КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
KULTURA

Политика утиче на Филмски фестивал у Венецији

Венеција

Edicioni i 83-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecia nis sot më 2 shtator me filmin e Danny Boyle, “Ink”, një dramë për marrjen nën kontroll të tabloidit britanik “The Sun”

Фото: Ассоциатед Пресс

Me vepra për Gazën, Ukrainën dhe Elon Muskun, kinemaja politike është në fokus të edicionit të sivjetmë të Festivalit të Filmit në Venecia. Venecia ua kishte lënë festivaleve të tjera të mëdha evropiane – Berlinit dhe në një masë më të vogël, Cannes – rolin e qendrave të filmave politikë dhe debateve që i shoqërojnë ata. Por tash edhe Venecia ka marrë një kthesë politike

Festivali i Filmit në Venecia përherë ka qenë vendi ku sezoni i çmimeve të filmit vishej me kostumin e tij më elegant. Këtë vit, ai duket më shumë si një dhomë lufte, me politikën dhe kinemanë politike që pritet të dominojnë tapetin e kuq.

Edicioni i 83-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecia nis sot më 2 shtator me filmin e Danny Boyle, “Ink”, një dramë për marrjen nën kontroll të tabloidit britanik “The Sun” nga Rupert Murdoch në vitin 1969 – ngjarje që shënoi fillimin e perandorisë mediatike të krahut të djathtë të Murdochut.

Gjatë 11 ditëve në Lido, publiku do të shohë gjithashtu filma për Izraelin dhe Gazën, luftën e Rusisë kundër Ukrainës, grushtin e shtetit të mbështetur nga CIA në Kilin e Pinochetit, bastisjet e ICE-së (Agjencisë Amerikane për Imigracionin dhe Zbatimin e Ligjeve Doganore) në Minneapolis, si dhe një dokumentar që zbulon në detaje jetën dhe veprimtarinë e njeriut më të pasur në botë.

Drejtori artistik i festivalit, Alberto Barbera, e ka cilësuar këtë si edicionin “më politik” në historinë e Venecias.

Kthesa politike e Venecias

Në garë zyrtare të këtij viti përfshihet “Naza”, një dokumentar nga kineastët izraelitë Yuval Abraham dhe Rachel Szor, të cilët realizuan “No Other Land”. Filmi shqyrton vrasjet e civilëve palestinezë në Gaza nga ushtria izraelite.

Regjisorja amerikano-ruse, Julia Loktev, dokumenton goditjen që Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka dhënë gazetarisë së pavarur në filmin “My Undesirable Friends Part II – Exile”, vazhdim i dokumentarit të saj të vitit 2024.

Filmi “Letters From the Silenced Country” i Andrei Kutsilas, një bashkëprodhim midis DW, ZDF/Arte dhe TVP, që trajton represionin në Bjellorusinë e tij të lindjes, do të ketë premierën botërore në Venecia.

Po ashtu, premierë botërore do të jetë edhe dokumentari katërorësh i Alex Gibneyt për Elon Muskun, “Musk”, një film që njeriu më i pasur në botë e ka dënuar paraprakisht, pa e parë, duke e cilësuar si një “film goditës”.

Laura Poitras, regjisorja fituese e “Oscarit” për Citizenfour, do të shfaqë atë që e përshkruan si një “film të shkurtër horror”: dokumentarin “They’re Here”, të bashkëdrejtuar me Rachel Lauren Mueller. Filmi është ndërtuar mbi pamje të publikuara për herë të parë, që dokumentojnë valën e dëbimeve nga ICE-ja në Minneapolis janarin e kaluar.

Nën drejtimin artistik të Barberas, festivali deri vonë shquhej për reputacionin e një vendi për yjet e kinemasë dhe fushatat për Oscar. Shkoje në Venecia për të parë Timothée Chalamet në tapetin e kuq, ose George Clooneyn dhe Brad Pittin, duke bërë shaka në një konferencë për media.

Venecia ua kishte lënë festivaleve të tjera të mëdha evropiane – Berlinit dhe, në një masë më të vogël, Cannes – rolin e qendrave të filmave politikë dhe debateve që i shoqërojnë ata.

Reagimi politik kundër Berlinit

Por reputacioni i Berlinit si festival i kinemasë aktiviste ka pësuar një goditje të madhe. Tre vjetët e fundit janë parë debatet politike, kryesisht rreth konfliktit izraelito-palestinez, të mbizotërojnë mbi diskutimet për kinemanë në Berlinale, deri në atë pikë sa e ardhmja e festivalit duket e pasigurt.

Në Berlinalen e këtij viti, presidenti i jurisë, Wim Wenders, u kritikua ashpër në internet, pasi tha se kineastët “duhet të qëndrojnë jashtë politikës”. Më vonë, kur regjisori siriano-palestinez, Abdallah Al-Khatib, kritikoi qeverinë gjermane në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, duke e quajtur atë “partnere në gjenocidin e Izraelit në Gaza”, reagimi i ashpër gati sa nuk i kushtoi me vend pune drejtoreshës së Berlinales, Tricia Tuttle.

