КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Додатак за културу

Година 1910: Овај албански Скадар европске Турске

Албанско свештенство: фрањевци, свештеници и језуити на Скадарском језеру (Фото: Ернст Јек)

Албанско свештенство: фрањевци, свештеници и језуити на Скадарском језеру (Фото: Ернст Јек)

Sipas dëshmisë së gazetarit dhe diplomatit gjerman Ernst Jäckh (1875 - 1959) libri “Në kampin turk të luftës përmes Shqipërisë” është kronologji e përjetimeve të tij përgjatë “krizës shqiptaro-turke: gjatë marshimit luftarak të ushtrisë turke përmes Shqipërisë kryengritëse në verën e vitit 1910”. Brenda faqeve të librit autori atëbotë i ka përfshirë edhe territoret që më vonë do të ngelin jashtë Shqipërisë londineze. Në fakt Jäckh, ishte i ftuari i Shtabit të Përgjithshëm turk, gjegjësisht i caktuar nga vetë ministri i luftës, Mahmud Shefqet Pasha që të jetë pjesë e shtabit përgjatë fushatës së çarmatosjes së shqiptarëve. Kemi veçuar qëndrimin e Ernst Jäckh në Shkodër dhe midis tjerash edhe takimin e tij me fotografin e njohur Kel Marubi dhe personalitete të tjera. Gjatë gjithë udhëtimit autorin e ka shoqëruar gjakovari Nikolla, që sipas dëshmisë përveç gjermanishtes i njihte edhe disa gjuhë të tjera. Libri është botuar në vitin 1911. Titulli dhe mestitujt janë të Redaksisë

Udhëtimin e tij, Ernst Jäckh e ka nisur në Shkup, më pastaj ai ndjek më për së afërmi ngjarjet në Ferizaj por edhe kryengritjen e Idriz Seferit në Grykën e Kaçanikut, për të vazhduar drejt Shtimjes dhe Prizrenit. Në vazhdim, Jäckh kalon në krahinën e Mirditës, bile këtë vizitë ai e konsideron si privilegj të veçantë duke pasur parasysh se hyrja e ndonjë të huaji në Mirëditë thuajse ishte e pamundur. Ndërsa para përfundimit të udhëtimit krah Shtabit të Përgjithshëm turk, në krye me Shefqet Turgut Pashën, autori pritet në Dibër, Gostivar dhe Tetovë, duke u kthyer sërish në Shkup, pra atje prej nga ishte nisur.

“Ne duam të mbetemi shqiptarë dhe nuk do të bëhemi osmanlinj”

“Il fanatismo è morto sotto il governo liberale!“ Fanatizmi ka vdekur nën regjimin liberal! – kështu më siguron një qytetar shqiptar në Shkodër, një i krishterë katolik, tregtar me profesion, me rastin e një debati mbi epokën xhonturke dhe punën e saj dyvjeçare. Shkodrani flet italisht në këtë qytet shqiptaro-turk.

Këtë diskutim e pata te fotografi (Kel) Marubi; edhe ai është një qytetar shqiptar katolik dhe mërmërit: ‘Ne duam të mbetemi shqiptarë; ne nuk do të bëhemi osmanlinj. Komanda ushtarake turke ka pezulluar gazetën tonë të bashkimit shqiptar ‘Bashkimi’ dhe ka mbyllur shkollën tonë shqipe; aty brenda tani është vendosur Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë operacionale turke!’ Dhe kur pyeta nëse shkrimtari austriak Baroni Nopça, gjeolog me profesion, por edhe politikan në kohën e lirë, po e hulumtonte sërish Shqipërinë, Marubi thotë me ironi të hidhur: ‘Tani? Jo!’ Tani Austria nuk ka më se çfarë të kërkojë te ne në Shqipëri!” Zhvillimin e pllakave të mia fotografike mund dhe ia paguaj këtij shqiptari në Shkodrën turke me valutën austriake Guldën. 

Shembuj të tillë mund të tregojnë çështjen shqiptare në versionin e saj shkodran. Po ashtu, është fakt i mbushur me probleme që popullsinë shqiptare të kësaj Shkodre turke e rrethojnë me një kujdes xheloz faktorët e mëposhtëm: Valiu guvernator turk dhe imami mysliman, një ipeshkv romak-katolik, një abat romak-katolik dhe një peshkop greko-ortodoks, një kolegj jezuitësh dhe një manastir françeskanësh, urdhri i Servitëve dhe motrat e Shën Vinçencit, si dhe konsujt e përgjithshëm të Italisë dhe Austrisë, të Francës dhe Anglisë, dhe të Malit të Zi dhe herë pas here edhe një “Kryetar i Lidhjes Shqiptare”. Dhe gjithë ky concours, gjithë kjo konkurrencë zhvillohet në një qytezë prej 35 mijë shpirtrash bashkangjitur këtu edhe krerët e fiseve malësore në brendësi të vendit.

