КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
ВЕЧЕРЊЕ ВЕСТИ

На поновљеном суђењу Ники сведочи лекарски тим ККМФ-а на Косову Пољу

Endrit Nikaj

Në rigjykimin ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e shtetases argjentinase, Maria Clara Urdangaray, të hënën janë dëgjuar dëshmitë e ekipit mjekësor që i ka dhënë ndihmën e parë viktimës. Doktoresha dhe infermierja kanë rrëfyer komunikimin me të ndjerën gjatë bartjes me autoambulancë, ndërsa kanë dëshmuar edhe për gjendjen e saj pas rënies nga kati i gjashtë i hotelit në Fushë-Kosovë, në gusht të vitit 2023

Në rigjykimin ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për veprën penale “vrasje e rëndë” të shtetases argjentinase, Maria Clara Urdangaray, e cila vdiq në gusht të vitit 2023, pasi ra nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë-Kosovë, janë dëgjuar dëshmitë e ekipit mjekësor që i dha ndihmën e parë viktimës.
Dëshmitaret e propozuara nga mbrojtja e të akuzuarit janë marrë në pyetje të hënën në lidhje me natën kritike. 

Fillimisht, ka dëshmuar doktoresha e QKMF-së në Fushë-Kosovë, Blerina Gashi, e cila ka thënë se për rastin është deklaruar në Polici dhe në Gjykatë.

Pyetja e avokatit Tom Gashi për dëshmitaren, nëse i kujtohej përmbajtja e deklaratës së 5 nëntorit 2025, është kundërshtuar nga gjyqtari Gazmend Bahtiri.

“Gjykata i referohet vetëm dëshmisë së saj në seancën e kaluar. E përsëris se gjithë atë që e ka thënë në procesverbal në Polici, e ndaloj të parashtroni si pyetje, për shkak se nuk është pjesë e shkresave të lëndës”, ka thënë fjyqtari Bahtiri.

Dëshmitarja Gashi ka thënë se viktima, në ditën kritike, kur i ishte ofruar ndihma e parë, ka qenë e vetëdijshme dhe nuk ka pasur dëmtime të dukshme në trup, përveç copëzave të xhamit të thyer që i kanë mbetur në shpinë.

Gashi ka folur edhe për komunikimin që ka pasur me viktimën gjatë rrugës me autoambulancë.

“Emrin, mbiemrin, çfarë moshe ka, a ka tentuar të hidhet vetë apo e ka shtyrë dikush? Përgjigjet e saj si kanë qenë? Dy përgjigjet e saj kanë qenë: ‘Jo, jo’...”, ka thënë ajo.

Ajo është pyetur edhe për terapinë që ia ka përshkruar pacientes, tashmë të ndjerë.

Ndërkaq, në pyetjen e avokatit Leotrim Syla, që përfaqëson palën e dëmtuar, nëse e ka parë Endrit Nikën pranë pacientes, dëshmitarja ka thënë përgjigj se nuk i kujtohet, meqë fokusi sipas saj, ishte vetëm te pacientja.

Dëshminë e saj e ka dhënë edhe infermierja Vlora Maholli.

“Sa më kujtohet, ka thënë: ‘Nuk kam dashur të bie’”, ka thënë ajo.

Pyetja e avokatit Syla nëse Nika apo ndonjë familjar tjetër kishte qenë pranë viktimës është kundërshtuar nga avokati Gashi, me arsyetimin se nuk ka relevancë.

“E ndaloj, se nuk ka relevancë. Prej bartjes deri në autoambulancë, a ju është lajmëruar dikush si familjar i pacientes? – Jo”, ka thënë Gashi.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 shkurt 2026, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Endrit Nikës, duke e dënuar atë me 18 vjet burgim. Por, më 7 gusht të këtij viti, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025, Endrit Nika dyshohet se më 1 gusht 2023, pas një mosmarrëveshjeje me të dashurën e tij, M. K.-U., fillimisht e ka sulmuar fizikisht dhe më pas, në dhomën e hotelit në Fushë-Kosovë, e ka hedhur nga dritarja e katit të gjashtë. Viktima, si pasojë e lëndimeve të marra, ka vdekur në QKUK.