КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
ВЕЧЕРЊЕ ВЕСТИ

Сукоби у истражном одбору Парламента о случају Арлинде Зекај

Komision Hetimor Parlamentar

Фото: Дритон Пацхарада

Me arsyetimin se raportet nga Zyra e Kryeministrit janë dorëzuar me vonesë dhe mospajtimet për listën e dëshmitarëve kanë ngritur tensione në mbledhjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt. Debati mes deputetëve ka kaluar në përplasje verbale, për çka është vendosur që mbledhja të vazhdojë pa praninë e mediave, pavarësisht zotimit të kryesuesit për transparencë

Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje, të hënën i ka vazhduar punimet.

Pjesa më e madhe e mbledhjes ishte e mbyllur për mediat.

E para se të mbyllej, kryesuesi i këtij komisioni, Burim Ramadani, ka thënë se Zyra e Kryeministrit i ka dërguar këtij komisioni raportet e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ka thënë se tash ka filluar bashkëpunimi institucional lidhur me veprimet që do të ndërmerren për rastin.

Por për këto raporte ka pasur kundërshtime deputetit i PDK-së Eman Rrahmani.

Ai e ka cilësuar si të vonuar dorëzimin e raporteve nga Zyra e Kryeministrit, duke ngritur dyshime edhe për ekzistencën e tyre më herët.

“Fillimisht më vjen mirë që Zyra e Kryeministrit paska dërguar tash para një ore dy raportet. Edhe pse unë besoj që është mashtrim dhe arsyeja pse nuk e ka dërguar deri sot është se s’ka ekzistuar ky raport, për shkak që, nëse e shfletojmë edhe e shohim, janë 22-faqe raportet e dy ministrive, pa asnjë nënshkrim të asnjë ministri. E nuk e ke pasur, nuk e ke realizuar, kështu që është shqetësuese situata”, ka thënë Rrahmani.

E atij i ka reaguar anëtari tjetër i komisionit, Adnan Rrustemi, nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Do ta kujtojmë vazhdimisht vetes që jemi pjesë e një komisioni tepër të rëndësishëm, ku bëhet fjalë për një çështje tepër të ndjeshme, po aq sa edhe me efekte në perspektivë dhe për raste të tjera. Vetëm nëse e përjetojmë si të tillë, mund t’i japim kontributin në këtë komision”, ka thënë Rrustemi.

Pas këtij deklarimi, mes dy deputetëve ka vazhduar edhe për pak kohë përplasja verbale.

Ndërsa deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka kundërshtuar listën e dëshmitarëve, duke thënë se në të janë përfshirë edhe persona fizikë që, sipas saj, nuk kanë lidhje me rastin.

“Nuk muj me vazhdu me pranu ligjërime të mos politizimit sepse kur analizoj listën e dëshmitarëve, ju keni përfshirë njerëz që lidhje nuk kanë me institucione shtetërore. Lidhje nuk kanë, ne nuk jemi prokurori e shtetit për t’i hetuar edhe personat fizikë që kanë mund me e njoh familjen e Arlindes. Dhe m’u ka duk bajagi absurde që keni ardhur me një propozim të tillë”, ka thënë ajo.

Megjithatë, kryesuesi i komisionit, Burim Ramadani, është zotuar se i gjithë procesi do të jetë transparent e më pas komisioni ka vendosur që mbledhja të vazhdojë pa praninë e mediave.

Komisioni Hetimor Parlamentar është themeluar më 29 tetor nga Kuvendi i Kosovës dhe ka mandat prej gjashtë muajsh. Ai do të hetojë veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, e cila është vrarë më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

I dyshuar për vrasjen e saj është ish-kunati i saj. Para se të vritej, ajo në disa raste ka paralajmëruar Policinë, Prokurorinë dhe Gjykatën për rrezikun që i kanosej.