Kel Marubi (1870 – 1940) Foto: Ernst Jäckh

Kjo Shkodër shqiptare e Turqisë evropiane është ekstremiteti i skajshëm i Perandorisë Osmane, ballina e rrahur nga dallgët që zgjatet drejt detit dhe drejt tokës së politikës evropiane. Ashtu si Shkodra aziatike (Usküdari) andej, në qoshen e Anadollit në ‘kokën’ e Konstandinopojës, që i ngjan mjekrës së trupit turk, kjo Shkodër shqiptare duket se përfaqëson ‘perçen’ shqiptare, tufën e flokëve në skalp, aty ku armiku lakmitar kërkon të kapet dhe ta mbërthejë, në pikën më të rëndësishme e më të prekshme, si me grusht kërcënues, ashtu edhe me shpifje dobësuese.

Në zyrën e Valiut të Vilajetit të Shkodrës

Jam te Guvernatori i Përgjithshëm i provincës, te Valiu i Vilajetit të Shkodrës, Bedri Pasha: tek ai shoh dhe njoh një burrë të mençur, shpirtndritur, por edhe fizikisht të ligsht; energjik dhe tolerant, patriot të gatshëm për sakrifica dhe me vullnet të fortë kombëtar; një gurthemel i respektuar i regjimit xhonturk dhe i njohur nga të gjithë si karakter i besueshëm, një nga ato pak personalitete që spikasin vazhdimisht nga moria e përshtypjeve të udhëtimit...

Sapo jam kthyer nga Shqipëria në Gjermani, kur një mëngjes vjen në redaksi depeshi i një agjencie ndërkombëtare lajmesh: Bedri Pasha në Shkodër qenka arrestuar për tradhti të lartë dhe qenka transportuar në Stamboll para Gjyqit Ushtarak! Nuk mund ta besoj dhe pyes: nëse kjo i ndodh një “druri të njomë”, çfarë do të bëhet me “të thatin?” Dhe e hedh telegramin në koshin e letrave. Por, shpejt lexoj në një gazetë të Berlinit një artikull antiturk dhe albanofil nga Dr. Virthi, i cili komenton me një politikë hamendësimesh të nxituara: “Italisë i paska dorëzuar dokumente të rëndësishme nga Shqipëria, askush më pak se vetë Valiu i Shqipërisë së Veriut. Unë personalisht nuk kam asnjë arsye ta dua veçanërisht, pasi ai më dëboi nga Shqipëria pranverën e kaluar. Bedri Pasha, Valiu, turk me origjinë me sa duket arabe është dërguar nën shoqërim në Stamboll për t’u përgjigjur për tradhti të lartë. Mund të dyshohet se bëhet fjalë për një bashkim mes arabëve dhe shqiptarëve”.

Shefqet Torgut Pasha (Foto: Ernst Jäckh) 

Përkundër këtij “dyshimi” tejet të nxituar, Bedri Pasha vazhdon të jetë në detyrë edhe sot, duke gëzuar besimin e plotë të qeverisë turke, si dhe të gjithë konsujve të përgjithshëm që e vlerësojnë veçmas atë. Sërish, asnjë fjalë nuk ishte e vërtetë nga ajo përrallë rrëqethëse! Ky është një shembull tipik se si bëhet “politika shqiptare” mbi bazën e burimeve të helmuara, origjinën e të cilave një diplomat austriak dikur e ka karakterizuar kështu: “Të krishterët evropianë duhet të turpërohen që përsërisin fjalët e grekëve dhe romakëve paragjykues e idhujtarë, dhe që pinë nga pellgjet e tyre kundërmuese”. Ky paralajmërim i vjetër mund të përsëritet dhe të theksohet edhe sot, por me një shtrirje edhe më të gjerë drejt kabllos angleze dhe agjencive ruse në Orient. 

