КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Мишљење

Хашка пресуда

(UÇK-ja dhe beteja gjeopolitike për Republikën e Kosovës)

Më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara në Hagë do të shpallin aktgjykimin ndaj katër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Gati 6 vjet paraburgim dhe mbi tre vjet shqyrtim gjyqësor, nuk janë vetëm padrejtësi individuale ndaj të akuzuarve, por edhe një betejë e stërzgjatur juridike për të vërtetën e Kosovës. Formalisht, Gjykata nuk do të vendosë për drejtësinë e luftës së UÇK-së (KSC-OFFICIAL, 03.04.2023) apo legjitimitetin e ndërhyrjes së NATO-s (1999), por teoria e Prokurorisë e ka pamundësuar epilogun individual të këtij procesi. Thelbi i aktakuzës me pretendimin për Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale (NPK), e bën 16 shtatorin një moment historik në betejën narrative për të vërtetën e luftës çlirimtare (KSC-BC-2020-06).Mbi këtë bazë, në Prishtinë, Shkup, Tiranë dhe disporë janë organizuar protesta e mbështetje qytetare për të akuzuarit, me bindjen në pafajësinë e tyre, të fuqizuar sidomos nga dëshmitë e ish-zyrtarëve të lartë perëndimorë.

I. NPK përballë të vërtetës

Në një luftë të armatosur, sidomos në rrethanat e organizimit gueril të UÇK-së, mund të ndodhin krime, por jo domosdo si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale. Mund të ketë individë që kryejnë vepra penale edhe pa qenë pjesë e një politike të centralizuar. Mund të ketë struktura formale pa kontroll real, si dhe mund të ketë drejtues që nuk kanë autoritet efektiv në terren. Kjo është linja mbi të cilën Mbrojtja e ka ndërtuar kundërshtimin e aktakuzës së Prokurorit të Specializuar. Pra, përgjegjësia për një krim dhe ekzistenca e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale nuk janë e njëjta gjë. Çështja në rastin Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi nuk është nëse janë kryer krime, por nëse ZPS-ja ka arritur ta provojë lidhjen e tyre me qëllimin e përbashkët kriminal dhe pjesëmarrjen e të akuzuarve për realizimin e tij. Ky dallim është përcaktues për procesin. Pozitat brenda një organizate nuk nënkuptojnë me automatizëm kontrollin efektiv dhe as dijeninë për çdo veprim në terren. Prandaj, krimet potenciale s’mund të transformohen pa prova në politikë kriminale të tërë organizatës. Në këtë kuptim, përtej asaj që është parë dhe asaj që s’është parë gjatë procesit në Hagë, dëshmitë e James Rubin - këshilltar i sekretares Albright dhe zëdhënës i Departamentit të Shtetit gjatë luftës, Paul Williams - këshilltar i delegacionit të Kosovës në Rambuje, Wesley Clark - Komandant Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Europë, John Duncan dhe Michael Durkee - këshilltarë të tij, Christopher Hill - përfaqësues special i SHBA-së në Kosovë gjatë luftës dhe James Covey – zëvendësshef i misionit të UNMIK-ut, duken vendimtare. Si njerëzit kryesorë që e kanë njohur UÇK-në, që kanë negociuar me drejtuesit dhe komandantët e saj dhe që kanë pasur qasje në informacione ushtarake e inteligjente, s’mund të anashkalohen në raport me pretendimin e ZPS-së. Dëshmitë e tyre, sipas të cilave UÇK-ja ishte një organizatë e fragmentuar dhe me komandantë zonash pa hierarki, e bëjnë pothuajse të pamundur argumentimin e një projekti kriminal të centralizuar (Koha, 03.01.2026). Barra e provës i ka takuar Prokurorisë, mirëpo sipas avokatëve, provat që do të vërtetonin lidhjen e krimeve me qëllimin e përbashkët kriminal të katërshes së UÇK-së, kanë munguar (Justiceinfo.org, 20.02.2026). Ndërkaq, pretendimi për fushatën e dhunshme ndaj kundërshtarëve politikë, serbëve e romëve, me qëllim të marrjes së pushtetit dhe kontrollit të plotë të terrorit, jo vetëm që është denigrues për qëllimet e luftës çlirimtare, por edhe i demantuar nga zhvillimet e pasluftës, me rolin e tyre politik sidomos gjatë procesit të Vjenës. Pavarësisht kësaj, në deklaratat përmbyllëse ZPS-ja insitoi që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim, derisa ekipet e Mbrojtjes kërkuan pafajësi të plotë për secilin (KSC &SPO, 9, 13, 16, 18 shkurt 2026). Kështu, palët mbetën në pozicione të njëjta, ndërsa verdikti final në duart e trupit gjykues. Të bindur në pafajësinë e tyre dhe me pritjet për drejtësi, mijëra qytetarë në Prishtinë kanë ‘Marshuar për Liri’, ndërkaq për shkak të peshës historike të vendimit, faktorët ndërkombëtarë kanë apeluar për qetësi, kurse institucionet e sigurisë kanë marra masa për menaxhimin e situatës. Më 16 shtator përfundon beteja juridike për të vërtetën e UÇK-së, mirëpo nuk përfundon beteja gjeopolitike që synon ta tjetërsojë atë.

