КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
KULTURA

„Маснесер“ са својим јединственим језиком преобликује знаке албанске традиције

Изложба „Маснесер“

Motivet tradicionale shqiptare, të shkëputura nga format e tyre të zakonshme dhe të vendosura në një gjuhë bashkëkohore grafike, janë boshti i ekspozitës “Masnesër”, e hapur të enjten pasdite në Galerinë e Arteve të Prishtinës

Me gjuhë personale grafike, artisti Taulant Qerkini, i njohur si TAK, rilexon shenjat, motivet dhe elementet e trashëgimisë kulturore shqiptare, duke ua dhënë atyre një jetë krejt të re në vepra bashkëkohore. Kësisoj, ekspozita e tij “Masnesër” është një lloj hulumtimi dhe dëshmie se si shenjat e traditës s’i takojnë vetëm së kaluarës, por të rrojnë edhe më, me të njëjtën gjallëri. “Synimi është që këto elemente të trashëguara ndër breza të mos mbeten vetëm pjesë e së kaluarës, por të vazhdojnë të jetojnë përmes formave të reja të shprehjes”, ka theksuar Qerkini

Tradicionalja në veprat e artistit Taulant Qerkini është elementi i parë që vërehet për nga aspekti vizual. Me këtë, titulli “Masnesër” ngjan në mesazh që për të ardhmen e ruajtjes së trashëgimisë dhe historisë shqiptare. Artisti edhe ruan e edhe transformon në gjuhë artistike këto elemente tejet estetike. I minimizon ato në korniza, i zmadhon si posterë në mure e i shtron në dysheme si qilim. Në një lloj ode tradicionale e ka kthyer Galerinë e Arteve të Prishtinës me ekspozitën e tij me gjuhë personale grafike. 

Motivet tradicionale shqiptare, të shkëputura nga format e tyre të zakonshme dhe të vendosura në një gjuhë bashkëkohore grafike, janë boshti i ekspozitës së artistit, i njohur për miqtë e tij si TAK. 

E kuqja, e zeza dhe e bardha dominojnë në punimet e artistit, ku format gjeometrike, simbolet dhe motivet e frymëzuara nga trashëgimia kulturore shqiptare ndërthuren në kompozime të ndryshme. 
Në njërin prej mureve janë ekspozuar dhjetë punime të vogla, të vendosura në dy rende, ku motivet gjeometrike dhe format e ndërthurura krijojnë ritëm vizual midis të tri ngjyrave të vetme të përdorura në dhjetëra vepra të ekspozuara në Galeri. 

Një tjetër grup veprash është realizuar në formate të ndryshme dhe me struktura që dalin përtej kornizës së zakonshme. Në njërën prej veprave më të mëdha, motivet e së kuqes shtrihen mbi sipërfaqen bardhezi, duke çuar mendjen tek ornamentet tradicionale në frymën e dizajnit grafik bashkëkohor. 

Ndërhyrja më e madhe në hapësirën e Galerisë është një kompozim i vendosur në mur, pa kornizë, dhe që ka marrë formën e vijave nga të cilat artisti ka thurur pjesët anësore të veprës së tij. 

Artisti Taulant Qerkini ka treguar se ekspozita është rezultat i hulumtimit të gjatë mbi traditën dhe kulturën e trashëguar, të cilën, siç ka thënë, e ka zhvilluar përmes procesit të krijimit.

“Kjo ekspozitë është rezultat i një hulumtimi të zhvilluar gjatë procesit të punës. Përtej punës që lidhet me dizajnin dhe formësimin e veprave, gjithmonë ekziston edhe një qasje personale ndaj traditës dhe kulturës që kemi trashëguar”, ka thënë ai për KOHËN.

Artisti ka shpjeguar se projekti është zhvilluar përgjatë pesë vjetëve, ndërsa hulumtimi që qëndron pas tij, përmbledh një proces krijues rreth njëdekadësh, me faza të njëpasnjëshme studimi dhe realizimi.

“Rezultati që shihni është shprehje grafike dhe vizuale e gjithë këtij angazhimi, por mbi të gjitha është një përpjekje për t’i trajtuar dhe për t’i kuptuar elementet e trashëgimisë sonë kulturore dhe tradicionale. Synimi është që këto elemente të trashëguara ndër breza të mos mbeten vetëm pjesë e së kaluarës, por të vazhdojnë të jetojnë përmes formave të reja të shprehjes”, ka theksuar Qerkini duke treguar se duke përfshirë dhe procesin e hulumtimit, bëhet fjalë për dhjetë vjet pune të vazhdueshme me faza të njëpasnjëshme hulumtimi dhe realizimi. 

Për kuratorin holandez, Ronald van der Voet, i njohur si Z.E.D.Z., bashkëpunimi i tij me Qerkinin për ekspozitën “Masnesër” është rezultat i njohjes me të në vitin 2008 kur kishte vizituar Prishtinën atëkohë. 