Te konsulli austriak Zambur 

Kam qenë edhe te Konsulli i Përgjithshëm austriak, të cilit i janë besuar njëkohësisht edhe interesat e Perandorisë gjermane. Konsulli Riter R. von Zambaur më pret me një mikpritje të vëmendshme dhe vihet plotësisht në dispozicionin tim me këshilla dhe vepra. Mirëpo, kur unë i përgjigjem pyetjes së tij mbi qëllimet e mia, duke i thënë se do të ngjitem lart në Mirditën e pushtuar nga trupat ushtarake, ai tund kokën duke më këshilluar kundër: kjo, mjerisht, nuk shkon; ai sapo kishte liruar nga burgu dhe ishte dëbuar përtej kufirit një shkrimtar gjerman që kishte guxuar të hynte në Shqipëri, dhe së fundmi nuk kishte mundur të siguronte leje as për dy korrespondentë të tjerë nga Berlini. Unë e falënderoj dhe e befasoj atë me faktin e kryer të lejes sime të posaçme nga Shtabi i Përgjithshëm... Më kërkon që të raportoj më vonë. Deri më tani, të gjitha raportimet dhe përshtypjet vetjake të Konsullit të Përgjithshëm austriak kanë konfirmuar: për një udhëheqje lufte rreptësisht dhe pa përjashtim të drejtë, si dhe një disiplinë ushtarake të guximshme dhe të besueshme... Ndërsa jashtë, në Evropën e largët, gazetat mbushen me tmerre rrëqethëse të mizorive barbare: “Shefqet Torgut Pasha dhe soldateska e tij jo vetëm që varin njerëz, por edhe vrasin, djegin, dhunojnë dhe plaçkitin me qejf gjithandej”.

Pati raportime sikur bëhej fjalë për një lloj fshirjeje mesjetare nga hordhitë shkatërruese të Hunëve apo murtaja e uritur për plaçkë e ushtrive të Valenshtajnit; ose edhe në stilin e përshkrimeve franceze të vitit 1870, që e personifikonin “invazionin prusian” me egërsira mizore e të vrazhda, të cilët i shponin fëmijët pas murit dhe i çanin gratë me bajoneta!...

Gjeneralët dhe trupat turke mund të ngushëllohen me mësuesit e tyre gjermanë; dhe kur komandanti i lartë, Ferik Shefqet Torgut Pasha, do të pritet në Berlin nga Perandori gjerman ai do të mund të dëshmojë se disiplina ushtarake gjermane e vitit 1870 ka shërbyer si model për udhëheqjen turke në Shqipëri. Merhaba asker! (Përshëndetje ushtar!) Qoftë me shëndet luftëtari!

Grua katolike shqiptare në Shkodër (Foto: Ernst Jäckh)

Shkodra – tokë austriake

Edhe në rezidencën e ipeshkvit romak-katolik në Shkodrën shqiptaro-turke, unë shkel në tokë austriake: Austria e paguan kultin katolik në Shqipëri prej gati 200 vjetësh, që nga Traktati i Paqes së Pasarovitit, i cili i dha asaj protektoratin mbi kishat katolike në Shqipërinë e vjetër turke.

Kështu, në qytet punojnë Motrat e Mëshirës të Shën Vinçenc de Paulit, të ardhura nga Zagrebi i Kroacisë; dhe kështu, në kasollet e famullive ndër male, shërbejnë priftërinj nga Tiroli italian, të cilët flasin shqip dhe italisht; e kohët e fundit edhe nga Tiroli gjerman dhe Shtajermarku, për të frenuar dhe për të thyer hovin e rrymës gjuhësore italiane përmes një prurjeje austro-gjermane. Ironia e fatit e do që vetë Austria të bëjë propagandë gjuhësore për rivalin e saj italian, qoftë edhe përmes vijës së saj lundruese “Austrian Lloyd” (Lloyd Austriaco), që niset nga Trieshta dhe përshkon Detin Adriatik e që italianët e quajnë “mare nostro” pjesërisht me kapiten dhe oficerë austriakë nga Istra dhe Dalmacia por që flasin vetëm italisht. Këtë e kam përjetuar edhe vetë në një avullore të tillë, kur dy vjet më parë, nga largësia e detit, isha në gjendje të shihja për herë të parë me mall kulisat malore të Shqipërisë…