II. Verdikti në betejën gjeopolitike

Krahas përpjekjeve intensive për ta manipuluar procesin më të madh juridik për Kosovën, Serbia dhe Rusia kanë përgatitur shfrytëzimin e secilit skenar për strategjinë e tyre revizioniste. Lufta narrative për “UÇK-në kriminale” dhe “agresionin e NATO-s” në vitin 1999, do të vazhdojë me retorikën e “Perëndimit të padrejtë dhe me standarde të dyfishta”, duke ashpërsuar “viktimizimin” me “Kosovën represive ndaj serbëve”, në rastin e vendimit lirues, derisa në të kundërtën, gjithçka do të interpretohej si konfirmim i tezave të tyre, me pretendimin që të korrigjohet historia. Për këtë arsye e kanë fuqizuar viteve të fundit strategjinë e mohimit të gjenocidit dhe krimeve të luftës në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë, duke kalkuluar rehabilitimin e projektit të Millosheviqit. Në këtë funksion janë edhe deklaratat e ndryshuara të Vuçiqit, i cili fillimisht “njoftoi” se vendimi do të jetë “kryesisht lirues për Thaçin”, duke iu referuar shërbimeve të tij intelegjente (RTS, 28.08.2026), më vonë alarmoi me gjoja “paralajmërim dhune”, duke kërcënuar se “pas 16 shtatorit do të shpjegojnë çfarë kanë bërë njerëz të komunitetit ndërkombëtar kundër Serbisë në 5-6 vjetët e fundit” (RTS, 03.09.2026), kurse në fund tha se “kishte mësuar” nga burime ndërkombëtare në Paris se “Thaçi do të dënohej rëndë” (RTS, 12.09.2026). E para, për ta përgatitur sulmin ndaj drejtësisë ndërkombëtare si “e njëanshme”, duke mos e pranuar vendimin e pafajësisë, ndërsa e dyta, për ta përgjithësuar dënimin eventual ndaj UÇK-së, si konfirmim nga Haga për “të vërtetën” e tyre të “përndjekjes dhe terrorit” ndaj serbëve. “Udhëheqja kriminale” e UÇK-së do të kornizohej si “luftë kriminale”, për ta “vërtetuar” ndërhyrjen “e padrejtë” të NATO-s. Ky është rreziku gjeopolitik i një vendimi dënues apo “të balancuar” (dy të lirë dhe dy të dënuar), siç flitet prej disa kohësh në Prishtinë, i cili kërcënon arkitekturën euro-atlantike të Ballkanit Perëndimor. Sepse, e kundërta e kësaj do ta vulosë drejtësinë e luftës për liri dhe do ta demolojë përfundimisht strategjinë hibride të revizionimit të historisë, si substrat politik për “Botën Serbe”. Në këtë kontekst duhet të trajtohet edhe kornizimi i propagandës serbe për “presionin që po rritet ndaj gjykatës e komunitetit ndërkombëtar”, duke iu referuar deklaratave në Prishtinë, paralajmërimet nga zyrtarë serbë për “dhunë të mundshme” (Euronews.rs, 15.09.2026), si dhe intensifikimi i përmbajtjeve nxitëse e polarizuese nga llogari të rrjeshme në sferën online. 

III. Mlladiqi dhe testi për Perëndimin   

Nëse pas Vendimit të GJND-së (ICJ, 22.07.2010) kontestimi i Kosovës ishte bërë më i vështirë, strategjia duhej të intensifikonte fabrikimet kriminale. Raporti i Dick Marty-t për “trafikim organesh” e arriti qëllimin: Këshilli i Europës kërkoi hetim të UÇK-së, ndërsa Kosova u detyrua të themelojë një gjykatë speciale. Shtëpia e Verdhë dhe trafikimi i organeve ranë, por Serbia vazhdoi ta furnizojë dosjen kundër krerëve të UÇK-së (Milovan Dreçun: RTS, 20.07.2018). Dënimi i tyre eventual do të përdorej si provë për “kriminalizimin” e UÇK-së, ndërsa lufta çlirimtare së bashku me ndërhyrjen e NATO-s do të merrnin verdiktin “dënues” të drejtësisë ndërkombëtare. Një gjë e tillë do ta legjitimonte ‘nderimin shtetëror’ për kryekriminelin e “drejtësisë selektive”, duke kulmuar me “të drejtën” e popullit serb për t’u mbrojtur nga “padrejtësia historike”. Ceremonia e varrimit të Mlladiqit në Beograd ishte prova që manifestoi vazhdimësinë hibride të projektit të Millosheviqit. Si instrument i tij, i cili vdiq duke vuajtur dënimin e përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe marrje peng të personelit të OKB-së (ICTY, 22.11.2017), ai u varros me nderimet më të larta shtetërore e kishtare në Beograd, duke ringjallur politikën e “bekuar” të dhunës, terrorit e spastrimit etnik për Serbinë e Madhe. Aeroplani qeveritar me kufomën nga Haga, komemoracioni në Shtëpinë e Ushtrisë, liturgjia dhe shërbesa mortore nga Patriarku Porfirije, bartja ushtarake e arkivolit, breshëritë, ministrat, Millorad Dodiku, ambasadori rus, Bocan-Harçenko dhe homazhet e mijëra qytetarëve të organizuar nga Serbia, Republika Serbe e Mali i Zi (RSE, 08.09.2026), janë provat që konfirmojnë Manifestin Politik të “Botës Serbe”, duke rihapur plagët e viktimave dhe duke ‘tronditur’ komunitetin ndërkombëtar (Ројтерс, 08.09.2026). Mirëpo, pavarësisht reagimeve të ashpra nga Brukseli, Serbia jo vetëm që nuk e kaloi “testin europian”, por e ka kthyer testin e saj në “test për BE-në”: glorifikim të Mlladiqit për ta rehabilituar politikën e Millosheviqit, duke e thelluar rreshtimin me Rusinë, për ta minuar Republikën e Kosovës si trofeun e arkitekturës perëndimore në Ballkan.

(Autori është drejtor i Institutit për Studime të Luftës Hibride "Octopus")