në Malin e Zi fqinj. Të tjerëve u varet kripthi shqiptar mbi zverk; por kur dua ta fotografoj këtë grup, ata murmurojnë dhe futen në një tavernë pa dritë, ku mblidhen në një qoshe dhe kërkojnë t’u shërbejnë raki... Çitjanet e gjera përbëjnë mesin e rehatshëm në shumëllojshmërinë dhe zhvillimin që shkon nga ngushtësia e përshtatshme për kalërim, te pantallonat fund të mbyllura te burrat, e deri te fustanella e palosur që fërfëllon; në shumë nuanca të larmishme. Kapelat e diellit i mbrojnë dhe i mbështjellin oficerët, pothuajse si gratë turke.
Në pazarin e Shkodrës
Fshataret shqiptare të krahinës malore të Mirditës qëndrojnë nëpër rrugicat e pazarit, pas koshave të tyre të varfër me perime; të mbështjella me lecka, pothuajse si mumie, sikur të ishin edhe vetë një deng malli i shitshëm; vetëm majat e gishtave të lyer me këna dalin jashtë veshjes që mbulon gjithçka, dhe një palë sy të mekur vështrojnë mjerueshëm nga burgu i rrobave të mbledhura... Qytetarja shqiptare katolike parakalon mbi nallane druri, me fustane të kuqe në formë këmbane dhe me kostume të fryra, pa formë dhe që fshehin format, si thasë të gjallë e të larmishëm që ecin; dhe mbi të gjitha këto fronëzon si një mbulesë koke me dy rriza që varen... Ndërsa vajzat katolike shqiptare të qytetit janë krejtësisht të mbuluara: të maskuara si të marra të mbyllura ose si lebrozë të frikshëm, me çarçafë të mbuluar me lule; figura pa vështrim, ku u duket vetëm maja e hundës, misterioze si gjyqet e errëta të një urdhri dënues të Mesjetës, ose si një i arratisur i maskuar. Një pazar i tillë ngjan si një lojë qesharake maskash në shkëlqimin e diellit përqeshës... si një maskaradë e çmendur... si një maskaradë në kështjellën e Kapuletëve në Veronë. Dhe saktë: aty sërish më vijnë në vesh tinguj italianë. Fillimisht shqip: për gjak të Jezu Krishtit; pastaj italisht: për Shën Marinë kështu fillon lypja ngulmuese, jo nga malësorët e varfër por krenarë, por nga qytetarët llogaritës, të cilët janë korruptuar nga Italia matanë detit. Aq ngjitës dhe aq gënjeshtar më qepen pas thembrave, pikërisht si në Napolin llafazan.
Napoli dhe Shkodra shtrihen pothuajse në të njëjtën vijë ajrore të të njëjtit gradë, e bashkë me to edhe Pompeji. Shkodra e sotme rrjedh ende nëpër rrugica të ngjashme me ato që po gërmohen nga Pompeji i mbuluar i Perandorisë Romake: gurë katrorë tërthorë në mes të rrugës synojnë të mundësojnë kalimin e shtigjeve të përmbytura nga rrebeshet e shiut dhe të baltosura si pasojë e mungesës së kanalizimeve. Mure shtëpish pa dritare e mbyllin vatrën familjare nga e gjithë bota e jashtme dhe hedhin në rrugicat e ngushta hije mbrojtëse, sërish si në Bagdadin arab apo në Pompejin e vjetër... Në pika të tilla, Shkodra mund të shfaqet aq e përgjumur dhe aq ëndërrimtare, sikur hapi rrapëllitës i historisë turko-veneciane-serbe të mos e kishte zgjuar e as ndryshuar kurrë, dhe sikur të ishte edhe sot pikërisht si para dy mijë vjetësh, siç na e përshkruan Livi qytetin Scodran të mbretit ilir, Gentit, apo më pas të perandorit romak Dioklecianit, kështjella e lindjes të të cilit qëndron matanë maleve shqiptare.