“Në vitin 2008 erdha këtu së bashku me një artiste holandeze. Ajo po e vizitonte këtë rajon për të parë nëse kishte artistë të rinj, në zhvillim e sipër, me të cilët mund të bashkëpunonte dhe ndoshta të ndërtonte diçka për të ardhmen. Gjatë njërës prej këtyre vizitave më mori me vete dhe erdhëm në Prishtinë. Pikërisht atëherë e takova Taulantin për herë të parë. Më pas u takuam edhe disa herë në ngjarje ndërkombëtare të pikturës së grafiteve dhe në ngjarje të artit të rrugës”, ka treguar ai para publikut. 

Ka thënë se shumë ka ndryshuar që nga ajo kohë. 

“Tani jemi sërish këtu, rreth 18 vjet më vonë. TAK jo vetëm që e ka dyfishuar moshën, por edhe sasinë dhe cilësinë e punës së tij. Para disa muajsh më pyeti nëse mund ta ndihmoja në kurimin e ekspozitës dhe më prezantoi punimet e tij. Që atëherë kemi qenë në kontakt dhe jam përpjekur t’i sugjeroj disa detaje që mund të rregulloheshin apo të përmirësoheshin. Megjithatë, nuk kishte shumë gjëra që kërkonin ndërhyrje”, ka thënë ai. 

E kuqja, e zeza dhe e bardha dominojnë në punimet e artistit, ku format gjeometrike, simbolet dhe motivet e frymëzuara nga trashëgimia kulturore shqiptare ndërthuren në kompozime të ndryshme

Në materialin promovues të ekspozitës, TAK përshkruhet si artist që e ka nisur rrugëtimin e tij nga grafitet dhe arti urban, për t’iu orientuar gradualisht studimit të dizajnit grafik dhe hulumtimit të artit grafik me rrënjë kulturore.

“Fillimisht i frymëzuar nga artistë grafikë si M.C. Escher dhe nga konstruktivistët, TAK filloi t’i jepte një drejtim më të qartë punës së tij, duke zhvilluar gradualisht një qasje personale në krijimtarinë artistike. Punimet e tij ndërthurin të vjetrën me të renë, si në gjuhën vizuale, ashtu edhe në teknikën e realizimit”, ka shkruar kuratori.

Artisti Skënder Boshtrakaj ka vlerësuar se Qerkini e përdor traditën si burim frymëzimi, ndërsa gjeometrinë si koncept dhe mënyrë të shprehjes. 

“Ekspozita e Taulantit, i njohur si TAK, vjen me një temë të frymëzuar nga tradita, të cilën artisti e shfrytëzon si burim, ndërsa gjeometrinë si koncept dhe mënyrë të shprehjes. Në të bie në sy edhe triada kromatike e së kuqes, së zezës dhe së bardhës, ngjyra që janë shumë të pranishme në folklorin shqiptar”, ka thënë Boshtrakaj, 

Kjo qasje, sipas tij, ka rrëzim për kalimin në aspektin dekorativ. 

“Ky koncept dhe kjo qasje ka një rrezik estetik, pasi mund të përfundojë lehtësisht në dekorativizëm, gjë që nuk është gjë e keqe, por mund ta kufizojë veprën. Megjithatë, artisti arrin ta menaxhojë shumë mirë këtë kufi. Në disa sipërfaqe vërehet një lojë interesante dhe, do të thosha, e realizuar në mënyrë brilante. Ai arrin ta ruajë ekuilibrin pa kaluar në një dekorativizëm të tepruar”, ka vlerësuar Boshtrakaj, i cili e ka vlerësuar ekspozitën edhe për mesazhin që përcjell.

“Si koncept kuratorial është i pëlqyeshëm, ndërsa mesazhi vjen i qartë: tradita nuk ka nevojë gjithmonë të përsëritet. Ajo mund të riformësohet, të rishfaqet, të rikrijohet dhe të sillet sërish para publikut, duke na kujtuar burimet tona kulturore”, ka thënë ai. 

Në njërin prej mureve janë ekspozuar dhjetë punime të vogla, të vendosura në dy rende, ku motivet gjeometrike dhe format e ndërthurura krijojnë ritëm vizual midis të tri ngjyrave të vetme të përdorura në dhjetëra vepra të ekspozuara në Galeri
 

Artisti Kamuran Goranci, kryetar i Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës, e ka cilësuar Qerkinin si “zë të veçantë dhe talent të rrallë”, duke shprehur kënaqësinë për interesimin e publikut ndaj ekspozitës.

Ekspozita në Galerinë e Arteve të Prishtinës do të qëndrojë e hapur deri më 30 nëntor, duke përkuar edhe me festën e 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.