Edhe ipeshkvi, Imzot (Jak) Sereçi, flet shqip dhe italisht; ai është shqiptar nga lindja dhe i shkolluar në kolegjet italiane të Austrisë. Ipeshkvi më pret në sallën e tij të audiencave me një madhështi solemne, veshur me petkun vjollcë, me kryqin e artë në gjoks; trupmadh dhe i gjatë, i mirë dhe i thjeshtë në komunikim. Nikolla im, shqiptari katolik nga Gjakova atje tej, të cilin për herë të parë në jetën e tij ky udhëtim me mua po e sjell përmes Shqipërisë deri në Adriatik dhe në këtë dioqezë, bie në gjunjë dhe puth unazën e peshkopit në dorën që po e bekon. Unë vetë, si protestant gjerman, në këtë situatë ndihem paksa i papërvojë dhe i ngathët; përkulem dhe ulem përballë kësaj figure të nderuar. Ipeshkvi urdhëron të na shërbejnë limonadë... Nikolla tregon në shqip të dhënat e mia personale, ndërsa Imzoti vazhdon të bisedojë me mua në italisht: ai thotë se i do fëmijët e tij shqiptarë. Bambino, fëmijë! Ky, thotë ai, është emërtimi i duhur për shqiptarët; ata janë po aq të paedukuar sa një fëmijë dhe po aq të egërsuar sa një fëmijë. Nuk duhet harruar se gjatë 400 vjetëve të kohës turke kishte mungesë totale të disiplinës. Po t’i trajtosh fëmijët – shqiptarët siç duhet, shtuar edhe faktin se ata janë edhe inteligjentë nga natyra, atëherë rezulton se këta fëmijë – shqiptarët do të jenë punëtorë e të vullnetshëm dhe si fëmijë të mbarë. Këtë duhet ta bëjë regjimi i ri tani, para se veset e fëmijës të kthehen në degjenerim të burrit. Shqiptari, thotë ai, është i guximshëm dhe trim në luftë, dhe tani paraqitet me dëshirë edhe për shërbim ushtarak; por ai dëshiron të mbetet në atdheun e tij të dashur dhe të mos shpërngulet drejt Azisë së Vogël apo Stambollit. Shqiptari është armiku natyror i sllavit, pra i armikut kufitar të turkut kudo përreth, për shkak të antipatisë racore dhe kundërshtisë kishtare. Dëshmi dhe shembull, nga e kaluara dhe e tashmja: kur pas luftës turko-ruse të vitit 1878, Traktati i Berlinit dhe rrjedhimisht edhe qeveria turke, deshën dhe u desh t'u dorëzonin aleatëve sllavo-rusë, Malit të Zi dhe Serbisë, nga një pjesë të territorit shqiptar, shqiptarët u mbrojtën deri në pikën e fundit të gjakut kundër pushtetit të Malit të Zi sllav e ortodoks, që po u imponohej nga ana turke dhe me pushkë në dorë ata arritën të siguronin një korrigjim të traktatit dhe kufijve evropianë në favor të Turqisë. Madje edhe tani: sapo politika e helenizmit sllav kërcënon ekzistencën turke në Kretë, shqiptarët i harrojnë menjëherë mosmarrëveshjen e tyre me turqit, atë querelle albanèse apo questione albanese, dhe kërkojnë menjëherë që të lejohen të marshojnë si ushtarë turq drejt kufirit grek. Prandaj, Ministria turke e Luftës – kështu këshillon Ipeshkvi, duhet t’i marrë parasysh këto bindje dhe disponime shqiptare duke formuar regjimente shqiptare që të stërviten në garnizone shqiptare. Atëherë nuk do të kishte nevojë të transportohej asnjë njeri nga trupat turke prej pjesëve të tjera të Perandorisë drejt kufijve të shqetësuar dhe të pasigurt të Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë, me mundime të mëdha dhe kosto edhe më të larta. Por, Turqia e re duhet gjithashtu ta hapë më në fund Shqipërinë e vjetër: përmes rrugëve dhe urave, përmes një hekurudhe nga Shkupi në Shkodër, dhe përmes rregullimit të lumit Dri, fuqitë ujore të të cilit tani vetëm shkatërrojnë dhe asgjësojnë, aty ku mund të krijonin pjellori dhe të prodhonin pasuri. Atëherë Shqipëria mund të ketë një të ardhme të madhe, falë drurit dhe mineraleve të saj, qymyrit dhe hekurit të saj – kështu përfundon Ipeshkvi.

Dua të di ende diçka mbi veçantinë e “Lidhjes Shqiptare”. Por Ipeshkvi buzëqesh dhe bën me shenjë: “Unë në fakt nuk jam politikan, jam tashmë i moshuar dhe i qetë. Për këtë duhet të pyesni Abatin, Imzot Doçin; ai është një shpirt i zjarrtë dhe e njeh botën. Keni qëlluar pikërisht me kohë këtu: ai ndodhet tani në Shkodër; ndryshe ai rri lart në malet dhe pyjet e Oroshit”. E falënderoj dhe largohem me bekimin e Ipeshkvit...

Наставак у следећем броју Културног додатка 

Приредио: Скендер Латифи