Forumi i Romës së vjetër në Shkodrën e sotme është Sheshi i Parrucës. Atje, ku ai oficeri më la të më shërbenin pijen e mirëseardhjes. Brenda dhe para tavernave të kafesë aty bashkohet “opinioni publik” i politikës, në pëshpërimat dhe thashethemet e kritikave njerëzish që grinden. Atje, në tymrat e cigares, ndizet lënda djegëse e konspiracioneve të heshtura dhe atje, në avullin e kafesë, nxehet trazira deri në demonstratë të zhurmshme. Fama crescit eundo! (Fama rritet duke ecur!). Xhamia ngjitur pastaj mbushet si vendmbledhje popullore për fjalime e diskutime, ndërsa pazari jashtë zbrazet dhe “mbyllet, bllokohet” – shenjë kjo e bojkotit politik, e grevës së përgjithshme, e pakënaqësisë dhe pasigurisë së përgjithshme. Dhe pushka dhe revolveri janë atëherë “mjetet e punës” së shpejtë…
Pothuajse një orë rrugë në këmbë e ndan Sheshin e Parrucës dhe qytetin nga Pazari. Fushat me misër dhe ullishtat shoqërojnë rrugën e mbuluar nga retë e pluhurit. Ky është Pazari i Madh i Stambollit i zhvendosur në Shkodër, rrëzë Akropolit të kështjellës turke (Kalasë së Rozafës) e tillë është vendndodhja e izoluar e këtij pazari labirinthik e me shumë degëzime, në të cilin vetëm punohet e tregtohet, por kurrë nuk banohet e as flihet. Kjo është lagjja e bizneseve, City i Shkodrës, por krejtësisht veçmas. Drita e diellit që lind u prin pothuajse të gjithë burrave në një marshim masiv nga Shkodra drejt tij, dhe zhdukja e diellit mbyll në rrugicat e ngushta, me një hov të natyrshëm ligjor drejt mbrëmjes, dyqanet e errëta pas dërrasave të drunjta; dhe të gjithë nxitojnë sërish drejt shtëpisë... Argjendari, me filigran të hollë dhe me gurë të çmuar zbukuron pistoletat dhe kutitë e fishekëve, dhe rrah çekanin mbi dorezat e këllëfët e jataganëve dhe kamave. Qëndisësi i arit, i cili u jep ornamente të pasura mantelit të grave dhe xhaketës së burrave. Cizeluesi dhe tushieri; tjerrësi i mëndafshit, shalëpunuesi dhe rripëpunuesi; poçari, mjeshtri i kallajit dhe kazanxhiu; bukëpjekësi dhe kasapi. Të gjthë këta vijnë prej çdo besimi fetar; por asnjë hebre i vetëm nuk jeton në Shkodër. Në këtë pikë, ky qytet bregdetar shqiptar është kundërshtia e pastër e Selanikut maqedonas: atje, hebrenjtë e dëbuar nga Spanja fanatike e krishtere në kohën e Ferdinandit Katolik, falë tolerancës myslimane-turke gjetën një atdhe të dytë e më të mirë, të cilin tani e sundojnë aq shumë, sa që Baroni von der Golc e ka quajtur dikur Selanikun si qytetin me 100 mijë njerëz, nga të cilët 105 mijë janë hebrenj dhe vërtet, atje janë gjithçka: tregtarë e akademikë, zejtarë e fshatarë, varkatarë e hamaj, burra të fortë e të lidhur me mjekra patriarkale. Edhe këtu në Shkodër paska ardhur dikur një hebre i varfër, kështu thotë anekdota shqiptare: edhe ai në Pazar e kishte sjellë një kungull si pasurinë e tij të vetme. Atje paska pyetur fëmijët që luanin në pluhur se ku dhe si mund të bënte tregti, pasi ishte i uritur dhe donte të fitonte diçka; dhe ata e paskan këshilluar: “...ai fillimisht duhet të hante brendësinë e kungullit të tij që të ngopej, dhe pastaj nga lëvozhga të skaliste një kandil dhe ta shiste atë për disa piastra”. Atëherë hebreu qe kthyer mbrapsht dhe kishte shkundur pluhurin e Shkodrës nga shojet e tij: aty ku fëmijët që në vegjëli kanë një ndjenjë të tillë biznesi, një hebre nuk ka asgjë për të fituar. Që prej asaj kohe, kështu thotë gojëdhëna asnjë hebre nuk është dukur më në Shkodër. Vendin e getos hebreje e ka zënë prej kohësh mëhalla e kaurëve, lagjja e të krishterëve: krahas 22 mijë myslimanëve, tani në Shkodër jetojnë 13 mijë të krishterë, prej të cilëve 12 mijë të konfeksionit romak-katolik dhe 1 mijë greko-ortodoks.