Venecia, në të kundërt, ka zgjedhur gjatë dy vjetëve të fundit ta përqafojë kinemanë politike.

Përballja me polemikat

Vitin e kaluar pati premierën botërore filmi i Kaouther Ben Hanias, “The Voice of Hind Rajab”. Kjo vepër tronditëse, një doku-dramë që rikrijon vrasjen nga forcat izraelite të një vajze palestineze pesëvjeçare dhe familjes së saj në qytetin e Gazës, u prit me ovacion prej 22 minutash – një rekord për Lidon. Ushtria izraelite ka njoftuar së fundmi një hetim zyrtar për vdekjen e Hind Rajabit.

Vetëm disa ditë më parë, mijëra njerëz marshuan në Lido në protestë kundër luftës në Gaza. Kineastët i kërkuan Barberas ta cilësonte fushatën e Izraelit si “gjenocid”. Ai nuk shkoi aq larg, por foli për “trishtimin e tij të madh” për vuajtjet e palestinezëve.

Megjithatë, drejtuesi i Venecias nuk u tërhoq – as atëherë dhe as tani – nga programimi i filmave që trajtojnë drejtpërdrejt temat më të diskutueshme të kohës.

Ukraina kundërshton filmin “DAU”

Edhe rusë të përzgjedhur nga festivali po shkaktojnë protesta.

Ministria e Jashtme e Ukrainës, Ministria e Kulturës dhe ambasada e saj në Itali kanë paraqitur notë proteste kundër vendimit të Barberas për të përfshirë në garë zyrtare filmin “DAU” të Ilya Khrzhanovskyt, një dramë artistike për jetën nën regjimin sovjetik në Ukrainë. Ukraina kundërshton lidhjet ruse të filmit.

Khrzhanovsky u lind në Rusi, megjithëse ka hequr dorë nga shtetësia ruse dhe tani jeton në mërgim në Berlin. Protagonisti i filmit, dirigjenti greko-rus, Teodor Currentzis, ende jeton dhe punon në Rusi dhe nuk e ka dënuar publikisht luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Në një deklaratë, ministritë ukrainase kanë shkruar se përfshirja e filmit në program “dërgon një sinjal thellësisht shqetësues”, duke pasur parasysh luftën.

Barbera nuk po tërhiqet. Ai e ka quajtur kritikën një “fushatë shpifëse” nga njerëz që nuk e kanë parë filmin.

Khrzhanovsky reagoi në rrjetet sociale më 20 gusht, duke dhënë kundërargumentet e tij: “‘DAU’ nuk është një instrument i politikës kulturore shtetërore ruse”, ka shkruar ai në Facebook. “Është një deklaratë artistike mbi natyrën e së keqes totalitare”.

Yjet ende po vijnë

Venecia nuk i ka braktisur plotësisht yjet e Hollywoodit. Robert Pattinson, i njohur nga “Batman” dhe “Twilight”, do të mbërrijë këtë vit në Lido me filmin “Primetime”, ku luan një producent kontrovers të televizioneve amerikane të reality show-ve.

John Malkovich dhe Sam Rockwell luajnë agjentë të CIA-s në Kili, në prag të grushtit të shtetit të Pinochetit, në filmin “Wild Horse Nine” të regjisorit Martin McDonagh, i njohur për “Three Billboards Outside Ebbing, Missouri”.

Çifti në jetën reale, Javier Bardem dhe Penélope Cruz, luajnë bashkëshortët në filmin “Bunker” të Florian Zellerit, për një arkitekt të ngarkuar të ndërtojë një strehë bërthamore për një miliarder.

George Clooney dhe legjenda 93-vjeçare e aktrimit, Ellen Burstyn, do të jenë në festival për të marrë çmimet “Luani i Artë” për arritje jetësore.

Venecia gjithashtu nuk e ka braktisur rolin e saj si vendtakim për veteranët e mëdhenj të kinemasë – disa prej tyre gjermanë.

Wim Wenders, menjëherë pas stuhisë së “Berlinales”, sjell në Lido një vepër shumë më të butë: një dokumentar 3D mbi punën e arkitektit zviceran Peter Zumthor.

Werner Herzog, “i fundit i të çmendurve” të kinemasë gjermane të viteve ‘70, rikthehet në Venecie në filmat artistikë pas shtatë vjetësh me “Bucking Fastard”, ku luajnë motrat në jetën reale Kate dhe Rooney Mara.

Dhe për ata që duan ta harrojnë për një çast botën dhe thjesht të çlodhen e të këndojnë, yjet e muzikës pop, Liam dhe Noel Gallagher pritet të mbërrijnë në Lido për premierën e dokumentarit “Don’t Look Back in Anger” për ribashkimin e “Oasis”.