КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Технологија

Технолошке акције падају због растућег страха од успоравања вештачке интелигенције

МАРКЕТ

Gjigantët e teknologjisë, përfshirë Nvidia, SpaceX dhe Tesla, kanë humbur qindra miliarda dollarë nga vlera e tyre në treg, ndërsa nga indeksi i aksioneve Nasdaq Composite, ku dominojnë kompanitë e teknologjisë, janë fshirë më shumë se 2 trilionë dollarë, në një rënie të fortë të tregjeve, raporton “BBC”. 

Aksionet e kompanive të teknologjisë dhe të inteligjencës artificiale ranë ndjeshëm, pjesërisht për shkak të shqetësimeve se mund të ketë rregullim më të rreptë të këtij sektori, pas fitoreve të demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit në shtetet kyçe ku ndodhen qendrat e të dhënave.
Këto humbje e tërhoqën Nasdaqun në rënie prej më shumë se 5.5 për qind, duke i shkaktuar një humbje të vlerës së tregut prej rreth 2.5 trilionë dollarësh, sipas të dhënave të Dow Jones. Edhe indekset e tjera kryesore të bursës amerikane pësuan humbje të mëdha.

Rënia e aksioneve vjen krahas shqetësimeve më të gjera nëse shumat e mëdha të parave që po investohen në inteligjencën artificiale do të sjellin përfitimet e pritshme.

Demokratët, gjatë fushatës në zgjedhjet në mbarë SHBA-në, u zotuan të ngadalësojnë zgjerimin e qendrave të të dhënave dhe inteligjencës artificiale. Në shumë shtete u votua për dhjetëra masa që synojnë kufizimin e ndërtimit të këtyre qendrave, të cilat janë thelbësore për funksionimin e kësaj teknologjie.

Gina Hinojosa, guvernatore e zgjedhur e Teksasit, zhvilloi një fushatë të fuqishme kundër qendrave të të dhënave, duke premtuar moratorium për ndërtimin e objekteve të reja në këtë sektor.

Aksionet e kompanive, që kanë ekspozim të madh ndaj qendrave të të dhënave për inteligjencën artificiale, përfshirë prodhuesit kryesorë të çipave dhe gjysmëpërçuesve, ranë ndjeshëm të enjten. Kjo nxori në pah shqetësimet e investitorëve, të cilat kishin filluar të shtoheshin edhe më herët.
Aksionet e Nvidias ranë për më shumë se 9 për qind, duke ia ulur kompanisë vlerën e tregut për më shumë se 400 miliardë dollarë.

Edhe prodhuesit e tjerë të çipave pësuan humbje të mëdha. AMD dhe Micron shënuan rënie prej më shumë se 17 për qind. Aksionet e Intelit ranë gjithashtu, me 10.3 për qind, ndërsa prodhuesi i kartelave të memories SanDisk pësoi rënie prej më shumë se 22 për qind.

Indeksi i Gjysmëpërçuesve të Philadelphias, i cili përcjell performancën e 30 kompanive më të mëdha të përfshira në prodhimin e gjysmëpërçuesve, ra për më shumë se 12 për qind.

Edhe aksionet e kompanive të Elon Muskut, SpaceX dhe Tesla, pësuan rënie të fortë, përkatësisht 8 për qind dhe gati 11 për qind. Kjo ua uli kompanive vlerën e tregut për më shumë se 300 miliardë dollarë vetëm gjatë së enjtes.

Musku kishte shpenzuar gati 450 milionë dollarë për t’i mbështetur fushatat e republikanëve, përfshirë të paktën 45 milionë dollarë në mbështetje të Ken Paxtonit për një ulëse në Senatin e Teksasit. Megjithatë, Teksasi u kthye në një shtet ku fituan demokratët, në kuadër të valës së madhe të fitoreve të tyre të martën në mbrëmje.

Në total, të ashtuquajturat shtatë kompanitë të mëdha të teknologjisë, përfshirë Apple, Nvidia dhe Tesla, humbën një trilion dollarë nga vlera e tyre brenda një dite të vetme tregtimi.

Rënia e aksioneve goditi edhe indekset e tjera kryesore të bursës amerikane. Indeksi S&P 500 ra me 4.4 për qind deri në përfundim të tregtimit, ndërsa Dow Jones Industrial Average fshiu fitimet e shënuara të mërkurën dhe e mbylli ditën me rënie prej më shumë se 3.4 për qind.

Rënia e Nasdaq Composite ishte aq e madhe saqë indeksi tashmë ka hyrë në atë që vëzhguesit e tregjeve e quajnë territor korrigjimi. Ky term përdoret kur vlera e një indeksi ose kompanie bie të paktën 10 për qind nën nivelin e saj më të lartë të fundit.