Shkodra e rrezikuar prej fqinjëve
Shetitja ime më nxjerr më në fund jashtë rrëmujës së Pazarit dhe më çon lart drejt kështjellës së vjetër (Kalasë së Rozafës) ku qëndron garnizoni turk... Roja ma ndalon hyrjen: duhet të kem një leje me shkrim. Por unë nuk mund ta kem një vërtetim të tillë, sepse fillimisht nuk kisha fare ndërmend të ngjitesha këtu lart. Edhe referimi im te leja e kalimit e Gjeneralit – Komandant nuk vlen: këtu ka të drejtë të urdhërojë vetëm komandanti i vendit. Nuk zemërohem; njëherë sepse në Orient “fatalizmi i kismetit” m’i ka hequr prej kohësh të gjitha reflekset e zemërimit si një barrë të kotë dhe të pashëndetshme, dhe pastaj edhe sepse kjo disiplinë e re më pëlqen...
Shtrihem mes shkëmbinjve dhe shkurreve... Breshka të mëdha luajnë mbi pllakat e gurit, ato fërshëllejnë dhe gugasin, rrotullohen dhe kërcejnë, pothuajse me gracinë dhe muzën e racës së fëmijëve të Klejt te “Simplicissimus”... Vështrimi shijues bredh larg: mbi pullazin e shtrirë gjerë të pazarit të ulët... dhe mbi rregullsinë e rrafshët e të lëmuar të qytetit oriental. Mes tyre errësohen pikat dhe sipërfaqet e kopshteve të fshehura: vreshta të vjetra gërshetohen mbi fikun gjigant, oleandri i lartë ngrihet krah shegës lozonjare, dafina e gjelbër shkëlqen para qiparisit të zi, në harlisjen e lëngshme të vegjetacionit jugor...Poshtë rrjedh lumi i Bunës nga liqeni i Shkodrës drejt Detit Adriatik, përmes grurit që lëkundet dhe misrit të lartë sa njeriu, duke ndryshuar mes kënetëzimit të llumtë dhe përmbytjeve të papritura. Dhe ujërat e Drinasës derdhen në degëzime të shumëllojshme në Bunë... nga rrafshnalta e Zadrimës, duke e mbuluar e ndryshuar atë me një vullnet të vrazhdë e arbitrar, aq sa zelli dhe dëshira njerëzore rrëzohen të pafuqishme. Një rregullim i rrymës së lumit mund dhe duhet të kthente pjellorinë e re në rregull dhe ta shtynte drejt lulëzimit e pjekjes, aty ku tani folezojnë mjellmat e egra dhe rosat fluturuese... Andej shtrihet Liqeni i Shkodrës i pasur me peshk, dhe velat katrore të lundrave vendase fryhen nga era e malit, që fshikullon mbi kufirin turko-malazez... Kreshtat e zeza të Malit të Zi ngrihen me maja kërcënuese: atje folezon “Skifteri i Zi” i Malit të Zi dhe përgjon që të sulet mbi liqen e deri poshtë në fushë, drejt detit, për të marrë ushqim të pasur për folenë e tij të uritur që po rritet. Por këtej, “Shqiponja” shqiptare, Shqyptari, hap krahët e saj zhurmues dhe kthetrat e mprehta mbi Shqypninë, duke u lëvizur e tensionuar lirshëm, por edhe duke u tërbuar egërsisht kundër foleve të veta shkëmbore dhe duke u ushqyer në mënyrë grabitqare me palcën e vetvetes…
Ankthi dhe varfëria po e shkretëtojnë edhe luginën. Kështu tregon Konsulli i Përgjithshëm austriak, Ippen, në Shkodër…
Dora e të gjithëve kundër të gjithëve në Shqipëri, kjo është traditë e vlefshme atje; dhe krahu turk nuk mbërrin brenda e as nuk ndërhyn dot në mes. Kjo është Turqia e vjetër në Shqipërinë e vjetër. Por në vakt të vezirit kjo “kohë e mirë e vjetër” tani ka marrë fund. Sinjali tingëllues i burisë së rojës turke më zgjon nga ëndërrimet e mia të mbrëmjes mbi Shkodrën: nesër do të kalërojmë lart drejt atyre maleve, majat e të cilëve arrijnë 2000 metra, në Mirditën e shmangur deri më tani nga turqit, e cila mund të rreshtojë 15 mijë burra të armatosur.
Orienti shqiptar i kohës së vjetër po i afrohet fundit. Orienti i Shqipërisë po merr një kuptim të ri përmes Turqisë së përtërirë: ai duhet të bëhet lindja e diellit të teknikës dhe qytetërimit evropian edhe për malësinë shqiptare.
Orienti shqiptar duhet t’i hapë rrugë marshimit të Evropës; sepse jeta e re duhet të lulëzojë në tokën e rrënojave romake.
ПРОЧИТАЈТЕ ТАКОЂЕ: